I menjëhershëm ka qenë reagimi i Robinho, pas vendimit të Gjykatës së Milanos që e dënoi me 9 vite burg brazilianin ish-futbollist të Milan, për veprën penale të dhunimit seksual në grup ndaj një vajze shqiptare, asaj kohe 22-vjeçare, në ngjarjen e ndodhur në vitin 2013.
Sipas brazilianit që aktivizohet aktualisht te Atlético Mineiro, përfaqësuesit e tij ligjorë kanë marrë të gjitha masat e nevojshme.
“Të gjitha veprimet ligjore po ndërmerren aktualisht për vendimin e shkallës së parë”, deklaroi 33-vjeçari nëpërmjet një komunikate, ku mohon kategorikisht pjesëmarrjen e tij në krim.
Ish-futbollisti i Real Madrid, Manchester City dhe AC Milan, deklaroi se ishte vetëmbrojtur ndaj akuzave për një episode të ndodhur disa vite më parë, duke konfirmuar se nuk ka marrë pjesë në asnjë rrethanë në atë çështje.
Robinho u dënua sot nga drejtësia italiane me nëntë vite heqje lirie me akuzën e pjesëmarrjes në një përdhunim në grup ndaj një vajze 22-vjeçare nga Shqipëria, të ndodhur në një klub nate në Milano.
Gjykatësja mori vendimin në seancën e nëntë, duke dënuar futbollistin, që në kohën e ngjarjes luante për AC Milan, ndërkohë që gjithçka ka ndodhur më datë 22 janar të vitit 2013, me Robinho që shoqërohej edhe nga pesë shokë të tij.