1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Në Shqipëri shënohet Dita e Flamurit dhe Pavarësisë

Më të lexuarat

TIRANË/VLORË(AA) – Në Shqipëri shënohet sot 105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, njohur zyrtarisht dhe si Dita Flamurit dhe Pavarësisë, ku me rastin e kësaj feste institucionet shtetërore kanë organizuar disa aktivitete në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia qendrore e ngritjes simbolike të flamurit, është mbajtur në qytetin e Vlorës, ndërsa ceremoni është mbajtur edhe në Sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, organizuar nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës.

Në ceremoninë në Vlorë organizuar fillimisht në Sheshin e Flamurit ishte i pranishëm presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, si dhe ministra të kabineteve qeveritare të Kosovës dhe Shqipërisë.

Më pas ceremonia është zhvendosur në Shtëpinë e Flamurit, ku drejtuesit e lartë të vendit kanë mbajtur fjalët e tyre përshëndetëse. Në një fjalë të shkurtër të mbajtur në aktivitet, presidenti i Shqipërisë, Meta, theksoi se, “Sot kjo është data më e ndritur në historinë e kombit tonë”.

Ndërsa ceremonia tjetër është organizuar në sheshin “Skënderbeu “në Tiranë, ku kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mënyrë simbolike ka ngritur flamurin e Shqipërisë. Në një fjalë përshëndetëse Veliaj theksoi se, “Kjo është padyshim dita më e bukur për të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë. Është një ditë e shenjtë për të gjithë ne, një moment për të kujtuar sesa shumë rrugë kemi bërë që nga ajo ditë e largët 105 vjet më parë, kur baballarët e kombit shpallën Pavarësinë e Shqipërisë tonë”.

Me rastin e festave të 28 Nëntorit dhe 29 Nëntorit(Dita e Çlirimit), Kuvendi i Shqipërisë organizon aktivitetin “Dyert e Hapura” pranë sallës së seancave plenare, ku përgjatë dy ditëve, dyert e sallës së seancës plenare do të jenë të hapura për qytetarët.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Shqipërisë, që është partia më e madhe opozitare në vend feston në të njëjtën ditë Ditën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit, ku sot drejtuesit e lartë të kësaj partie kanë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Në Shqipëri 28 Nëntori festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit