0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

SHAMIA NË KOSOVË, NJË DEBAT TEORIK

Më të lexuarat

Disa vite më parë, u gjenda në Prishtinë në kohën kur një debat i ashpër ishte ndezur gjithkund. Dy vajza të mitura në një katund kishin shkuar në shkollë me veshje islamike, d.m.th. me shami që u mbulonte flokët. Drejtori i shkollës refuzoi t’i pranonte në mësim. Çështja u bë debat kombëtar, kur ministri i Arsimit i kohës nxori një rregullore ku ndalonte vajzat me shami të frekuentonin shkollat publike. Kjo rregullore në fakt ndalonte vetëm dy vajza të shkonin në shkollë. Disa mijëra myslimanë praktikantë dolën në protestë. Një parti e islamit politik u shfaq në skenë.

Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte irritimi i skajshëm i shokëve të mi nga Prishtina, prej faktit se disa njerëz dalin me veshje islamike. Irritimi ishte në përmasa të tilla sa m’u duk se edhe po të kthehej serbi në Prishtinë, vështirë se do të reagohej aq keq. Në thelb, bëhej fjalë për dy vajza në një fshat të Kosovës, nga qindra mijë vajza dhe djem që shkojnë në shkollë.

Kohët e fundit, debati është rikthyer. Një komision pranë Kryeministrit është ngarkuar të “hetojë” çështjen dhe të raportojë një zgjidhje. Nuk ka të dhëna nëse në shkollat e Kosovës prania e vajzave me shami apo ferexhe ekziston. Megjithatë debati është sërish apokaliptik. Po të dëgjosh kundërshtarët e shamisë, duket sikur me t’u lejuar vajtja në shkolla me veshje, Kosova do të bëhet një vend i Lindjes së Mesme, ku kontrolli i jetës seksuale të njerëzve është asgjë tjetër veçse mjet i përdorur nga diktaturat e këtyre vendeve për të ruajtur pushtetin.

Shqipëria është përballur më herët me një problem të tillë. Do një dekadë të shkuar një vajzë shkoi në gjimnaz në Tiranë me shami. Drejtori e refuzoi, u bë kërkesë në qeveri, tek Avokati i Popullit etj., dhe u konkludua se kjo veshje ishte e ligjshme dhe kushtetuese në vendin tonë. Nja gjashtë vjet të shkuara, në Durrës u ndalua një mysliman me mjekër të shkonte në universitet. Edhe ai rast u zgjidh me lejim. Që nga ajo kohë, gjakrat janë qetësuar dhe frika e “islamizimit”, “orientializimit” e mania të tjera janë pakësuar.

Në Kosovë, në rast se lejohet që në shkollat publike të shkojnë vajza me shami, asgjë apokaliptike nuk ka për të ngjarë. Por debati është një zile alarmi për mënyrën se si Kosova, por edhe Shqipëria, trajton minorancat e veta.

Trajtimi i gjerë mediatik i vajzave me shami nuk është asgjë tjetër veçse islamofobi. Një mospëlqim i skajshëm i një grupi shoqëror për shkak se jeta e tyre na bën të mos jemi ata që dëshirojmë të jemi, një komb i fuqishëm “europian”.

Them që është islamofobi, sepse në Shqipëri, p.sh., ka raste kur vajzat murgesha katolike shkojnë në Universitetin e Tiranës, por shamia që mbajnë murgeshat nuk bën shqetësim për askënd, as nuk tërheq vëmendjen e medias. Dhe pikërisht kështu duhet të jetë.

Shteti laik është argumenti që nxjerrin kundërshtarët e lejimit të shamisë islamike në shkollat e Kosovës. Liria e ushtrimit të fesë është argumenti i palës tjetër.

Kundërshtarët nuk japin ndonjë përgjigje se çfarë ofrojnë si alternativë për këtë grup shoqëror. Përzënien nga Kosova ndoshta? Apo izolimin dhe segregimin e tyre nga jeta publike, pra nga shkollat, administrata publike etj. Shamitë e grave myslimane janë sakaq të stigmatizuara nga shoqëria si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Ato janë de facto të përjashtuara nga vendet e punës në administratën publike, që në Shqipëri përbëjnë një të tretën e të gjitha vendeve të punës e në Kosovë afërsisht po kaq. Stigmatizimi juridik nuk është asgjë tjetër veçse ndalim i lirisë së fesë. Liritë e njeriut janë universale. Kur vjen puna për të folur për të drejtat e minorancave etnike apo kulturore, romëve, bashkësisë LGBT apo myslimanëve praktikantë, nuk mund të zgjedhësh se cilat nga këto të drejta janë “europiane” e të dëshirueshme dhe cilat janë “lindore” e të padëshirueshme.

Diktatura shpesh nuk është sundimi i shumicës nga pakica, por është edhe diskriminimi i pakicës nga shumica. E kundërta, demokracia është jo thjesht qeverisja përfaqësuese e shumicës, por para së gjithash, mbrojtja dhe garancitë për pakicën.

Kundërshtarët thonë se debati për shaminë po sajohet nga islami politik në Kosovë. Por vetë ekzistenca e këtij problemi u shkaktua nga laicizmi militantesk dhe politik i ministrit të Arsimit të Kosovës që disa vite më parë, e gjeti të arsyeshme të shkaktonte këtë debat të gjerë dhe gjaknxehtë publik, për shkak se dy nga qindra mijë vajza, shkuan në shkollë me shami. Islami politik, i cili është një realitet i hapur në Kosovë dhe i fshehtë në Shqipëri, siç është edhe katolicizmi politik, po përdoret si një argument për mosdiskutimin e problemit. Njësoj siç ndodhi edhe vitin e kaluar në Shqipëri, kur homofobia u hodh poshtë me argumentin se disa shoqata dhe disa individë nga ky komunitet fitojnë para ndërkombëtarësh duke bërë aktivizim publik dhe politik, apo të debatit për të drejtat e romëve, këtë muaj u hodh poshtë po me të njëjtën bazë.

Shqipëria dhe Kosova janë këto që janë. Vende të varfra. Këtu ka minoranca etnike, ka romë, myslimanë me mjekra dhe myslimane me shami, ka homoseksualë, lezbike, transgjinorë… ka budallenj, intelektualë, gjysmëintelektualë, katundarë e qytetarë. Duhet të mësohesh të bashkëjetosh me të gjithë këta. Rrugë tjetër nuk ka./GSH

GJERGJ EREBARA

*Qëndrimet e paraqitura janë reflektime personale të autorit dhe jo domosdoshmërisht të njëjtat janë edhe të redaksisë kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit