0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Reportazhi i FAZ: Në Shqipëri Benz është si Volkswagen. Si dreqin ndodh kjo?!

Më të lexuarat

Një nga gazetat më të mëdha në gjermani dhe Europë “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka përgatitur dhe botuar një foto-reportazh të gjatë nëpër rrugët e Shqipërisë, ku dominojnë makinat Mercedes Benz.

Autori i shkrimit David Klaubert, ka mbërritur në vendin tonë me synimin e vetëm për të zbuluar se ku buron kjo dashuri e çmendur e shqiptarëve për makinën Mercedes dhe për mjaft gjëra të tjera “Made in Germania”. Përhapja kaq masive e kësaj makine të shtrenjtë në një vend si yni, e ka habitur gazetarin gjerman.

“Mënyra se si e ngasin makinën në Shqipëri është ashtu siç e kisha imagjinuar: Fast and furious, shpejt dhe egërsisht. Gjëja e dytë që të bie në sy është dashuria e shqiptarëve për Gjermaninë. Shenjat e kësaj dashurie bien në sy kudo në Tiranë: Hotel Jurgeni, firma “Deutschcolor”, Mobilje Gjermane, lokal “St. Pauli”. Madje një polic më tregon në celular foton e të bijës gjatë botërorit, e veshur me ngjyrat e flamurit gjerman.

Gjëja e tretë që të bie në sy është dashuria për yllin me tre cepa. Mercedes-at janë kudo në rrugë, që nga fugonat e deri tek makinat e varrimit. Kaq shumë njerëz që fitojnë në Shqipëri dhe që duan të bien në sy nuk mund të ketë. Por këtu Benz-i është si Volkswagen. Si dreqin ndodh kjo?! Në fillim të viteve ’90, pas rënies së komunizmit, makinat nisën të vijnë lirisht në vend. Fillimisht markat europiane si Fiat, Peugeot, Opel, por ato nuk u rezistonin shumë rrugëve me gropa në Shqipëri. Të vetmet që mbijetonin në rrugë ishin makinat Mercedes-Benz”, shkruhet në reportazh.

Sipas autorit të shkrimit, ndarja e tregut të makinave në Shqipëri është e tillë, ku mbi 70 përqindje të tij e zotëron makina Mercedes. Theksohet se vitet e fundit kanë nisur të hyjnë ndjeshëm në treg marka të tjera makinash, por pavarësisht kësaj, dashuria për makinat Mercedes vazhdon e fortë. Kjo ndodh thotë autori, se edhe një mekanik fshati e njeh me detaje këtë makinë dhe pjesët e këmbimit vazhdojnë të jenë më të lira, se ato të markave të tjera.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit