2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Deutsche Welle: A do të arrestohet Saimir Tahiri?

Më të lexuarat

Parlamenti i Shqipërisë vendos sot për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, deputetit socialist Saimir Tahiri. Ai dyshohet për përfshirje në një grup kriminal për trafikim lëndësh narkotive.

Nga Deutsche Welle

Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit në Parlamentin e Shqipërisë do të marrë sot në mesditë (20/10/2017) vendim lidhur me heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit, deputet socialist, ish-ministër i Brendshëm. Mbledhja e këtij komisioni i përgjigjet kërkesës që i adresoi Parlamentit dje (19/10/2017) Prokuroria e Krimeve të Rënda, “për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit për t’i hapur rrugën një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, përmes arrestimit të tij ose heqjes së lirisë dhe kontrollit të banesës”.

Ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti socialist Saimir Tahiri dyshohet për kryerjen e veprës penale të “trafikut të narkotikëve në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal që ka trafikuar sasira të mëdha të lëndës narkotike Cannabis Sativa nga Shqipëria në drejtim të Italisë”, thuhet në këtë njoftim. Prokuroria vë në dukje se “zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe bazuar në të dhënat e përftuara nga hetimet kërkon Parlamentit autorizimin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri.

Tahiri: Prokuroria nuk ka prova për arrestimin tim

Kërkesa e Prokurorisë erdhi pas goditjes në Itali, në fillim të kësaj jave, më 16 Tetor, të një grupi kriminal italo-shqiptar, të përfshirë në trafikun e Cannabis Sativa nga Shqipëria drejt Italisë. Pjesë e këtij grupi kanë qënë dy vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, i pari i arrestuar nga policia italiane, dhe tjetri i shpallur në kërkim në Itali. Të dy vëllezërit Habilaj janë kushërinj të largët me ish-ministrin e Brendshëm Tahiri. Në përgjimet e kryera nga pala italiane të bisedave telefonike të dy vëllezërve është përmendur emri “Saimir” që hetuesit italianë e identifikojnë me ish-ministrin e Brendshëm Tahiri. Në bisedën e përgjuar nga autoritetet italiane flitet për shuma disa miliona eurosh që personi me emrin Saimiri “kishte siguruar vetëm në një muaj”.

Deputeti socialist shpjegoi dy ditë më parë se Habilajt ishin kushërinj të tij “të gradës së dhjetë” dhe se kishin abuzuar duke përmendur emrin e tij, ndërsa tha se përveç rastit të shitjes së autoveturës së tij, ai nuk ka patur dhe nuk ka me ta “asnjë raport, aq më pak të paligjshëm”. Ish-ministri deklaroi se do të kërkonte nga Prokuroria një hetim të plotë ndaj tij dhe punës së tij dhe se beson tek e vërteta. Ai tha se do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Komisionit të Mandateve dhe Imunitetit, ku do të vendoset fati i tij.

I ftuar në programin televiziv” Opinion” në TV kombëtar “Klan”, Saimir Tahiri tha se “Prokuroria nuk ka prova për arrestimin e tij”. Ai la të kuptohet se Shqipëria mbetet vend i paradokseve në fushën e drejtësisë kur tha në këtë program se citoj “Ilir Meta bisedoi në telefon me pronarin e fabrikes së çmontimit të fishekëve 30 minuta para se të ndodhte ngjarja në Gërdec, por ai nuk u thirr kurrë nga Prokuroria të dëshmonte. Kjo është Shqipëria ku ai që numëron fletët e bllokut dhe 7 përëqindshat është sot President i vendit” tha mbrëmë Saimir Tahiri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit