-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Çavuşoğlu: Turqia nuk përulet përballë imponimeve

Më të lexuarat

“Turqia nuk përulet përballë imponimeve. Ne i refuzojmë që në fillim kushtet që nuk mund ti pranojmë. Ne jemi pro bashkëpunimit, por në Turqi ka një gjyqësor të pavarur”, tha Çavuşoğlu

ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu në lidhje me bisedimet që do të zhvillohen me delegacionin e SHBA-ve për çështjen e vizave është shprehur se “Sigurisht që do të bashkëpunojmë në rast se ajo që do të pranojmë ne do të jetë në përputhje me ligjet, kushtetutën dhe sovranitetin tonë. Por, Turqia nuk përulet përballë imponimeve. Ne i refuzojmë që në fillim kushtet që nuk mund ti pranojmë. Ne jemi pro bashkëpunimit, por në Turqi ka një gjyqësor të pavarur”, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu, në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi të zhvilluar në Ankara me Ministrin e Punëve të Jashtme të Portugalisë Augusto Santos Silva, tha se me homologun e tij kanë gjetur mundësinë të diskutojnë çështjet për marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Evropian (BE) dhe disa çështje të kohëve të fundit.

“Portugalia është një aleat shumë i rëndësishëm për ne. Në aksin euroatlantik marrëdhëniet tona politike janë të shkëlqyera. Ne po punojmë për të forcuar marrëdhëniet tona ekonomike”, tha Çavuşoğlu.

“Qeveria rajonale kurde e Irakut ka bërë përllogaritjet e gabuara”

Lidhur me delegacionin e ardhur nga SHBA-të për zhvillimin e bisedimeve në lidhje me krizën e vizave me Turqinë, Çavuşoğlu tha se delegacioni i SHBA-ve me një delegacion të përbërë nga Ministria e Jashtme, e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme turke po bën vlerësime për tejkalimin e krizës dhe hapat e bashkëpunimit të mëtejshëm kryesisht në disa çështje.

“Pavarësisht se ku mund të punojë personi, nëse ai kryen një krim për të cilin ka edhe prova atëherë për atë duhet të fillojë procesi ligjor pavarësisht profesionit që ka. Ndaj kësaj nuk mund të përzihemi as ne dhe as ndonjë vend tjetër”, tha Çavuşoğlu.

Sipas tij, çështja aktuale e vizave ka krijuar një krizë të panevojshme. Çavuşoğlu tha se civilët nuk duhet të ndëshkohen në këtë çështje sepse kjo nuk është e drejtë dhe nuk është në përputhje me diplomacinë.

“Edhe ne duhet t’i kundërpërgjigjeshim vendimit të marrë nga SHBA-ja, të cilën e kemi dhënë menjëherë. Këto çështje të panevojshme nuk duhet të jenë në rendin e ditës mes dy aleatëve”, theksoi Çavuşoğlu duke shtuar se këtë çështje mund ta tejkalojnë me një mirëkuptim të ndërsjellë.

Lidhur me situatën për Administratën rajonale kurde të Irakut, Çavuşoğlu tha se “Administrata rajonale kurde ka bërë përllogaritjet e gabuara dhe nuk ka dëgjuar rekomandimet tona. Ne e paralajmëruam se mund të kishte probleme me të cilat sot po përballet. Ata menduan se do të kishin më shumë përfitime, por nuk ndodhi kështu. Menduan se do të bashkonin kurdët, por ndodhi e kundërta dhe fatkeqësisht i ndau kurdët në Irak. Aktualisht ka një kaos të madh, ka një trazirë”.

Në vazhdim Çavuşoğlu tha se Kirkuku sipas Kushtetutës irakiane është i lidhur me qeverinë qendrore.

“Ata u përpoqën të krijonin një situatë ‘de facto’ këtu. Sipas mendjes së tyre, kanë emëruar guvernatorë, bëjnë referendume. Në thelb sipas kushtetutës, kjo është brenda kufijve të qeverisë qendrore. Sigurisht, është e natyrshme që të kemi legjitimitet këtu, por të gjithë njerëzit që jetojnë këtu duhet të jetojnë në paqe. Gjëja e rëndësishme është që të jetë e pranishme qetësia. Gjithmonë kemi thënë se ne mbështesim integritetin territorial të Irakut. Në hapat që kemi dhe do të ndërmarrim, janë dhe do të jenë kriter për ne kërkesat tona dhe hapat që ndërmerr vetë Iraku. Ne vazhdojmë kontaktet tona me Bagdadin”, tha Çavuşoğlu.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit