3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kaosi dhe kriza

Më të lexuarat

Ibrahim Berisha

Njeriu në shoqërinë e kaosit nuk e njeh veten. Ai i ikë pasqyrës. Pasqyra është tmerri i tij, mbasi njeriu në kaos dëshiron të jetojë vetëm mbi gënjeshtra dhe vetëkënaqësitë e përkohshme. Dhe kështu ditë pas dite, vit pas viti.

Përgjatë dy shekujve të fundit, intelektualët shqiptarë, veçmas intelektualët kritikë në vitet 1914-1944, kanë bërë shumë mund dhe shumë orvatje për të përcaktuar burimin thelbësor të kaosit shqiptar, një trung i përhershëm, potencialisht lulëzues dhe maksimalisht i degëzuar dhe i ndërlikuar. Ndërlikimi mbeti sistematik për shkak të errësirës, e cila nuk u fiksua si e mundshmja brengë për të parë veten realisht, i tillë siç je, me gjithë të mirat dhe të këqijat; me një projekt të kuptueshëm dhe praktik për të promovuar, përdorur dhe rritur të mirat, në njërën anë dhe në anën tjetër, për të luftuar, minimizuar, të këqijat. Ose pa u lodhur për t’i ikur të bërit sehir me të këqijat që së paku më herët, arsyetoheshin këndshëm me pafuqinë nga mësyshi, shikimi prej “syrit të keq”.

Shikimi përherë për të gjetur të keqen jashtë vetes dhe të mirën, jo rrallë të paqenë vetëm brenda vetes, edhe kjo, është parë si një nga burimet e forta të konstantës së kaosit shqiptar. Intelektuali demokrat Kost Çekrezi, që jetoi në SHBA dhe punoi shumë edhe për Kosovën, shkruan: “Shqiptarët e kan zakon – edhe ky asht nji faktor psikologjik- qe të mallkojnë Fuqitë e Mdhaja per intrigat dhe pabesitë e tyne, dhe të çthuren në sharje kundër fqinjëvet të tyre të “panginjur” dhe gjakpirës”, sepse këta janë munduar të çdukin racën arbnore me planet e tyre “satanike”. Po shqiptarët harrojnë se çdo komb e ka brenda në trupin e tij krymbin e lengimit dhe të vdirjes së vet. Prandaj, ndofta nuk u pëlqen të shkojnë në mendje faktin se ata vetë ose udhheqsat e tyre u japin shkak të huajve dhe fqinjëvet që të përfitojnë nga grindjet dhe mosmarrveshjet e një kombi të përçarë…”.

….

Kriza prodhon kaosin. Kaosi e shndërron pa dhimbje krizën në kulturë dominuese qytetare. Jo ligji, jo etika, por vetëm UNË! Këtu nis dhe nuk mbaron asnjëherë kaosi. Po, megjithëse kriza në përgjithësi shihet si një çrregullim dhe humbje, ose edhe kthesë e rendit ekzistues shoqëror, e cila është e përkohshme dhe ka një fillim dhe mbarim, në shumë kontekste, ajo më parë se një ngjarje në një moment të caktuar kohor, është përvojë vazhduese e përditshmërisë. Ajo bëhet kronike, pra shndërrohet parezistueshëm nga jonormalja në normale, në normë, jo në kuptimin e cilësisë, por të sasisë, pikërisht si e përshkruan antropologu Vigh. Prandaj, në shoqëritë e karakterizuara me dhunë, konflikti dhe varfëri, kriza dhe kaosi shoqëror bëhen normë e mishëruar këndshëm në jetën shoqërore. Në këtë mënyrë, njerëzit rutinizojnë pasigurinë dhe jonormalen në përditshmërinë e tyre. Megjithatë, kriza e vazhdueshme shoqërore rezulton në krizë individuale të njerëzve, të cilët për një kohë të gjatë e gjejnë veten në të, si pamundësi për të ndryshuar gjërat për të mirë, për të fituar balancë dhe siguri. Ata duan, por nuk kanë vizion as mundësi të dalin përtej ofertës që u jep kaosi i shndërruar në krizë sistematike e madje edhe atraktive.

