Asnjëherë më shumë se orët e fundit nuk janë rritur zërat që bien dakord se e ardhmja europiane për Greqinë duket tashmë më shumë si një utopi.
Komisioneri për Ekonominë, Olli Rehn mban shpresë së marrëveshja e ndihmës nuk ka dështuar dhe se së shpejti Athina do ketë qeveri koalicioni. Por nga Berlini mandatat janë akoma më të zeza, pasi edhe partnerët në koalicionin qeverisës të Angela Merkel janë shprehur pro daljes së Greqisë nga euro, për të krijuar më pas një plan Marshall e për ta bërë atë konkurente.
Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, ka deklaruar gjithashtu se e ardhmja europiane e Greqisë është e pasigurtë pasi partitë greke nuk po merren vesh.
Nga ana e saj agjencia e vlerësimt Fitch thotë se nëse Greqia braktis euron, do të merrte në qafë pothuajse gjithë eurozonën, me rrezik më të madh për Francën, Italinë, Spanjën, Qipron, Irlandën, Portugalinë Slloveninë dhe Belgjikën.
Britanikja “The Economist” në kopertinën e faqes së parë shfaq Greqinë si Akilin e plagosur për vdekje në thembër, të gjunjëzuar para kutisë me një fletë votimi në dorë, duke komentuar se dalja e Greqisë nga euro ndoshta është zgjidhje e mirë për ta bërë atë kompetitive, ndoshta do të shkaktojë një kaos të vërtetë.
Në vazhdën e skenareve të frikshëm “The Independent” përshkruan pesë hapat e Athinës drejt daljes nga euro duke filluar me krijimin e një qeverie që zhbën marrëveshjen e huasë, anulimin e kestit të qershorit prej 31 miliard euro nga Trojka, pamundësinë e pagesës së rrogave e pensioneve në gusht si dhe të detyrimeve të saj të radhës prej 3.7 miliard euro dhe kthimin menjëherë në muajin gusht dhrahminë e zhvlerësuar.
Fotografia më e errët në këtë ekspozitë për fundin europian të Athinës, vjen tek komenti i gjermanes “Der Spigel” që vendos tek skenarët më të këqij për vendin mundësinë e një grushti shteti në Greqi duke marrë parasysh faktin se vetëm në Athinë një ndër dy policë ka votuar për partinë neo-naziste “Chrisi Avgji” (Agimi i Artë)./tch/kohaislame