3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A ishte lëvizja e Shqipërisë së Mesme më 1914 një lëvizje panislamiste?!

Më të lexuarat

Pavarësisht çfarë është shkruar e çfarë është thënë, përgjigjen na e jep një mendje e ndritur e kombit shqiptar, një aktor i rëndësishëm i kohës dhe një atdhetar i madh, Mid’hat Frashëri (Lumo Skëndo):

“…Opinioni dhe përshtypja e përgjithshme kanë qenë se shqiptarët myslimanë ishin revoltuar kundër një mbreti të krishterë dhe se kudo në Shqipëri kishte një revoltë që rridhte nga fanatizmi fetar. Dhe kështu, komentet dhe gjuhët e këqia marrin rrugë.

Në fakt, revolta kishte shpërthyer në Shqipërinë e Mesme, në rrethinat e Durrësit dhe, më saktë, në krahinën e Shijakut, Tiranës, Krujës, Kavajës dhe Peqinit.

Nuk bëhej fjalë, pra, aspak për një revoltë të përgjithshme për të gjithë Shqipërinë; ishte një lëvizje lokale në fillim dhe aspak e diktuar nga ndjenjat e fanatizmit fetar. Motivet e kësaj lëvizjeje u bënë më të shumta dhe më komplekse seç mendohej.”

Më tej Frashëri thotë se për të kuptuar origjinën e ngjarjeve të atij viti, duhet parë konteksti i Shqipërisë së kohës, rrethanat historike si edhe situatës së brendshme dhe të jashtme.

“Ishte një Shqipëri e pakësuar në 2/3 e territorit të saj dhe akoma duhej pasur parasysh humori i keq i grekëve, serbëve dhe i Fuqive të Mëdha, të cilat i mbronin ata dhe i inkurajonin.”

“Ky humor i keq, – vijon më tej ai, – u shfaq në një mënyrë shumë të përgjaktë: serbët hakmerreshin ndaj 30 fshatrave midis Elbasanit dhe Dibrës dhe grekët ushtronin tërbimin e tyre në më tepër se 300 fshatra të jugut të Shqipërisë; krahinat…. të Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës, Kurveleshit, Përmetit, Skraparit, Kolonjës, Leskovikut, ishin kthyer në shkretëtirë dhe në pjesë të shkatërruara.”

Qeveria e Vidit u tregua e pafuqishme ndaj kësaj situate të re të krijuar në të gjithë territorin e vendit.

Mid’hat Frashëri thotë, gjithashtu, se në këtë situatë “duhet shtuar mungesa e aksesit midis Fuqive të Mëdha, përfaqësuesit e të cilave formonin Komisionin e famshëm ndërkombëtar të Kontrollit në Shqipëri: antagonizmi ndërmjet këtyre përfaqësuesve ishte mëse i dukshëm dhe rivaliteti i tyre ushtrohej në kurriz të Shqipërisë.”

Ky është konteksti në të cilin ndodhej Shqipëria kur shpërthyen turbullirat në rrethinat e Durrësit.

(Teksti i Mid’hat Frashërit është marrë nga një dorëshkrim frëngjisht i autorit, botuar tek “Elita Shqiptare, një studim mbi veprimtarinë kryesore të Mid’hat Frashërit (Lumo Skëndo) dhe pjesë të zgjedhura nga vepra e tij”, përgatitur nga Uran Butka, Plejad, Tiranë 2008, fq. 141-143).

Përgatiti: Namir Lapardhaja – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit