Gjykimi i anëtares së organizatës famëkeqe NSU ka vazhduar sot në Gjykatën e Lartë në Mynih, kurse prokurori shtetëror Herbert Diemer kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarën Zschap
BERLIN (AA) – Prokuroria Federale e Gjermanisë ka kërkuar burgim të përjetshëm për Beate Zschape, anëtaren e organizatës terroriste neo-naziste NSU, e cila akuzohet për vrasjen e dhjetë personave, përfshirë tetë turq, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykimi i anëtares së organizatës famëkeqe NSU ka vazhduar sot në Gjykatën e Lartë krahinore në Mynih, kurse prokurori shtetëror Herbert Diemer ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarën e parë Zschape.
Prokuroria argumenton se burgimi i përjetshëm duhet të shqiptohet për çdo vrasje veç e veç.
Në vazhdim është paraqitja e dëshmive, kurse në fazën tjetër, mbrojtja do të paraqesë argumentet e saj. Vendimi i shkallës së parë pritet pas disa muajsh.
Anëtarët e grupit NSU akuzohen për një seri krimesh të kryera midis viteve 2000 dhe 2007, duke përfshirë vrasjen e dhjetë personave, prej të cilëve tetë turq, si dhe për kryerjen e dy sulmeve me bomba dhe grabitjen e 15 bankave.
Gjykimi në Mynih filloi në maj të vitit 2013, kurse e akuzuara e parë Zschape i vuri zjarrin shtëpisë të cilën grupi e përdorte si seli të celulës terroriste dhe më pas iu dorëzua policisë. Përveç Zschape, aktakuzë është ngritur edhe kundër katër të tjerëve që kanë ndihmuar anëtarët e NSU-së.
Lidhja e NSU me krimet u zbulua në fund të vitit 2011 kur dy nga anëtarët e saj Uwe Bohnhard dhe Uwe Mundlos u plagosën gjatë një grabitje të bankës dhe u gjetën të vdekur.