Zyrtari i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Shahidul Haque, ka konfirmuar se kanë informuar Qeverinë e Mianmarit lidhur me çështjen në fjalë
ANKARA (AA) – Qeveria e Bangladeshit pohon se autoritetet e Mianmarit kanë vendosur mina përgjatë kufirit mes dy vendeve me qëllim që muslimanët, të cilët nga Arakani arratisen në Bangladesh, të mos mund të kthehen prapa, raporton Anadolu Agency (AA).
Qeveria e Bangladeshit me këtë rast ka kërkuar në bisedë ambasadorin e Mianmarit në Dhaka, për t’i shprehur mospëlqim për shkak të vendosjes së minave në kufirin e dy vendeve.
Zyrtari i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Shahidul Haque, ka konfirmuar se kanë informuar Qeverinë e Mianmarit lidhur me çështjen në fjalë.
Reporteri i BBC-së, Sanjoy Majumder, deklaroi se këtë javë së paku tre persona janë plagosur si pasojë e shpërthimit të minës.
Nga ana tjetër, forcat e sigurisë së Mianmarit kanë qëlluar me armë ndaj muslimanëve Arakanë të cilët tentonin të kalojnë kufirin me Bangladeshin.
Nën arsyetimin e luftës kundër grupeve militante, ushtria e Mianmarit gjatë ditëve të fundit ka shkatërruar së paku 60 fshatra muslimane, prej të cilave dhjetëra mijëra banorë u detyruan të ikin drejt Bangladeshit.
Sipas raportimeve të fundit të OKB-së, në Bangladesh deri tani kanë hyrë 123.000 muslimanë nga Arakani, ndërsa dhjetëra mijëra presin në vendkalimin kufitar.
Për shkak se në rajonin e krizës nuk ka përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, është e pamundur të flitet saktë për bilancin e viktimave dhe dëmeve gjatë sulmeve ndaj vendbanimeve muslimane. Organizatat joqeveritare lokale lajmërojnë se bëhet fjalë për mijëra persona të vrarë.