Shoqëria e kaosit mbështetet mbi themele të lëkundshme. Ose nuk do fare të qëndrojë në themelet e veta, sa do të qarta dhe të mira të jenë. Nuk e do të mirën e vet sa e urren të keqen e tjetrit. Sytë i mban kah themelet e shoqërive tjera, qoftë për t’i admiruar qoftë për t’i mallkuar. Idetë nuk diskutohen dhe sistemi prodhon kacafytje që për të filluar marrin si shkak probleme sipërfaqësore. Por, ato nuk e aktualizojnë problemin për t’i dhënë zgjidhje, ato vetëm fokusohen tek verbalja si akt i shprehjes së revoltës “burrërore-historike”. Historia personale është sensacioni i historisë kolektive. Senzacioni është i madh ama sensacioni nuk zgjat, andaj sistemi prodhon probleme sipërfaqësor që sjell kacafytjen e radhës , qoftë ajo edhe fiktive. Problemi sipërfaqësor merr shumë energji dhe u jep armën e fortë mashtruesve, injorantëve dhe përfituesve, që të mos lejohet zbritja poshtë sipërfaqes mashtruese. Në këtë sipërfaqe krize dhe iluzioni, injoranti është më i dijshmi, hajni më i ndershmi, plagjiatori më akademiku, frikacaku më trimi, mashtruesi më punëtori, rrenci më patrioti.

Kështu, në qeniet e shoqërisë së kaosit etika dhe si fillestaret e humanes përherë mungon, ndërsa përditë vesi mundet nga virtyti, e mira mundet nga e keqja, e drejta nga e padrejta, dija nga injoranca, gënjeshtra nga e vërteta, merita nga favori, shpërblimi nga hajdutëria.

Shoqëria në krizë çdo mëngjes zgjohet me një errësim në sy, me një ushtimë në vesh që ia gërryen forcën e mendimit, ia shkurton shikimin, nuk e lë as të shohë, as të dëgjojë, as të flasë, as të kuptojë, as të komunikojë plagët e saj. Kaotikët agresivë janë të mobilizuar për të vazhduar me elanin e maratonistëve. Korrupsioni material është më i vogli në krahasim me të korruptuarit e mendjes dhe shpirtit. Shpirti i shoqërisë së kaosit është i korruptuar deri në eshtra, është mënyra e saj e të qenit UNË. Shoqëria në krizë nuk ka hierarki vlerore, nuk e njeh A-në për A dhe 1-shin për 1. Stuhitë janë të shpeshta dhe kur ato më në fund përfundojnë, duke e sjellë në pikëpyetje gjithë ekzistencën e saj, domethënë pasi qetësohen, instalojnë mbi sipërfaqe vlera të panjohura, për më tepër, të dyshimta. Papritur A-ja na bëhet Z, ndërsa Z-ja bëhet A; 1-shi bëhet 9, ndërsa 5 bëhet 18.

Shoqëria në krizë nuk njeh proces, ku ngjarjet rrjedhin nxitur nga shkaku, pra njëra pas tjetrës. Duke plotësuar secila të mëparshmen. Ku procesi ecën në një rrjedhë të pritur dhe të duhur. Por, shoqëria e krizës nuk njeh data; nuk njeh fillimin real të radios së parë shtetërore në gjuhën shqipe (Radio Prizreni, Nëntor 1941), nuk njeh datën e hapjes së bibliotekës së pare shtetërore (1941), të institutit të parë shkencor (Prizren, 1943), nuk njeh madje as kontinuitetin e Universitetit të Prishtinës (është në gjuhën serbe në Mitrovicë) dhe as të RTP-së, nuk njeh ngjarje politike dhe personalitetet kryesore patriotike dhe intelektuale (LNDSH), nuk njeh Asgjë. Nuk është shoqëri ku e shkuara njihet, ku e shkuara është e shkuar reale dhe frymëzuese. Por, është e kundërta: e shkuara e ndjekë shoqërinë e kaosit me thonj në shpatulla, në fytyrën e ftohtë, nëpër një rrugë që nuk njeh fund. E shkuara e mundon atë dhe shoqëria e kaosit as nuk i jep përgjigje, as nuk arrin ta injorojë, vetëm i duhet të qëndrojë me të, sikur me një re të zezë që as nuk lëshon shi, as nuk i hapë rrugë diellit. E ardhmja e shoqërisë së kaosit është e mbushur me të panjohura, pasi e shkuara nuk e lejon të jetësohet.

….

Njeriu në shoqërinë e kaosit nuk e njeh veten. Ai i ikë pasqyrës, pasqyra është tmerri i tij mbasi njeriu në kaos dëshiron të jetojë vetëm mbi gënjeshtra dhe vetëkënaqësitë e përkohshme. Dhe kështu ditë pas dite, vit pas viti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit