Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur sot në një takim ministrin e Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltan Saeed Al Mansoori, me të cilin është dakorduar që të ketë një bashkëpunim në fushën e turizmit dhe krijimin e zonës së lirë ekonomike në komunën e Gjakovës, aty ku sot gjendet aeroporti ushtarak. Zëvendëskryeministri Pacolli insiston në këtë projekt, duke thënë se kjo mundësi nuk duhet të lëshohet, pasi që i sjell përfitime të mëdha Kosovës.
Pas takimit në një konferencë për media ministri ekonomisë nga shteti i Emirateve ka thënë se shteti i tij ka një rol të fuqishëm ekonomik, duke shtuar se ato praktikat të cilat i kanë sjellë të arritura dëshiron t’ia ofrojë edhe Kosovës.
Al Mansoori ka theksuar se ka një dakordim për disa çështje, por, sipas tij, duhet që edhe pala kosovare të ofrojë projektet në fushat e caktuara.
“Ne u dakorduam me zëvendëskryeministrin që në disa fusha të caktuara të fillojmë bashkëpunimin, në fushën e turizmit, të zonës së lirë që u përmend nga zëvendëskryeministri, aeroporti. Ne si Emirate konsiderohemi si vendi më i fuqishëm në botë për investime por ajo që është e rëndësishme që edhe pala kosovare duhet të ofroj projekte në fusha të caktuara”, ka theksuar Al Mansoori.
Për më tepër, ai ka thënë se këto raporte në të ardhmen të ndërtohen përmes shkëmbimeve tregtare dhe vizitave të zyrtarëve mes dy vendeve. Një çështje tjetër që ka pasur dakordim mes të dyve ka qenë edhe tregtia, por Al Mansoori ka theksuar që deri në vitin e ardhshëm duhet të shihen edhe çështjet praktike në bisedimet që janë zhvilluar.
Ndërkohë zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli ka thënë se ai është një përkrahës i madhe i një zone të lirë ekonomike. Për këtë qëllim ai e sheh si shumë të nevojshme krijimin e një zone të tillë ekonomike edhe në komunën e Gjakovës, në aeroportin ushtarak të kësaj komune.
“Unë e kam parë si ngritët ekonomia dhe ideja për të krijuar një zonë të lirë ekonomike në Gjakovë nuk është e re. Unë për këtë ide flas që pesë vite e këndej dhe tani është momenti kur ne kemi një gjysmë marrëveshje, pothuajse një marrëveshje me miqtë tanë italian të cilët gjatë këtij viti do të bëjnë dorëzimin e aeroportit dhe këtë moment ne nuk duhet të lëshojmë. Aty rreth aeroportit do të krijohet një zonë e lirë ekonomike, ku do të hynë çdo gjë pa asnjë taks, asnjë TVSH, do të përpunohet dhe ajo që mbetet në Kosovë normalisht nuk paguhet TVSH-ja, ajo që eksportohet nuk është objekti i TVSH-së as i doganave”, është shprehur Pacolli. Sipas tij, prodhuesit evropian që instalojnë prodhimtarit e tyre do të shfrytëzojnë fuqinë punëtore dhe profesionale të Kosovës. Zëvendëskryeministri Pacolli nuk ka mundur të jap një shumë se sa do të jenë investimet nga jashtë në zonë të lirë ekonomike, por ka thënë se janë miliona.
Ministri Al Mansoori ka takuar edhe zëvendëskryeministren dhe njëherë ministren për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
Ndryshe, ministri i Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arbe, Sulltan Saeed Al Mansoori ka zhvilluar takime në Kosovë edhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar të sektorit të ekonomisë./koha/kohaislame