5.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Sofizmi i drogës, e vetmja gomone shpëtimi për qeverinë

Më të lexuarat

ERGYS MËRTIRI

Një nga paradokset më të mëdha logjike të qeverisë është pretendimi se këtë vit ka arritur sukses kundër drogës, ndryshe nga një vit më parë. Ky pretendim është shprehur vazhdimisht nga Kryeministri Rama, ministri Xhafa, si dhe së fundmi, nga komisioneri Hahn. Ata pohojnë se këtë vit ka pasur një rënie të ndjeshme të mbjelljes së hashashit, çfarë duhet konsideruar pozitive, paçka se niveli i trafikimit nuk ka rënë aspak dhe rojat kufitare të vendeve fqinje vazhdojnë të kapin çdo ditë tonelata droge të eksportuara nga Shqipëria.

Argument më absurd se ky, nuk mund të ketë. Sipas kësaj logjike, i bie që, nëse dikush ka vjedhur për katër vjet, por kohët e fundit ka hequr dorë, apo thjesht ka filluar të vjedhë më pak, duhet të përgëzohet për uljen e nivelit të ushtrimit të kleptomanisë! Këtu nuk flasim më për përgjegjësi, por për spekulime sasiore mbi faktet (më shumë ose më pak).

Me këtë arsyetim del që qeveria, jo vetëm nuk duhet të mbajë përgjegjësi mbi implikimet e saj në trafiqe, por u dashka përgëzuar, pasi në terma sasiorë gjërat po përmirësohen! Shndërrimi i retorikës në argumente sasiore, të shënjuara në termin progres, është një non sens surprizues. Progresi përdoret këtu si term legjitimues ndaj qeverisë, duke e shpërqendruar vë- mendjen prej akuzave reale për partneritet të saj me krimin e organizuar. Debati spostohet, nga përgjegjësia, te niveli i rezultateve, gjë që vetvetiu nënkupton pastërtinë e saj nga akuzat.

Kur arsyetimi shkon në terma sasiorë, debati relativizohet duke hyrë në një terren subjektiv. Vetë termi progres shënjon një arsyetim krahasues: Progresi ka kuptim në raport me diçka. Këtu na duhet një objekt referimi, një moment prej të cilit mund të llogarisim përmirësimin. Më tej, logjika i jep të drejtë atij që zgjedh objektin e referimit, i cili e ka të lehtë më pas ta bëjë të bardhën të zezë.

Duke e zgjedhur vetë objektin e referimit, është shumë e mundur që çdo katastrofë të paraqitet si përmirësim. Në këtë mënyrë, për të patur përmirësim qeveria zgjedh të masë nivelin e sotëm të mbjelljes së hashashit me momentin më të keq të vetvetes: vitin 2016, kur çdo pëllëmbë e territorit u mboll me hashash ditën për diell, nga jugu në veri. Natyrisht, kur të tashmen e mat me momentin më të keq historik, është e lehtë të kesh progres. Vetë përdorimi i argumenteve të tillë tregon se qeveria është në hall të madh, e dëshpëruar për të gjetur një logjikë ku të mbahet.

Ajo detyrohet të rrëshkasë drejt një sofizmi qesharak, si e vetmja gomone shpëtimi për të pasur gojë të flasë përballë përgjegjësisë për llumin ku është zhytur. E kapur me presh në duar, ajo strehohet në terrenin e një sofizmi qesharak, për të mbajtur në këmbë një retorikë propagandistike që fut ujë nga të katër anët. Në të vërtetë, në një situatë kur të dhënat, raportet, dëshmitë tregojnë se shteti është i zhytur deri në grykë në veprimtari kriminale, nuk na duhet aspak nëse ka apo jo progres.

Natyrisht, kur një qeverie i plas qelbi në duar, do të bëjë diçka për të zbutur situatën, por kjo nuk na ngushëllon aspak. Qeveria duhet të përgjigjet për atë çfarë ka bërë, e jo për atë që premton se do të bëjë, e as për pretendime se ka korrigjuar diçka nga pjesëmarrja e saj në krim. Ky progres nuk na hyn në punë aspak, qoftë edhe nga ana praktike. Edhe nëse vërtet këtë vit nuk ka pasur të mbjella si vitin e shkuar, kjo nuk e ka penguar aspak trafikun që të vazhdojë punën normalisht.

Kjo vjen sepse trafikantët tashmë i kanë hambarët plot dhe i kanë bërë zahiretë edhe për disa vite. Për sa kohë që nuk është asgjësuar asnjë rrjet kriminal, vendosja në stand by e sektorit të bujqësisë, nuk e pengon aspak trafikun. Ky pretendim, vetëm sa e nxjerr zbuluar Kryeministrin, pasi fakti që tashmë nuk po mbillet më, tregon se gjithçka deri më tani është bërë me përkrahjen e shtetit.

Si përfundim, shqiptarëve nuk u duhet aspak progresi i qeverisë në luftën kundër drogës që vetë e ka zhvilluar deri në këtë pikë. Shqiptarëve u duhet që fajtorët të shkojnë në burg, ndërsa qeveria të mbajë përgjegjësi. Edhe në qoftë se Kryeministri, siç pretendon, nuk ka ditur gjë për gjithçka është bërë, duhet të japë dorëheqjen për paaftësi, pasi po na thotë me gojën e tij se nuk paska parë asgjë kur elefanti i ka kaluar nën hundë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit