Cila është mosha e përshtatshme për ta mësuar fëmijën të agjërojë?
Ibn Kudame tha: “… el-Awzai tha:’Nëse ai (fëmija) mund të agjërojë për tri ditë radhazi, pa ndërprerje dhe pa u dobësuar, ai duhet të ngarkohet me agjërimin e ramazanit’. El-Is’hak tha:’Unë e pëlqej që atij (fëmijës) t’i ngarkohet agjërimi kur të mbërrijë moshën dymbëdhjetë vjeçe, me qëllim që ai të mësohet me këtë’.
Mosha dhjete vjeçe konsiderohet si koha e duhur, sepse pejgamberi (ﻢﻠﺳ ﻭ ﻪﻴﻠﻋ ﷲﺍ ﻰﻠﺻ) urdhëroi të rrihen për mosfalje të namazit në këtë moshë, dhe të konsiderosh agjërimin sikurse namazin është më mirë, për shkak të afërsisë që kanë ndërmjet vete dhe ngaqë këto dy janë adhurime fizike dhe shtylla të Islamit. Mirëpo, nëse agjërimi për të është shumë i vështirë, duhet të kihet në konsideratë forca e tij, sepse disa mund të falin namazin, por s’mund të agjërojnë’”. (el-Mugnî 4/412)
Shejh ibn Uthejmin tha: “Fëmija nuk duhet të detyrohet të agjërojë, derisa të hyjë në pubertet, por duhet t’i thuhet (të agjërojë) kur mund të durojë, në mënyrë që të përshtatet e të mësohet, dhe t’i vijë më lehtë pasi të hyjë në pubertet. Sahabët (radi Allahu anhum), të cilët janë më të mirët e këtij umeti, i bënin fëmijët e tyre të agjëronin ndërsa ata ishin të vegjël”. (Mexhmua Fetawa Shejh ibn Uthejmin 29,28/19) Dhe u pyet ai (shejh Ibn Uthejmin): “Djali im i vogël insiston që ta agjërojë ramazanin, edhe pse agjërimi e dëmton atë dhe ai ka shëndet të dobët. A bën ta përdori ashpërsinë për ta bërë atë të prishë agjërimin?” Përgjigje: “Kur ai është i vogël, që hala s’ka mbërri pubertetin, nuk ka nevojë të agjërojë. Por, nëse ai ka mundësi ta agjërojë pa ndonjë problem, atij duhet t’i thuhet ta bëjë këtë. Sahabët (radi Allahu anhum) i bënin fëmijët e tyre të agjëronin, dhe, kur më të vegjlit prej tyre qanin, u jepnin lodra që t’ua hiqnin vëmendjen me lojë. Mirëpo, nëse vërtetohet se kjo e dëmton atë, ai duhet të pengohet nga agjërimi. Nëse Allahu (ﻰﻟﺎﻌﺗ ﻭ ﻪﻧﺎﺤﺒﺳ) na ndalon t’u japim të vegjëlve pasurinë e tyre nga frika e shpërdorimit të saj, atëherë është më parësore që ata të pengohen nga diçka që i dëmton fizikisht. Dhe pengimi bëhet jo në mënyrë të ashpër, sepse s’duhet vepruar kështu në bashkëveprim me fëmijët gjatë edukimit të tyre”. (Mexhmua Fetawa shejh ibn Uthejmin 19/83)
Dhe tha shejh Ibn Uthejmin:
“Allahu e ka bërë obligim agjërimin për çdo musliman që është i përgjegjshëm dhe rezident (jo udhëtar). Sa i përket fëmijëve që s’kanë mbërritur pubertetin, agjërimi nuk është obligim për ta, sepse pejgamberi (ﻢﻠﺳ ﻭ ﻪﻴﻠﻋ ﷲﺍ ﻰﻠﺻ) tha:’Penda është ngritur nga tre” dhe përmendi fëmijën, derisa ai të hyjë në pubertet. Mirëpo, është obligim për kujdestarin e fëmijës që ta urdhërojë atë për të agjëruar, kur fëmija të mund ta bëjë këtë, meqë kjo është nga disiplinimi dhe trajnimi për të zbatuar shtyllat e Islamit. Shohim disa persona t’i lënë fëmijët e tyre dhe nuk i urdhërojnë as për namaz e as për agjërim, dhe ky është gabim. Vërtet, ata do të pyeten rreth kësaj, kur të dalin para Allahut (ﻰﻟﺎﻌﺗ ﻭ ﻪﻧﺎﺤﺒﺳ). Ata thonë se nuk i bëjnë fëmijët e tyre të agjërojnë nga dhembshuria dhe mëshira që kanë ndaj tyre. Kurse, realiteti është se dhembshuri dhe mëshirë ndaj fëmijës është që personi ta përgatisë atë për cilësi e punë të mira, jo që personi të përmbahet nga të edukuarit dhe të disiplinuarit e tyre në mënyrë të dobishme”. (Mexhmu Fetawa Shejh Ibn Uthejmin 20,19/19)/mburoja