-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

DASHURIA DHE MALLËNGJIMI PËR NAMAZ

Më të lexuarat

Namazi në fenë tonë ka një pozitë të lartë dhe rëndësi të madhe. Ai është shtyllë e fesë dhe një prej rukneve më të rëndësishme pas teuhidit. Është obligimi i cili u urdhërua në qiell, është gjëja e parë për të cilën do të llogaritet njeriu Ditën e Kiametit, është lidhja mes njeriut dhe Zotit, për këtë në shumë prej ajeteve të Librit Fisnik është përmendur urdhri për zbatimin dhe ruajtjen e saj: “Faleni namazin dhe jepni zeqatin.”[1] “Faleni namazin në mënyrë të rregullt, pse namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët.”[2] “           Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj All-llahut të jeni respektues (në namaze).”[3] dhe ajete tjera të shumta që nxisin për kryerjen e namazit dhe ruajtjen e tij.

Përmbajtja

Allahu u ka premtuar robërve besimtarë, të cilët janë të kujdesshëm ndaj këtyre namazeve, shpëtimin dhe fitimin e xhenetit, Allahu thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë), dhe ata të cilët rregullisht e japin zeqatin, dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar, e kush kërkon përtej tyre (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që kanë shkelë normat e caktuara, dhe ata të cilët me kujdes i ruajnë ato që u janë besuar (sende ose fjalë), e ruajnë edhe premtimin e dhënë, dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre. Të tillët janë mu ata trashëgimtarët, të cilët e trashëgojnë Firdevsin dhe aty ata janë përgjithmonë.”[4]

Edhe  i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, e sqaroi vlerën e namazit dhe të kujdesit ndaj tij, duke thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër janë shlyerje (të gjynaheve) mes tyre, pos nëse nuk i kryen mëkatet e mëdha.”

Dhe ka thënë: “Çfarë mendoni nëse para derës së ndokujt prej jush ka një lum që lahet në te çdo ditë nga pesë herë, a do të mbet ndyrësirë? Ky është sikur pesë namazet, Allahu me to ua shlyen gabimet.”

Është gjëja e fundit që do të humbet nga feja, sikur që ka treguar i Dërguari, salallahu alejhi ue selem: “Do të shkëputen hallkat e Islamit një nga një, sa herë që do të shkëputet një hallkë, njerëzit do të kapen për tjetrën, hallka e parë që shkëputet është gjykimi, e fundit është namazi.”

Të parët tanë të mirë e kuptuan pozitën e namazit, qenë të kujdesshëm për të, bile edhe e dashuruan, ishin të përmalluar për të. E si të mos jet ky halli i tyre jo kur ashtu vepronte i dërguari i Allahut. Kur e ngushtonin çështjet apo kishte vështirësi shpejtonte në namaz, ishte kënaqësia më e madhe e tij në namaz, e thërriste Bilalin duke i thënë: “Thirr ikamet për namaz, na rehato o Bilal.”

Ai nuk mjaftohej me kryerjen e namazeve farz nga dashuria e tij që kishte për namaz, çohej dhe e gjallëronte natën me namaz dhe e zgjate. Dëgjo Abdullah ibn Mesudin radijallahu anhu i cili ka thënë: “U fala me të dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selem, ai e zgjati namazin deri saqë mendoja gjë të keqe? I thanë: Çfarë kishe ndërmend?  Tha: Kisha ndërmend të ulem e të ndërpres namazin.”

Shiko Farukun, radijallahu anhu, që në shkrim na porositi: Gjëja më e rëndësishme tek unë është namazi, kush e humbë atë, gjërat tjera edhe më lehtë do ti humb.” Atë ditë kur u plagos dhe u dërgua deri në shtëpi, u alivanos, njerëzit thanë: Ju nuk mund ta zgjoni me gjë tjetër pos namazit, i thanë: Namazi o emiri besimtarëve. , u zgjua dhe tha: A u falën njerëzit? Thanë: Po. Tha. Nuk ka hise në islam ai i cili e le namazin. U fal edhe pse nga plaga e tij derdhte gjak.

Ndërsa Bilal ibn Rabahi, radijallahu anhu, lidhja e tij me namazin është e çuditshme, ngase ai nuk ka marrë abdes në një çast të ditës apo të natës pos ka falur me atë abes aq sa Allahu ka dashtë, saqë i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, i ka thënë: “Unë i kam dëgjuar të rënat nallaneve tua para meje në xhenet.”

Adij ibn Hatim, radijallahu anhu, ka thënë: “Nuk ka hyr kohë e namazit pos isha i përmalluar për te.”

Othman ibn Afani, radijallahu anhu, e lexonte Kuranin në një reqat.

Ali ibn Ebi Talibi, radijallahu anhu, deri në ditën kur vdiq falej natën, e kur afrohej sabahu, i zgjonte njerëzit për namaz, thoshte: Namazi, Namazi.

Po ashtu si zotniu i adhuruesve ashtu siç e quan Shatibiu, të zgjedhurin e tabiinëve Uvejs ibn Amir el Karni Allahu e mëshiroftë fillonte me namaz saqë nuk mund të ndalej. Rebiu ibn Hajthem ka thënë: Erdha tek Uvejs el Karni e gjeta atë duke e falur sabahun e u ul. Thashë: Mos ta pengoj në dhikrin e tij, e kur ishte koha për namaz u ngrit e u fal deri në namazin e drekës, kur fali drekën u fal deri në ikindi, pasi e fali ikindinë u ul duke përmendur Allahun deri në aksham, kur fali akshamin u fal deri në jaci, pasi që fali jacinë u fal deri në sabah, pasi që fali sabahun u ul, e më vërejti me syrin e tij, e dëgjova duke thënë: O Allah unë kërkoj mbrojtje nga ti pre syrit që fle dhe stomakut që nuk ngopet.

Mos u çudit  o i dashur, ky njeri ka thënë: Do ta adhuroj Allahun në tokë ashtu siç e adhurojnë meleqet në  qiell.

E lusim Allahun, që kënaqësinë tonë më të madhe ta bën në namaz dhe respekt ndaj Tij.

Falënderimi i takon Zotit të botëve.

WWW.ISLAMWEB.COM

Përktheu: Shpend Zeneli.

albislam.com/kohaislame.com


[1] Bekare, 43.

[2] Nisa, 103.

[3] Bekare, 238.

[4] Enbija, 1-11.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit