0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kundërpërgjigjje ndaj kolumnit të Halil Matoshit i cili ka thënë se duhet t’u hiqet shtetësia kosovarëve që luftojnë në Siri

Më të lexuarat

Sot është lehtë të bëhesh kolumnist. Shkruaj çfarë të duash, hapësira elektronike, që për fat të keq në shumicën e rasteve kontrollohet nga “redaktor” jo profesional, ia mundësojnë nipave të Millosheviqit që të shkruajnë se çfarë duhet të veprojë një qytetar i lirë i Kosovës. Kur në zemrën e njeriut mbisundon egoizmi dhe personaliteti i egërsirës, atëherë nuk ke edhe çfarë të presësh, pos ofendime, dirigjime dhe “analiza” që në qytetin tonë, u thuhet “me ja fut kot”.

Sot nuk kemi vetëm kolumnista, por edhe hoxhallarë. Veni re, sot kolumnistat kanë marrë përgjegjësinë e hoxhës dhe imamit. Ata marrin guxim që të na tregojnë, shpjegojnë dhe definojnë se çfarë qenka lufta, si duhet bërë lufta dhe çfarë nënkupton kjo. Sot ata na tregojnë se çfarë është mbulesa, çfarë xhamia, çfarë dispozite ka kjo çështje apo ajo çështje, shkurt e shqip: Duhet të mbyllet institucioni i BIK-ut, sepse sot ekzistojnë kolumnistët, që na japin “fetva” ashtu siç dëshirojnë ata dhe nuk guxon askush që t’i kundërshtojë, sepse kundërshtarët shpallen si radikalist, terrorist dhe ekstremist. Është për të ardhur keq!

Situatën edhe më shumë e tmerron përkrahja e “redaktorëve” të kësaj ideologjie komuniste, që në emër të “laicizmit” po çmend çdo njeri normal, habitet çdo qytetar që sadopak, ka njohuri rreth kuptimit dhe zbatimit të laicizmit.

Në luftën e Kosovës kishte shumë shqiptarë dhe boshnjak që janë solidarizuar me Kosovën, normal, ashtu siç bënë shumë kosovarë në krizën e Bosnjës, ku u solidarizuan me boshnjakët dhe luftuan kundër një armiku të përbashkët, i quajtur Serbi. Shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina dhe Mali i Zi, nuk hezituan aspak që ta përkrahin një shqiptar nga Kosova që klithma e tij dëgjohej në çdo anë. Lufta në Kosovë në mediet ballkanike, e posaçërisht ato sllave, ishte e quajtur si terroriste, fundamentaliste dhe radikaliste. Situatë e njëjtë ishte edhe në Maqedoni, ku çdo luftëtarë është quajtur ashtu siç i ka konvenuar politikës redaktoriale të nji televizioni. Duhet pasur parasysh se shqiptarët nuk janë solidarizuar vetëm mes vete, por janë solidarizuar edhe me qytetarët e Spanjës, kur në vitin 1936 iu bashkëngjitën Brigadave Internacionale, në luftën qytetare të Spanjës. Askush deri më tani nuk ka marrë guximin që të thotë se atyre duhet t’u mirret nënshtetësia, e kur kësaj i shtohet edhe regjimi komunist që sundonte shumë vende të botës, parashtrohet pyetja: A është më i keq Josip Broz Tito apo Halil Matoshi?

Përsëri e them, është për të ardhur keq se si disa gazeta dhe media elektronike, ia mundësojnë komunistëve të veshur me petkun e laicizmit, që të bëhen interesant duke i fyer të gjithë ata që solidarizohen dhe kanë të drejtë individuale që ta përkrahin një luftë përderisa ajo nuk është në kundërshtim me aleancën që Kosova ka me ndonjë shtet apo organizatë.

Duhet cekur se shqiptarët nuk janë të vetmit që e kanë përkrahur luftën kundër presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, sipas BBC-së, vetëm nga Evropa Perëndimore, drejt Sirisë kanë udhëtuar mbi 500 vullnetarë. Deri më tani, asnjëri prej kolumnistëve të Bashkimit Evropian, e vlen të ceket se qytetarët që më së shumti e kanë dëshmuar laicizmin janë ata të Evropës Perëndimore, asnjëri pra, nuk ka dalë me këtë ideologji të rrezikshme që qytetarëve të tyre t’ua merr nënshtetësinë, por ja që nipat e Millosheviqit i kemi në mes të Kosovës, që bëhen më katolik se papa.

Mirëpo Halil Matoshi leje që është vetëm një kolumnist, por bëhet edhe komentues i kushtetutës, edhe atë vetëm atëherë kur i konvenon. Interesant është se edhe serbët, që përkrahin ushtrinë e Bashar al-Assadit, nuk kanë marrë guximin që të flasin për humbjen e nënshtetësisë së atyre që luftojnë krah për krah me të, kur dihet mirë se ushtria e Assadit ka thyer të gjitha ligjet ndërkombëtare duke i shpallur luftë publike faktorit ndërkombëtarë, por ja, Halili nuk e din këtë.

Pastaj, si mund t’i besohet gazetave që përkrahin Halilin, kur mu ato gazeta para disa muajve dolën me shkrime se shqiptarët në Siri luftojnë për të holla dhe se paguhen shumë mirë, tash mu ato, dalin dhe thonë se shqiptarët po luftojnë “për Allah”, ku mbeti ndërgjegjja e Halilit dhe të tjerëve si ai, kur dihet mirë se nëse një person apo një grup bije në kundërshtim me fjalët e veta, bëhet i pabesueshëm?

Egoizmi është cilësi e qenit, çdo shqiptarë do të mërzitej nëse këto tema hapen në kohën kur civilët vriten dhe vlerësohen ashtu siç vlerësohet delja në thertore. Si do të ishte situata që gjatë masakrës së Reçakut të Kosovës, në shtete tjera “kolumnistët” të shkruanin se a duhet të përkrahet lufta e Kosovës, a duhet të solidarizohemi me ta apo jo?! Mbaje dorën në zemër dhe mendo.

Do të ishte prej burrërisë dhe humanizmit se para se të flitej për nënshtetësinë e tyre, të flitet për shëndetin, situatën, kushtet dhe gjendjen e tyre. Fundja, të gjitha analizat dhe statistikat e deritanishme, janë të bazuara me ideologjinë e quajtur “ma merr mendja”, çfarë thua që nëse ata kthehen dhe e dëshmojnë të kundërtën, ku mbet ndërgjegjja dhe përgjegjësia e egoistit, analistit dhe “kolumnistit”?

E kam vënë re se çdoherë kur ndonjë kolumnist dhe gazetë bije nga syri i lexuesve, dalin me tema të këtij lloji, qesharak dhe joprofesional, për tu bërë gazi i botës.

Shkruar nga Burhan Seferi/

 _______________________________________________________________________________________________________________

Në vijim ju paraqesim shkrimin tendencioz të Halil Matoshit

T’u hiqet shtetësia kosovarëve që luftojnë në Siri

Lajmi se kosovarët në Siri nuk po luftuakan në anën e kryengritësve kundër regjimit diktatorial të Bashar Al-Asadit (Ushtria për Sirinë e Lirë), por për interesa të grupeve fondamentaliste islamike dhe se po kryekan mizori, duhet t’i shqetësojë institucionet e vendit, saqë këto të fundit duhet të shqyrtojnë me urgjencë marrjen e shtetësisë kosovare menjëherë dhe pa paralajmërim…
Çfarë mund të bëjë Kosova për t’i ndalur “bijtë e bijat e veta” vullnetarë apo mercenarë që të mos shkojnë në luftë “për Allah” në Siri a gjetkë? Asgjë!

Secili njeri është i lirë të ketë bindjet dhe arsyetimet e veta.

Përderisa nuk janë “në anën tjetër të ligjit” brenda territorit kosovar.

Është pra në vullnetin individual të tyre, në karakterin dhe konstitucionin e tyre shpirtëror, fetar etj., pra është zgjedhje e tyre e lirë.

Por shteti i Kosovës për ta mbrojtur veten, mund t’i ndalojë ata për t’u kthyer në atdhe. Dhe këtë, shtetit ia mundëson konstitucioni i tij juridik – si organizatë që e ka monopolin për ushtrimin e dhunës legjitime.

Shteti duhet t’ua marrë shtetësinë kosovarëve që luftojnë në Siri, për një varg arsyesh, ngase shteti e ka vetëm këtë të drejtë, karshi “të drejtës për të luftuar” të shtetasve “rebelë”, që në këtë rast cenojnë jo vetëm imazhin ndërkombëtar të shtetit që i përkasin, por mbi të gjitha cenojnë sigurinë kombëtare!?

Pjesëmarrja në një komplot, kundër rendit kushtetues të një shteti apo pjesëmarrja në luftë duke e shpallur atë “të shenjtë” (cila është ajo instancë tokësore që shpall diçka për të shenjtë?) ose “luftë për Allah” nuk është më problem i kufizimeve kushtetuese dhe i të drejtave të njeriut, por është problem kombëtar (që ndërlidhet me tradhtinë kombëtare) që në shtetin modern sanksionohet me ligj.

Kjo s’ka të bëjë tutje me debatin për futjen e mësim-besimit si lëndë fakultative në shkollat kosovare as me debatin rreth shamisë së vajzave dhe grave shqiptare të fesë islame, as me nenin 8 të Kushtetutës (laiciteti i shtetit kosovar) që pasqyron rendin politik e institucional të Kosovës, sepse po kjo Kushtetutë garanton edhe lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes.

Laiciteti i shtetit nuk përshkruan laicizimin e shoqërisë dhe të individit.

“E drejta për të luftuar” – xhihadi është kundër konstituimit të shtetit modern dhe demokratik, prandaj kjo “e drejtë” i bën karshillëk vetë shtetit dhe shoqërisë, si dhe intencës për modernizim dhe integrime në BE dhe NATO.

Për xhihadin në Kosovë ekzistojnë interpretime të ndryshme, prej interpretimit që konstaton se xhihadi është e drejta për luftë brenda vetvetes (tek një besimtar) për t’i përmbushur detyrat fetare dhe për t’i mposhtur veset e këqija (Xhihadi i madh) si një detyrë fetare e myslimanëve, deri tek interpretimi për ‘xhihad të vogël” që del të jetë emërtim arab për “luftë të armatosur” kundër persekutimit dhe shtypjes.

Brenda kontekstit të islamit doktrinar, (tek bindjet Shia), xhihadi i referohet luftës kundër atyre që nuk besojnë në islam (në All-llah).

Porse fjala ka edhe implikime tjera më të gjera.

Xhihadi është përdorur zakonisht për termin “Lufta e Shenjtë”.

Sipas disa burimeve (Shih: Merriam-Webster’s Encyclopedia of World Religions), xhihadi shfaqet 41 herë në Kur’an dhe shpesh me shprehje idiomatike si “përpjekje në rrugën e Zotit.”

Një pakicë në mesin e dijetarëve Suni nganjëherë i referohen xhihadit si shtyllë e gjashtë e Islamit, gjë që nuk e ka një status të tillë zyrtar, ndërkaq që tek drejtimi Shia në islam, megjithatë, xhihadi është një nga 10 praktikat fetare.

Mirëpo sipas BBC, një e treta e njohësve të islamit esencial mendojnë se kuptimi i xhihadit është lufta për të ndërtuar një shoqëri të mirë.

Është interesant fakti se shumë ndjekës të islamit doktrinar në Kosovë (me përkatësi Suni) mendojnë se Al-Asadi përket në drejtimin Shia, prandaj e ka devijuar udhën e Zotit, ndërkaq që pikërisht drejtimi Shia i jep termit ‘xhihad’ kuptimin e luftës kundër të pafeve!

Porse paradoksi i mirëfilltë në këtë tregim është fakti se po dalin të vërtetë zërat që thoshin se shqiptarët, veçmas kosovarët që po luftojnë në Siri nuk kanë ndonjë kauzë politike (luftë për drejtësi e liri) dhe nuk janë përkrah forcave kryengritëse, por as përkrah ushtrisë së rregullt siriane, por janë darë në duart e grupeve politike fondamentaliste islamike, që luftojnë në shumë fronte, kundër trupave të Dinastisë Asad, kundër kryengritësve dhe kundër jomyslimanëve në Siri, apo të huajve dhe këtë me idenë e Damaskut si qendër të Kalifatit (si para 1000 vjetësh).

Alja Noha, një studente siriane në Shqipëri, ka folur për mediat e Tiranës, duke u lidhur përmes telefonit me Ahmad Trad, ish–pilot i ushtrisë siriane, por tashmë pjesë e luftëtarëve anti-Assad të Ushtrisë për Sirinë e Lirë, që lufton në periferi të qytetit të Idlebit.

Trad tha se ka grupe radikale që luftojnë në Siri, por që nuk kanë peshën kryesore në konflikt. Ai pranoi se në Siri ka shqiptarë që luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad, porse këta shqiptarë nuk janë pjesë e rebelëve, por e grupeve radikale fondamentaliste që luftojnë për rrëzimin e presidentit Assad dhe për ngritjen e një shteti islamik!?

Mendohet se janë mbi 500 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria dhe në mesin e tyre ka pasur edhe viktima, por tashmë vjen konfirmimi se ata janë përfshirë në grupe fondamentaliste islamike të cilat kanë një qëllim përfundimtar të ndryshëm nga ushtria për Sirinë e Lirë.

Prandaj të gjithë personat që kanë shtetësi kosovare dhe aktualisht luftojnë në anën e grupeve ekstremiste islamike në Siri, duhet konsideruar si pjesëtarë të organizatave terroriste dhe duhet vënë në kërkim nga organet e ndjekjes në Kosovë, kurse me dekret duhet t’u hiqet shtetësia në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjit mbi shtetësinë, neni 24, (vepra saktësohet në Kodin Penal të Kosovës), sepse ata kanë organizuar, trajnuar, financuar dhe inspiruar grupe terroriste brenda Kosovës ose në një shtet tjetër dhe kjo është arsye e bollshme juridike që atyre personave t’u hiqet shtetësia e Republikës së Kosovës menjëherë.

Neni 3 i ligjit mbi shtetësinë përcakton se vendimi për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës mund të lëshohet edhe pa pjesëmarrjen e personit në fjalë në procedurë.

Neni 14 i Kushtetutës (Shtetësia) thotë: Fitimi dhe humbja e së drejtës së shtetësisë së Republikës së Kosovës rregullohet me ligj.

Me ligjin për shtetësinë përcaktohen mënyrat e fitimit, humbjes dhe rifitimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe rregullohen çështje të tjera të ndërlidhura me shtetësinë e Republikës së Kosovës. Neni 2 thotë se përkufizimi i shtetësisë sipas ligjit është një lidhje të ngushtë juridike midis shtetit të Republikës së Kosovës dhe një personi nga e cila rezultojnë të drejta dhe detyrime të ndërsjella; Ndërkaq në nenin 19 (Mënyrat e humbjes së shtetësisë) thuhet: 1. Shtetësia e Republikës së Kosovës humbet: 1.1. me lirim nga shtetësia;

1.2. me privim të shtetësisë; 1.3. në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Neni 24 (Humbja e shtetësisë me privim) thotë: 1. Pavarësisht të drejtës së personave për shtetësi të Republikës së Kosovës sipas kreut V të këtij ligji, organi kompetent mund të privojë shtetasin e Republikës së Kosovës nga shtetësia e Republikës së Kosovës, nëse shtetasi posedon shtetësi tjetër dhe nëse merret me veprimtari, të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës; 2. Veprimtaritë, me të cilat cenohet rëndë siguria kombëtare e Republikës së Kosovës konsiderohen në veçanti veprimtaritë vijuese:

2.1. kur shtetasi qëllimisht i është bashkuar një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, ose 2.2. shtetasi ndërmerr veprime të cilat kanë për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës; ose 2.3. shtetasi është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër dhe për këtë nuk ka marrë pëlqimin nga organi kompetent ose nuk është i lejuar

me marrëveshje ndërkombëtare; 4. Vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i plotfuqishëm kur vendimi i dorëzohet personit në fjalë. Në rastet kur vendimi nuk mund të dorëzohet për arsye se organi kompetent nuk mund të identifikojë vendndodhjen e personit, vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i plotfuqishëm në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës; 5. Kundër vendimit për privim mund të iniciohet konflikt administrativ në gjykatën kompetente sipas Ligjit për Konflikt Administrativ.

Termi terrorizëm përkufizohet me Kodin penal të Kosovës, (Neni 135).

Përkufizimet për dispozitat e terrorizmit në nenet 121-145; Për qëllime të neneve 121-145 të këtij Kodi: 1. Terrorizëm, veprim terrorist apo vepër e terrorizmit – kryerja e një ose më shumë veprave penale të mëposhtme me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë, të detyrimit të padrejtë të një organi publik, qeverisë apo organizatës ndërkombëtare për të kryer ose për të mos kryer ndonjë veprim, apo që seriozisht të destabilizojë ose të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, të një shteti tjetër apo të një organizate ndërkombëtare:

Mirëpo në këtë rast organet kosovare të ndjekjes nuk mund të hetojnë në Siri, nëse këta persona kanë kryer apo jo vepra terroriste, prandaj Kosova e ka të vetmin mjet juridik për t’u mbrojtur (siguria e përgjithshme) duke ua hequr shtetësinë këtyre qytetarëve, të cilët luftojnë “për Allah” në Siri.

Në anën tjetër Bashkësia Islame e Kosovës si institucion zyrtar në vend se të bëjë thirrje për ruajtjen e tolerancës ndërfetare si model kulturor dhe shpirtëror të ekumenizmit ndërshqiptar nëpër shekuj dhe në vend se të mbroj shekullarizmin e shtetit, po flirton me islamin fondamental, madje aktualisht është “i zënë” me “veprimtari të fshehtë” duke organizuar puçe (më qëllime politike) brenda këtij institucione!?

Së këndejmi i biri i Myftiut të Kosovës Naim Tërnavës, u ka bërë thirrje shqiptarëve që të shkojnë në Siri për të luftuar. Ai, në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se çdo ditë e më shumë po i shtohet vullneti për t’iu bashkuar bashkatdhetarëve të tij në luftimet e Sirisë. Mirëpo edhe pse kjo është vepër penale askush nuk u morr më të, madje as organet e hetuesisë dhe as prokuroria e shtetit ex-officio.

Të përkujtojmë se Kodi Penal i Kosovës – Shtytja për kryerjen e veprave terroriste – Neni 141 thotë: Kushdo që shpërndan, ose në ndonjë mënyrë tjetër mundëson mesazhin për publikun, me qëllim që të shtytë kryerjen e aktit terrorist, kur sjellja e tillë pavarësisht nëse avokon drejtpërdrejt ose jo aktet terroriste, shkakton rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

Prandaj, për hir të sigurisë së përgjithshme në Kosovë dhe rajon, për hir të sigurisë nacionale të aleatëve të Kosovës dhe si detyrim për luftën kundër terrorizmit si dhe për ruajtjen e stabilitetit të vendit, këta persona duhen ndëshkuar me heqjen e shtetësisë. Përndryshe, nuk dua të paragjykoj se si do të sillen këta luftëtarë ‘xhihadistë pas kthimit në atdhe, mirëpo rasti i vullnetarëve myslimanë nga Afrika dhe Azia në luftën e Bosnjës, e të cilët mbetën të jetojnë aty edhe pas luftës, dëshmon për një sjellje shumë agresive të tyre, duke e dëmtuar ndjeshëm shtetin dhe demokracinë boshnjake.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit