14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Nga Zahir JANMOHAMED*: Departamenti amerikan i Shtetit drejtohet si ndërmarrje biznesi

Më të lexuarat

Për një njeri në prag të humbjes së punës dhe të fajësuar për gërryerjen e fuqisë së diplomacisë amerikane, sekretari amerikan i Shtetit,  Rex Tillerson ka ende humorin për të bërë shaka.

Gjatë një fjalimi të fundit në Uashington, D.C përpara turit aziatik, Tillerson u uroi të gjithëve “Gëzuar Divalin”, një festival hindu që shpesh shënohet me fishekzjarre, dhe më pas e plotësoi: “Nuk kam nevojë për fishekzjarre. Kam shumë të tilla që shpërthejnë rreth meje, që tani”.

Të gjithë qeshën, përfshirë edhe vetë Tillersonin, dhe për një arsye të mirë. Eshtë mjaft e lehtë të gjesh anë humoristike në parashtrimin e Tillerson. Ai është akuzuar se e ka quajtur presidentin Trump “hajvan” – diçka që nuk e ka mohuar. Kreu republikan i  komitetit të jashtëm të Senatit, Bob Corker, e ka akuzuar Trump se e ka “tredhur” Tillersonin, një akuzë që nxiti menjëherë sekretarin e Shtetit të deklarojë në televizionin kombëtar: “Kontrollova. Jam tërësisht në rregull”. Për ata që mbajnë shënime, ai është i emëruari i dytë i Trump që i është referuar anatomisë mashkullore për të mbrojtur rolin e tij në qeveri.

Sidoqoftë, mjaft të zhveshim spektaklin e mbajtjes së shkurtër të detyrës nga ana e Tillerson dhe del një panoramë e një administrate Trump që po zgërlaq Departamentin e Shtetit, duke vënë në sfidë edhe arsyen e ekzistencës së saj, duke lënë mënjanë ekspertët e politikës së jashtme në favor të drejtuesve ekzekutivë dhe duke ripërcaktuar qasjet diplomatike që do të duan vite të tëra të zhbëhen, edhe nëse Tillerson largohet.

Burime të afërta me Tillerson thonë se ai nuk do të mbijetojë në detyrë pas janarit 2018. Madje, nëse ai largohet më shpejt, dëmi është bërë. Në shtator, Tillerson njoftoi planet për të krasitur buxhetin e Departamentit të Shtetit me afërsisht 30 për qind dhe reduktimin e 1300 vendeve të punës nga shërbimi civil. Tillerson dëshironte të hiqte edhe më shumë pozicione por ai mësoi se nuk mund të pushonte punonjësit qeveritarë me kaq lehtësi.

Në vend të kësaj, ai vendosi të mbajë vakante disa pozicione, si p.sh i dërguari special për monitorimin dhe luftën anti-semitizmit – ashtu si edhe gjysmën e pozicioneve të kësaj kategorie. Pozicione të tjera që mbeten bosh: ambasadori amerikan në Korenë e Jugut – një gjë e çuditshme, duke qenë se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut mund të nisin luftën.

Sot, zyrat brenda Departamentit të Shtetit që shkruajnë raporte kritike për të drejtat e njeriut, liritë fetare, të drejtat e komuniteteve dhe krimet e luftës janë veçse hije të asaj që ishin dikur ose janë mbyllur fare, që do të thotë se avokatët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut që mbështeten tek këto byro do të kenë shumë vështirësi në mbrojtjen e komuniteteve vulnerabël.

Por, Trump nuk është vërtet i interesuar për Departamentin e Shtetit, nëse ai funksionon apo ia del mirë.

Ai dëshiron një Departament Shteti, kultura e të cilit është ripërcaktuar dhe fuqia e të cilit është zvogëluar kështu që ai të mund të krahasojë rëndësinë e vet – dhe të vajzës së tij, Ivanka e dhëndërrit Jared Kushner. Merrni për shembull, çështjen e kujtesës institucionale brenda komunitetit diplomatik amerikan.

Departamenti i Shtetit funksionon mbi trashëgiminë apo traditën – njerëzit që mbartin të shkuarën janë nga administrata të mëparshme të të dyja partive. Ata janë ende aty për të siguruar që politikat amerikane të kenë vijueshmëri. Sidoqoftë, ekipi Trump u tha diplomatëve të mos kenë kontakt me ekipin e Obamës. Kjo është sikur të blesh një dyqan mjetesh dhe të mbyllësh veshët kur pronari i mëparshëm përpiqet të të ofrojë këshilla për ta mbajtur të sigurtë vendin që ke në zotërim.

Eshtë e habitshme: Trump e ka mbushur kabinetin me njerëz që në shumë mënyra do t’u pëlqente t’i shihnin departamentet që drejtojnë të eleminohen. Tillerson nuk është ndryshe. Ai e ka pranur se madje, nuk e dëshironte detyrën dhe në intervista është ankuar sesa shumë  e përçmon Ushingtonin. Medlin Ollbrajt, ish-sekretare amerikane e Shtetit nën presidentin Bill Klinton, së fundmi tha se ajo që e shqetëson atë në lidhje me Tillerson është se ai duket se nuk merr kënaqësi nga puna e tij.

Rezultati është një departament Shteti në pikën e vet më të dobët në vite. Gjatë administratës së Xhorxh Bushit, Departamenti i Shtetit u anashkalua në favor të departamentit të Mbrojtjes, që drejtonte diplomacinë kur SHBA luftonin në Irak. Por, Bushi asnjëherë nuk e cënoi departamentin e Shtetit duke shkruar në Tuiter apo apo e mbajtur atë jashtë takimeve për politikën e jashtme, si raportohet të ketë bërë Trump me ekipin e Tillerson.

Pas së gjithash, Trump duket se vë në dyshim përse ai duhet të ketë nevojë për një aparat të kushtueshëm si departamenti i Shtetit, kur mund të dërgojë mendimet e veta drejt “Njeriut të vogël raketë” të Koresë së Veriut drejtpërdrejt nga Tuiteri.

Unë kam punuar për një projekt të Departamentit të Shtetit në fillim të viteve 2000 dhe ndërsa kishte tension në atë kohë midis departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë, kurrë nuk kam parë një rrëmujë si kjo që ka krijuar Trump.

Tillerson, kam përshtypjen se do të argumentojë se dështoi për shkak të Trump. Në disa anë, ai ka të drejtë.

Në disa intervista, Tillersonit i pëlqen të luajë rolin e njeriut të jashtëm, të dikujt që nuk e kupton vërtet Uashington, DC. Kjo mund të jetë e vërtetë. Ai nuk e kupton Uashington, DC. Po a është përpjekur ndonjëherë ta kuptojë? Dhe a ka dashur vërtet Trump ndonjëherë që sekretari i Shtetit ta bënte këtë përpjekje?

*Zahir Janmohamed është redaktori i lajmeve të revistës “Hyphen”. Ai ka punuar si ndihmës i lartë për politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan dhe drejtor avokacie për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit