Femra të reja të kombësive dhe nacionaliteteve të ndryshme, por edhe vendëse, përfundojnë në Kosovë si ushtruese të prostitucionit, përkatësisht si persona të trafikuar për t’u përdorur më pas për përfitime materiale. Ato punojnë nëpër lokale – bordele të shtrira në tërë Kosovën.
Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti Policia e Kosovës ka identifikuar 38 viktima të trafikimit. Sipas të dhënave zyrtare nga aksionet e Policisë së Kosovës janë arrestuar 112 persona, 70 nga të cilët për vepër penale Trafikim me qenie njerëzore. Ndërkaq, për mundësim prostitucioni policia e shtetit ka arrestuar 15 veta, për marrje me prostitucion 16 dhe 11 për vepra të tjera, thuhet në raportin e Policisë siguruar nga gazeta Zëri
“Janë identifikuar 38 viktima të trafikimit, prej tyre 32 nga Kosova, pesë nga Shqipëria si dhe një nga Serbia. Në këtë periudhë kohore (janar-qershor 2013) janë iniciuar 47 raste, nga të cilat 44 janë dorëzuar në Prokurori me kallëzim penal, ndërsa pjesa tjetër është nën hetime”. /Zëri/kohaislame