Para pak çastesh, Apple ka prezantuar modelin më të ri të telefonit të saj të mençur – iPhone 5S, i cili do të vijë me versionin më të ri të sistemit operativ, Apple iOS 7.
Siç edhe është thënë më herët, iPhone 5S do të ketë ekranin e ndjeshëm në prekje me diagonalen prej 4 inç në teknologjinë Retina me 1136 x 640 piksel, në tri ngjyra të ndryshme, duke e përfshirë edhe atë të artë.
Procesori i iPhone 5S është i Apple A7 64 bit, në të cilin mund të operojnë aplikacionet me 32 dhe 64 bit, dhe ky lloj i procesorit i jep telefonit dhe grafikave shpejtësi rreth dyfish më të madhe. Procesori i ri, Apple A7 përfshin edhe CoreMotion API, e cila e mat lëvizjen, ndërsa kompania Nike ka krijuar edhe aplikacionin Nike+ Move për iPhone 5S.
iPhone 5S përdoruesit të saj i jep edhe mundësinë e bisedës telefonike deri në 10 orë, dhe kohë të njëjtë për shfletim në 3G apo LTE, 250 orë pune kur telefoni është jo-aktiv, apo 40 të dëgjimit të muzikës përmes telefonit.
Kamera e iPhone 5S posedon edhe një funksion të ri, përmes të cilit përdoruesi mund të bëjë fotografi prej 10 kornizave për sekondë, duke e shtypur butonin e vetëm në telefon, dhe më pas telefoni ua zgjedh fotografinë më të bukur. Kamera e telefonit gjithashtu incizon video në Slo-Mo me 120 korniza për sekondë në 720p.
Njëra ndër funksionet më të përfolura të telefonit të ri të Apple, iPhone 5S është edhe skaneri i gjurmëve të gishtit, i cili mund të bëhet përmes softuerit Touch ID, i cili e hap telefonin tuaj kur ju e shtypni butonin e rrumbullakët në ekran me gishtin tuaj.
iPhone 5S pritet të fillojë të shitet që nga 20 shtatori 2013 për një çmim prej 199 dollarësh me kontratë dy vjeçare me operatorët e caktuar të telefonisë mobile. /tg/kohaislame