“Ne po përpiqemi që të ofrojmë sigurinë e jetimëve në njërin prej këtyre rajoneve në Tagad dhe që të ofrojmë mbështetje materiale dhe shpirtërore”
HATAY (AA) – Fondacioni Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) në kuadër të “Sistemit të Sponsorizimit të Jetimëve” po mbështet 369 fëmijë të rajonit Tagad në Halep, raporton Anadolu Agency (AA).
Përgjegjësi për mediat i fondacionit humanitar IHH për Çështjet Siriane, Selim Tosun, në një deklaratë për AA-në tha se dhjetëra mijëra fëmijë në Siri ku po vazhdon lufta e brendshme janë të pambrojtur.
Duke bërë të ditur se për përmbushjen e nevojave të jetimëve në Siri dhe në Turqi kanë formuar “Sistemin e Sponsorizimit të Jetimëve”, Tosun thotë se “Me këtë sistem bamirësit çdo muaj në mënyrë të rregullt japin nga 100 lira turke (afro 25 euro) për çdo jetim. Kurse nevojat e banimit, ushqimit dhe të veshjeve po përmbushen nga fondi për jetimë i IHH-së”.
Tosun së fundi bëri të ditur se në sistem janë përfshirë edhe 369 jetimë nga rajoni Tagad, i cili ndodhet në zonën rurale të qytetit Halep, në Siri.
“Një numër i madh i fëmijëve në Siri, pas humbjes së anëtarëve të familjes po abuzohen më lehtë. Ne po ndërtojmë të ardhmen e tyre, duke i ndihmuar në mënyrë financiare. Halepi në një të kaluar të afërt ishte ballafaquar me një shkatërrim të madh. Disa fshatra të zonave rurale ende po i nënshtrohen sulmeve ajrore. Ne po përpiqemi që të ofrojmë sigurinë e jetimëve në njërin prej këtyre rajoneve në Tagad dhe që të ofrojmë mbështetje materiale dhe shpirtërore”.