Tillerson: Perëndimi i ofron Turqisë më shumë se Irani dhe Rusia

Më të lexuarat

WASHINGTON (AA) – Shtetet Perëndimore mund t’i ofrojnë Turqisë më shumë përfitime sesa mund të bëjnë Irani dhe Rusia, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, raporton Anadolu Agency (AA).

“Irani dhe Rusia nuk do të mund t’ia ofrojnë popullit turk ato përfitime ekonomike dhe politike të cilat do t’i përfitonin nga anëtarësimi në komunitetin e kombeve Perëndimore”, tha Tillerson, pa specifikuar se si do të duken ato përfitime.

Komentet e tij u bënë në një debat të think tank-ut Wilson Center, në kohën kur presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, po takohej në Soçi të Rusisë me presidentin rus, Vladimir Putin dhe liderin iranian, Hassan Rouhani, për të diskutuar rreth konflikteve në Siri.

Tillerson tha se SHBA-të dhe aleatët e saj evropianë tashmë janë pajtuar se Bashar al-Asadi është përgjegjës dhe përmes sanksioneve do të ushtrojnë trysni për të zgjidhur konfliktin civil sirian.

“Sa i përket konfliktit në Siri, partnerët tanë evropianë do të duhet të vazhdojnë të jenë avokatë të fortë të procesit të Gjenevës i cili është nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara”, tha Tillerson, për të shtuar se kjo mund të jetë një pikënisje për rindërtimin e Sirisë dhe zbatimin e një zgjidhjeje politike, “në të cilën nuk ka vend për regjimin e Asadit, familjen e tij dhe as për qeverinë e tij.”

Tillerson ka ripërsëritur zotimin e SHBA-ve për detyrimet që ka ndaj shteteve anëtare të NATO-s, duke shtuar se SHBA-të do të jenë vendi i parë që do të reagojë, nëse sulmohet ndonjë aleat i saj evropian. Komentet e tij kishin për qëllim të zbusin shqetësimet evropiane se administrata e Trumpit mund të braktisë Aleancën nëse anëtarët evropianë nuk rrisin shpenzimet në mbrojtje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit