-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Tahir Kukaj, imami shqiptar që futi në xhami kryepolicin e Nju Jorkut: kur të do i huaji e të shpërfill i yti!

Më të lexuarat

Tahir Kukaj është ndër imamët e njohur shqiptarë në Amerikë.

Ai drejton një qendër islame dhe pika më e fortë e tij është ndërtimi raporteve të hapura me shumë faktorë shoqërore vendas, pas lënë mënjanë dhe marrëdhëniet ndërfetare.

Së fundi, ai arriti të mbledhë në xhami pjestarë të të gjitha komuniteteve fetare, deri dhe krerë të policisë së Nju Jorkut.

 

E ndërsa qendra që ai drejton është tejet atraktive dhe shembullore në plan dhe kombëtar, ajo shumë pak vizitohet, siç thotë ai, nga politikanë të Kosovës gjatë vizitave të tyre në SHBA….

Intervistoi: Blendi Gashi

Jeni një klerik shqiptar me zë në Nju Jork. A mund të na thoni si është një ditë e juaja atje?

Dita ime fillon me namazin e sabahut, pastaj vazhdoj aktivitete të ndryshme në shkollën tonë shqiptare “Miraj (Miraxh) Islamic School” që funksionon prej 1999, prej ciklit parashkollor deri në 12-vjeçar. Është shkolla e parë shqiptare e pavarur ne Amerikë. Shkolla ka një reputacion admirues në qytetin e Nju Jorkut dhe më gjërë, ka një akreditim ndërkombëtar. Jam i ngarkuar me punë akademike e po ashtu edhe me aktivitete ndërfetare e sociale.

Qendra Islame Kulturore Shqiptare është një ndër qendrat më të mëdha në Nju Jork City si për kah aktivitetet e po ashtu edhe për ndikimin në jetën kulturore dhe fetare.

Sa është interesimi i shqiptarëve në SHBA për të praktikuar fenë dhe sa sa xhami administrohen prej tyre?

Shqiptarët janë fetarë të mirë dhe të devotshëm, përherë në mesin e tyre gjenden hoxhallarë apo edhe priftërinj të mirëfilltë. Imami Dr. Dhulkarnejn Vardari dhe Imam Ferid Bedrolli (themelues të Qendrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island) janë një shembull i përkryer i prijësve fetarë në Amerikë që kanë arritur të ndërtojnë një qendër të rangut ndërkombëtarë, ashtu siç ishte edhe Imam Vehbi Ismaili apo dhe prifti Fan Noli. Që të gjithë këta liderë fetarq ishin inspirues i një komuniteti progresiv shqiptar. Interesimi i shqiptarëve amerikanq për identitetin e tyre fetar, qoftë ai islam apo i krishterë është shembull në mesin e komuniteteve tjera fetare dhe kombëtare.

 

Kurse sa i përket numrit të saktë se sa xhami shqiptare gjenden në Amerikë, nuk më kujtohet; por vetëm në Nju Jork gjenden pesë xhami dhe qendra fetare, ndërsa Qendra Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island në Nju Jork është më e madhja. Bashkëpunimi në mes këtyre qendrave është i mirë, edhe pse secila nga këto qendra e xhami kanë administratën e tyre të veçantë. Dhe duhet thënë se çështja kombëtare është ajo çfarë na bashkon, ashtu siç identiteti ynë fetar.

Komuniteti ynë shqiptar është një prej komuniteteve më progresive në Nju Jork. Shqiptarët mund t’i gjesh në të gjitha nivelet, që nga zyra e Governerit të shtetit të Nu Jorkut, Andrew Cuomo tek Mayor i Nju Jorkut, Mayor Bill DeBlasio, si dhe në zyrat e senatorëve Schumer apo Gillibrand e deri në asamblenë e qytetit. Janë biznesmenë shumë të suksesshëm, mjekë të famshëm, inxhinierë, pronarë të restauranteve, të kompanive ndërtimi, dhe është e arsyeshme që të jenë edhe liderë fetarë në nivel të Nju Jorkut.

Së fundmi keni mbajtur një ligjëratë në xhami ku kanë marrë pjesë të gjitha komunitetet fetare si dhe policia e Nju Jorkut. A mund të na flisni më gjerësisht për këtë aktivitet dhe a ishte vështirë t’i bëni gjithë bashkë?

 

Tubimi i datës 9 nëntor, ishte një tubim ndërfetar, lutje dhe ushqim i mëngjesit “Interfaith Breakfast”. Të tubosh në orën 8:30 në mëngjes për lutje ndërfetare në ditën e rregullt të punës ishte një sfidë e madhe, e sidomos në kohën kur vetëm pas afërsisht dhjetë dite të sulmit terrorist në Manhattan.

Megjithatë, fal Zotit dhe përpjekjeve të qendrës dhe Departamentit të policisë së Nju Jorkut, një partneritet që kemi ndërtuar për vite, por edhe partneritetit me partnerë tjerë në kisha e sinagoga si dhe tempuj tjerë fetarë, e po ashtu edhe me institut akademike, qoftë shkolla publike apo edhe universitetet, arrita të mbledh më shumë se 400 veta. Ky tubim ishte shumë i suksesshëm dhe shumë mirë i trajtuar nga të gjitha instancat në Nju Jork.

Ç’bashkëpunim keni me autoritet e Nju Jorkut? A mund të përmendni ndonjë nismë të përbashkët që keni ndërmarrë?

Qendra Islame Kulturore Shqiptare (QIKSH) ka një bashkëpunim të avancuar me Majorin e Nju Jorkut, Bill DeBlasio i cili para disa ditëve është ri-zgjedhur për mandatin e dytë. Këtu shqiptaro-amerikanët në NYC kanë përkrahur kandidaturën e tij. Majori DeBlasio ka vizituar xhaminë shqiptare vitin e kaluar, ndërsa komisionerët e tij janë vizitorë të rregullt të qendrës.

Unë, si i imam i xhamisë jam anëtar i Këshillit të klerikëve konsultativ, një organ i ri që nuk ka ekzistuar më herët që është themeluar nga majori DeBlasio.

Pra. një imam shqiptar për herë të parë në historikun e NYC është këshilltarë religjioz për Majorin e Nju Jorkut, dhe kjo është meritë e punës së madhe që bën QIKSH dhe reputacionit të imamëve shqiptaër. Kuptimi i mirëfilltë i shpirtit fetar, vlerat kombëtare shqiptare si dhe vlerësimi i lartë i lirisë dhe mundësive që Nju Jorku dhe Amerika i jep emigrantëve, ka ndihmuar imamët të jenë progresiv si dhe të jenë shembull për komunitetet tjera fetare në NYC.

 

QIKSH së bashku me administratën e Majorit De Blasio si dhe forcat e rendit, kanë bashkëpunuar në shumë projekte që kanë të bëjnë me rininë, arsimin, emigracionin, forcimin e marrëdhënieve ndërfetare, rritjes së vetëdijes rreth identiteteve të ndryshme që gjenden në NYC. QIKSH ka pasur shumë iniciativa në ofrimin e ndihmave atyre që u dëmtuan nga uragani qoftë ai në Teksas apo edhe në Florida dhe Porto Riko.

Si janë marrëdhëniet mes muslimanëve të Nju Jorkut dhe atyre shqiptarë që jetojnë në këtë qytet?

Marrëdhëniet e komunitetit shqiptar dhe komuniteteve tjera fetare, qoftë islame apo edhe të besimeve të tjera, janë shumë të mira. QIKSH është vatër ku shumë qendra tjera fetare kanë marrë mësimet e respektit ndërfetarë. Në tubimet ndërfetare që në Staten Island në të shumtën e rasteve janë të organizuara nga QIKSH, mund të shihni edhe sekte fetare që nuk komunikojnë mes vete, ndërsa kur AIÇ (Albanian Islamic Cultural Center) apo QIKSH organizon këto tubime, i gjen të gjithë pa asnjë hezitim. Kjo qendër ka besimin dhe respektin e pothuajse të gjitha organizateve fetare qoftë lokale në NYC apo dhe nacionale në SHBA.

 

Me keqardhje e them se me gjithë meritat e QIKSH, mediat shqiptare tregojnë pak interesim t’i paraqesin e të mos them aspak. Xhaminë Shqiptare e konsiderojnë për nder dhe privilegj ta vizitojnë personalitete të larta nga Nju Jorku, por edhe nga bota, ndërsa shtresa jonë politike (nga Kosova) nuk e ka në konsideratë të vizitojë. Kjo qendër ka bërë shumë për Kosovën dhe çështjen kombëtare, këtë e dinë shumë mirë një pjesë e madhe e atyre që shërbejnë në postet e ministrave dhe më lart. Kjo qendër është në epiqendrën e vëmendjes së zyrtarëve më të lartë në NYC, për punën që bën por edhe mundësitë që qendra ofron, ndërsa një pjesë e madhe intelektualeve dhe politikanëve shqiptarë ende jetojnë në ethet e sllavo-komunizmit.

Rezultatet e QIKSH nuk janë të rastit e as spontane, janë punë e palodhshme dhe planifikime të njerëzve të dedikuar që vlerësohen lart nga të gjitha qarqet në NYC. Mund të theksoj ish-ambasadorin Bekim Sejdiu i cili ka vizituar rregullisht QIKSH, si dhe konsullin aktual të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Zajmi, i cili është një njeri i mrekullueshëm dhe një ambasador i vërtetë dhe meritor.

Të flasim pak për tolerancën fetare në Shqipëri dhe Kosovë. Edhe pse jetoni larg, sipas jush çfarë janë raportet fetare në këto dy vende?

Te shqiptaret ka më shumë se thjeshtë tolerancë fetare. Ne shqiptarët jemi shembull i bashkëjetesës e jo vetëm tolerancës fetare. Tolerancë fetare mund të flitet në vendet tjera që pas ballafaqimeve ndërfetare kanë arritur në një tolerancë fetare, kjo terminologji nuk përshkon tërësisht shpirtin fetar dhe kombëtar të shqiptarëve muslimanë dhe të krishterë apo edhe hebrenj.

Besoj se mediat duhet të zgjedhin terminologji më të përpiktë dhe mos të jenë thjeshtë përdorues i shprehjeve që vijnë nga jashtë, pa kuptuar kuptimin real të fjalës. Ne shqiptarët kemi qenë respektues të fesë së njëri-tjetrit me shekuj, jemi kombi i vetëm në Evropë e ndoshta edhe në botë që asnjëherë nuk kemi pas luftë ndërfetare me njëri-tjetrin. Kjo është për t’u mburrur!

Gjatë historisë gjejmë se shqiptarët e krishterë kanë ndihmuar shqiptarë muslimanë në ndërtimin e xhamive apo edhe e kundërta. Shembujt e prijësve fetarë dhe kombëtarë si At Gjergj Fishta me Lahutën e Malësisë, apo Haxhi Ymer Prizreni e Haxhi Vehbi Dibra apo At Fan Noli, Mulla Idriz Gjilani etj.

U bëj apel shqiptarëve t’i njohin kombëtarët e tyre të vërtetë, hoxhallarët dhe priftërinjtë që ishin shumë të përkushtuar si fetarë por po aq të përkushtuar edhe për kombin dhe popullin e tyre. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit