“Kriminelët duhet të largohen nga detyra dhe të gjykohen. Shtetet që sigurojnë armë për ushtrinë e Mianmarit duhet t’i pezullojnë shitjet e armëve”, tha Haley
NEW YORK (AA) – Përfaqësuesja e Përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Nikki Haley, ka theksuar se ushtria e Mianmarit është duke kryer “spastrim etnik” ndaj muslimanëve të Arakanit dhe u bëri thirrje shteteve që i shesin armë ushtrisë së Mianmarit që të pezullojnë shitjen e armëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Me kërkesë të shtatë shteteve, Këshilli i Sigurimit (KS) i OKB-së është mbledhur në një seancë të hapur për të diskutuar lidhur me dhunën ndaj muslimanëve të Arakanit në Mianmar.
“Në këtë këshill që moti thuhen fjalë diplomatike me qëllim të mirë, por tanimë koha ka kaluar. Ne duhet të mobilizohemi kundër atyre që bëjnë krime në ushtrinë e Mianmarit, kundër atyre që nxisin urrjetje. Kriminelët duhet të largohen nga detyra dhe të gjykohen. Shtetet që sigurojnë armë për ushtrinë e Mianmarit duhet t’i pezullojnë shitjet e armëve”, tha Haley.
Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Përhershëm i Francës në OKB, François Delattre, kërkoi nga qeveria e Mianmarit t’u jepet fund operacioneve ushtarake dhe dhunës dhe të lejojë hyrjen e lirë të ndihmave humanitare në rajon.
Ai rikujtoi se në muajin tetor do të marrin përsipër presidencën e KS-OKB-së dhe se gjatë kësaj periudhë do të vazhdojnë edhe më tej ta mbajnë në rend dite këtë temë.
Delattre u shpreh se lidhur me këtë do të mbajnë një mbledhje të veçantë, në të cilën brifing do të japë edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe Kryetari i Komisionit Këshillimor për Arakanin, Kofi Annan.
Ndërkohë, Përfaqësuesi i Përhershëm rus në OKB, Vassily Nebenzia, në fjalën e tij kërkoi qasje objektive ndaj ngjarjeve në Arakan, duke thënë se shprehjet “gjenocid dhe spastrim etnik” duhet të përdoren me kujdes më të madh.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Kinës, Wu Haitao, nga ana tjetër, pohoi se qeveria e Mianmarit është duke u përpjekur të zgjidhë problemin dhe incidentet kanë filluar të qetësohen, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të ketë durim dhe mirëkuptim.
Folësve u parapriu fjalimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili tha se gjendja në Arakan “është shndërruar në krizë refugjatësh, krizë humanitare dhe makth i shkeljeve të të drejtave të njeriut”.
Ai kërkoi nga qeveria e Mianmarit t’i japë urgjentisht fund dhunës dhe të mundësojë kthimin e sigurtë të refugjatëve të Arakanit.