Kujdesi i Muhammedit (alejhi selam) ndaj të moshuarve dhe të vërfërve
I Dashuri ynë, Muhammedi a.s., diti t’i vlerësojë dhe t’i çmojë shumë lartë gjyshet dhe gjyshërit, nënat dhe baballarët, duke u dhënë të drejtën e respektit dhe nderimit. Ai shumë shpesh thoshte:“Nuk është prej nesh ai i cili nuk i respekton pleqtë.” Pra, nuk është si Muhammedi a.s., në besim (iman), në jetën e tij përkushtuar Allahut, respektivisht në jetën e tij me përvojë të pasur, të cilën nuk do të duhej aspak ta shpërfillnim.
Në një rast, gjersa Muhammedit a.s., përgatitej për një betejë, i vije një burë dhe i kërkoi leje që të merr pjesë edhe ai në luftë. Kur i Dërguari a.s., e pyeti: “A ke ndonjë prej prindërve gjallë? Po, i tha i djaloshi, të dy janë gjallë. Atëherë kthehu tek prindërit e tu, dhe bëju atyre mire.”
Gjithashtu, transmetohet se një ditë, teksa përgatiteshin muslimanët të bënin hixhret, i erdhi një djalë i ri Pejgamberit a.s., dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, dua të bëjë edhe unë hixhret, ndonëse prindërit i kam lënë duke qarë për mua. Në çka Muhammedi a.s. ia ktheu: “Kthehu tek prindërit e tu dhe qeshu atyre, ashtu siç i bëre të qajnë”.
Pejgamberi i Zotit nuk do që dikush të qajë, të mërzitet apo të jetë fatkeq. Përkundrazi, ai do që në secilën zemër njerëzore të mbjellë gëzim, dashuri dhe prehje, prandaj dhe e kthen të riun që të kujdeset për prindërit, pasi që e di fortë mirë se sa dhëmbin lotët e prindërve për fëmijët e tyre.
Kjo është një, kurse tjetra vetë kthimi i disa njerëzve nga lufta që të kujdesen për familjen apo për prindërit, dëshmon qartë se përpjekja apo lufta në Islam bëhet vetëm atëherë kur të kompletohet kujdesi dhe mbrojtja e familjes.
Është i çuditshëm fakti se si disa njerëz mund të luftojnë në emër të mbrojtjes së vlerave islame, ndërkohë që familjen e kanë të pa udhëzuar në mësimet dhe praktikën e fesë. Vetë fakti që Muhammedi a.s., ndërroi jetë në gjirin familjar, e që s’do mend se kjo është vetëm më kader të Allahut, flet për rëndësinë e madhe që ka kujdesi ndaj familjes, e sidomos ndaj prindërve të moshuar.
Nga ana tjetër, Muhammedi a.s., gjithmonë kujdesej që të mos shqetësonte zemra, respektivisht të mos ua ngushtonte shpirtin njerëzve. Sjellja e tij profetike ishte e tillë që gjithmonë reflektonte mëshirën dhe respektin ndaj botëve, e sidomos ndaj botës njerëzore.
Muhammedi a.s., përpos që fliste drejtë dhe me urtësi, ai orvatej, që me veprën e tij, të lë gjurmë pozitive dhe impresionuese tek bashkëbiseduesi, apo tek personi me të cilin kishte një marrëdhënie, qoftë ajo fetare, shoqërore, tregtare, apo e ndonjë natyre tjetër.
Njëherë i erdhi një njeri i varfër por që, në shenjë respekti dhe dashurie, i kishte sjellë një kalavesh rrushi. Për çudi, Pejgamberi a.s., e kishte ngrënë të gjithin, por pa u dhënë shokëve nga ndonjë kokërr rrushi. I varfëri duke e parë gjestin e të Dërguarit, ishte larguar nga mjedisi i tyre me shumë kënaqësi. Mirëpo, me që shokët e tij, as’habët e bekuar, Zoti qoftë i kënaqur me to, nuk ishin mësuar me një sjellë të tillë të të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s, ku nga mesi i tyre, njëri e pyeti: “O Pejgamberi i Allahut, e hëngre vetë rrushin dhe ne të pranishmëve nuk na ofrove gjë?”
Pejgmaberi a.s., buzëqeshi dhe tha: Rrushi ishte shumë i tharët. Sikur t’u ofroja juve, ju do ta kishin shprehur pakënaqësinë në fytyrën tuaj (do të ishit dukur qesharak), kështu që unë nuk doja që t’ia lëndoja ndjenjat njeriut të varfër. Prandaj, mendova me vete se është më mirë që t’i ha kokrrat e rrushit me gëzim e ta kënaq njeriun se sa ta lëndoja atë në ndjenja.”
Kjo sjellje e të dashurit tonë, Muhammedit a.s., me njerëzit e kategorive të ndryshme sociale, është vetëm një pikë uji në oqeanin e pafund të mëshirës, kujdesit dhe dashurisë së madhe që kishte, gjithmonë, ndaj Ummetit në veçanti dhe ndaj njerëzve në përgjithësi.
Selami qoftë për Muhammedin a.s., për familjen, për shokët dhe për të Ummetin e tij.