Kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi sot, në mbledhjen e Qeverisë, se takimi i raundit të 15-të Kosovë-Serbi, i zhvilluar në 27 gusht në Bruksel, mes kryeministrave të dy vendeve të pavarura, u fokusua në përmbylljen e dy çështjeve jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të energjisë dhe telekomit.
“Mund të konfirmoj, se jemi shumë afër zgjidhjes së këtyre dy çështjeve, dhe kjo marrëveshje pritet të arrihet në takimin e ardhshëm. Marrëveshja do të jetë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.
“Kanë mbetur edhe disa detaje të sqarohen. Shpresoj dhe besoj se deri më datën 8 shtator do të mund të përmbyllim edhe këto dy çështje jashtëzakonisht të rëndësishme”, shtoi ai.
Kryeministri Thaçi vlerësoi edhe përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen në 3 nëntor në gjithë Kosovën. “Është jashtëzakonisht me rëndësi që të vazhdojmë me përkushtimet tona për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe me një pjesëmarrje sa më masive. Këto do të jenë zgjedhjet e para të lira, që do të organizohen në tërë territorin e Kosovës, ku do të marrin pjesë të gjitha komunitetet. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të respektojë në plotësi marrëveshjen e 19 prillit për organizimin e zgjedhjeve edhe në veri. Prandaj, do të çmohet çdo angazhim për pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve të vendit në këto zgjedhje, në veçanti edhe të komunitetit serb në veri”, tha kryeministri Thaçi.
Ai garantoi se Qeveria e Kosovës do t’a mbështesë plotësisht KQZ-në në vendimet që do të marrë në të ardhmen. “Zgjedhjet do të organizohen me dokumente zgjedhore dhe duhet të jenë në kuadër të Kushtetutës sonë, dhe të jenë atraktive për të gjithë. Të jenë atraktive dhe të pranueshme edhe për serbët në veri. Ndoshta nuk do të jenë shumë atraktive dhe të duartrokitura politikisht, por do të jenë të pranueshme për të gjithë. Të mendojmë të gjithë për rëndësinë historike të organizimit të zgjedhjeve në gjithë territorin dhe pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve”, u shpreh kryeministri kosovar Thaçi.
Qeveria e Kosovës miratoi ne mbledhjen e radhës vendimin për ndryshimin e vendimit për regjimin e hyrjes, qëndrimit, tranzitit dhe largimit të shtetasve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovës. Shtetasve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të Zonës Shengen, u lejohet hyrja, tranziti dhe qëndrimi deri në 90 ditë, si dhe largimi nga territori i Republikës së Kosovës me letërnjoftim biometrik.
Qeveria miratoi gjithashtu Strategjinë për bartjen dhe kalimin e kompetencave të EULEX-it në institucionet e Kosovës si dhe projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve, që lidhen me kompetencat e EULEX-it.kohaislame