Redi Shehu
Siç po ndodh rëndom në këto kohët e fundit, rrjetet sociale po i japin formë realitetit tonë, jashtë çdo parashikimi. Në këtë “industri” të fabrikimit te realitetit nuk mjafton që të investohen kapriçiot rebele të miliona individëve që dixhitalisht hyjne “pa trokitur” në të përditshmen tonë, por tashmë janë mediat kryesore të cilat ushqehen nga festivali i egos i quajtur “Facebook”. Nga ky ushqim i përditshëm ndërtohet pjesa më e madhe e lajmeve të cilat në formë ciklike ushqejnë rrjetet sociale dhe kështu me radhë ata ushqejnë mediat duke ndërtuar qarkullimin e lajmit brënda të njëjtit bosht.
Mjafton që një nga anëtarët e armatës së të papërgjegjshmëve, të shkëpusë jashtë kontekstit një lajm, një koment a opinion, dhe ai (lajmi) ta shohë veten në krye të mediave kryesore në formatin “bold” i gatshëm për t’u besuar nga turma kokëulur ndaj pushtetit të smartfonëve. Por në fakt, një farë sensi invers i gjërave merr udhë. Në vend që njerëzit të ndikohen nga ngjarjet e më pas të nxjerrin përfundime prej tyre, janë njerëzit ata që janë në kërkim të ngjarjeve të paracaktuara në territorin psiqik të tyre. E në raste të tilla, nuk ka fare rëndësi ngjarja dhe domethënia kuptimore e saj, por mjafton që okazioni i radhës për të shfryrë mllefin e akumuluar ka ardhur, dhe gjëja transformohet në një “panik të vetorganizuar” që bëhet i paparashikueshëm në formën e një pandemie virtuale.
E tillë ishte edhe i ashtuquajturi “skandali i imamit” që zanafilloi nga rrjetet sociale ndërtuar mbi paramendimin dhe keqkuptimin i cili kishte kohë në kërkim të ngjarjes. Skandali dallonte nga skandalet e tjera që përndjekin këtë vend. Dallonte nga natyra dhe burimi i tij. Nëse skandalet e tjera politike, ekonomike e sociale janë tashmë ngjyra me të cilën ne njohim vetveten, ky skandali i imamit ishte i një përbërjeje dhe prejardhjeje tjetër. Një skandal ekzotik që vjen nga një botë si ajo fetare, plot mistere dhe paqartësi për individin autonom liberal që e ka parë religjionin si një masë të rrezikshme penguese drejt kapriçiove të tij. Imami apo “fetarët”, siç pëlqehet të quhet nga raca aliene e shoqërive postmoderne, kishte guxuar të fliste për një temë ekskluzivitet vetëm i “mainstream ideology”. Sepse “fetarët”, nuk kanë sipas tyre një mendim të vetin mbi shoqërinë dhe realitetin, madje “fetarët” janë shumë të çuditshëm, ata abstragojnë edhe për realitetin përtej jetës së njeriut. Prandaj çdo gjë normale që ata mund të thonë, është e ngarkuar më lëndë plasëse dhe lëndë toksike për rojtarët e “mainstream ideology”.
Natyra dhe burimi i kësaj qasjeje fetare të bërë nga prijës fetarë apo çdokush që shprehet në formë pak si konservatore, është sulmuar pa hezitim dhe në formë të menjëhershme duke u projektuar si rrezik për shoqërinë e sotme. Prandaj problemi nuk qëndron në atë çka “fetarët” thonë, por në atë çka mendohet se pse ata e thonë. Ata janë të paragjykuar për atë që ata mendojnë të thonë, ata bile nuk duhet të flasin fare sepse, që kur mendojnë janë të paragjykuar. Sa herë që të guxojnë të hapin gojën drejt audiencave të mëdha ata duhen kompleksuar, sulmuar, sepse në rrezik është një gjë shumë e madhe. Në rrezik është dominanca jonë. Për këtë na duhet konflikti. Punë na bën konflikti i cili zanafillon nga gjuha dhe mbaron në kërcitjen e çelësave të ndonje biruce, për të ruajtur rolin inferior të “fetarëve” që guxojnë të prishin hegjemoninë e “të asyeshmëve”.
E gjitha kjo zhvillohet në teatrin e hipermediatizuar i cili ka detyruar religjionet të adaptohen për media dhe media që “adaptohen” për religjione. Këta tip mediash të fundit, konceptohen si përmbledhje e kontrollit publik mbi simbolet dhe historinë e religjionit. Prandaj “predikimi dixhital” na bën punë. Na bën shumë punë. Prej tij mund të marrin çdo gjë që duam, mund të luajmë si të duam, të ngjisim e ta shkëpusim, ta zgjasim e ta fusim. Në epokën tonë, në epokën e dominimit të vizuales, ne mund ta vrasim fare lehtë trashendenten që sillet e “hutuar” rreth nesh, pikërisht në betejën për sekuencën e duhur në momentin e duhur, sepse religjionin e kemi ne formatin “tranzit”. Ai nuk është statik, ai gëzon mediatikisht vetinë e të qënurit i “ i ikshëm”, “i pakapshëm”, ndaj edhe çdo frazë mund të na bëjë punë sepse ajo qëndron ndërsa religjioni mediatikisht ikën.
Sot shoqëritë tona nuk janë thjesht një ndarje pragmatike mes shtetit dhe fesë. Sot “mainstream ideology” po imponon konceptet e veta për religjionin, etikën në përgjithësi dhe etikën politike në veçanti. Sot religjioni konsiderohet një “stad i tejkaluar” një “forcë irracionale” që duhet larguar nga hapësira publike. Ndaj sa herë “fetarët” shfaqen mediatikisht në formatin “tranzit”, përbëjnë një kërcënim qoftë edhe tranzit për rehatinë tonë.
Materialisht jemi më mirë, individualisht kemi më liri, por ama nuk shijojmë kuptimin e jetës si parardhësit tanë. Për këtë nuk kemi përgjigje. Ajo që dimë është se duhet të ndërtojmë njerëz që besojnë se nuk kanë histori, madje njerëz që besojnë se kanë vetëm një histori dhe këtë duhet ta bëjmë përmes “salvagente”-s të quajtur “liri e fjalës” për vetëm një palë, ani’ pse kjo e fundit është keqkuptuar se gëzon epërsi mbi të vërtetën, derisa të besojmë se e vërteta na qënka krijimi i lirisë e jo liria mjet për të shkuar te e vërteta.