Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të aktivizojnë Këshillin e Sigurimit në mënyrë që të ndërmarrin aksione të forta kundër qeverisë së Myanmar-it për të ndalur genocidin ndaj popullatës myslimane.
Siç bën të ditur Al Jazeera, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se kërkon zyrtarisht që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të ndërmarrë një aksion të prerë dhe të shpejtë për t’i dhënë fund dhunës ndaj popullsisë Rohingya.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Zv/Presidenti amerikan, Mike Pence u shpreh me termat më të forta që kanë folur deri tani zyrtarët amerikanë, duke dënuar “eksodin historik” të popullatës Rohingya nga Birmania për në Bangladesh pas një vale dhune.
Pence tha se “bota po sheh një tragjedi të madhe që shpaloset në këtë vend të Azisë Juglindore”.
Kohët e fundit forcat birmaneze të sigurisë iu përgjigjën sulmeve të disa grupeve të armatosura me një egërsi të tmerrshme, duke djegur fshatra, duke dëbuar rohingat nga shtëpitë e tyre.
Pamjet e dhunës dhe viktimave të saj kanë tronditur amerikanët dhe popujt në mbarë botën”.
Gjatë muajit të fundit mbi 400 mijë muslimanë të grupit etnik Rohingya janë larguar nga Myanmar-i, ku kanë qenë viktima të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe diskriminimit.
Zv.presidenti amerikan vuri në dukje se dhjetëra mijëra prej atyre që largohen më këmbë janë fëmijë.
“Shpresojmë që të jetë e sinqertë deklarata e Aung San Suu Kyi se refugjatët që kthehen nuk kanë përse të kenë frikë, Shtetet e Bashkuara përsërisin thirret e tyre për ndaljen e menjëhershme të dhunës dhe mbështetjen e përpjekjeve diplomatike për të gjetur një zgjidhje afat-gjatë,” tha Zv/Presidenti Pence. /tesheshi.com/