-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Habib Rahman: Ndaj muslimanëve të Arakanit është kryer “gjenocid i heshtur”

Më të lexuarat

Shkrimtari nga Arakani, Habib Rahman, thotë se në Arakan po ndodh një “gjenocid i heshtur” dhe se në rajon ndodhen 42 kampe të përqendrimit

PARIS (AA) – Njëri nga shkrimtarët e librit “Ne të papërshkrueshmit, Një Tabu e Mianmarit”, nga Arakani, Habib Rahman, thotë se në Arakan po ndodh një “gjenocid i heshtur” dhe se në rajon ndodhen 42 kampe të përqendrimit ndërsa askush nuk po lejohet t’i shohë ato.

Rahman në një deklaratë për gazetarin e Anadolu Agency (AA) foli lidhur me masakrat dhe zhvillimet e fundit në Mianmar.

Ai tha se incidentet, masakrat ndaj muslimanëve në Arakan kanë filluar me armatosjen e budistëve në rajon nga forcat qeveritare. Rahman thotë se sulmet kundër muslimanëve në rajonet Rathedaung, Maungdaw dhe Buithdaung ende po vazhdojnë.

Sipas tij, vetëm në sulmet në rajonin Rathedaung që nga 25 gushti e deri më tani kanë humbur jetën 500 qytetarë të Arakanit. “Në rajonet Rathedaung, Maungdaw dhe Buithdaung, kanë ndodhur masakra në gjithsej 20 qyteza”, tha ai.

Pas fillimit të sulmeve të budistëve, Rahman thotë se muslimanët në rajon u sulmuan edhe nga forcat e sigurisë. Sipas tij, forcat e sigurisë kanë shtypur me tanke muslimanët të cilët kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe se kanë sulmuar me raketa-hedhës.

Rahman tha se sipas parashikimeve në këto incidente janë prekur gjithsej 60 mijë persona dhe se vetëm 10 mijë prej tyre kanë arritur të ikin në kufirin me Bangladeshin, kurse shumica e tyre nuk kanë mundur të largohen nga rajonet ku ndodhen.

“Shumica e personave ende fshihen brenda pyjeve në rajonet afër shtëpive të tyre sepse ata që përpiqen të shkojnë nga një vend në një vend tjetër do të vriten”, thekson Rahman.

“Ky është një gjenocid i heshtur”

Në të vërtetë, Rahman thotë se sulmet ndaj muslimanëve të Arakanit po vazhdojnë që nga muaji qershor i vitit 2012. Ai thotë se “Ky është një gjenocid i heshtur”.

Duke vënë në dukje se populli i Arakanit nuk mund të përfitojë nga të drejtat dhe nevojat e tyre themelore si ushqimi, ndihma shëndetësore, arsimimi dhe liria e lëvizjes, Rahman thotë se “Populli i Arakanit po burgoset në mënyrë sistematike dhe shumica e tyre për 5 vite po mbahen nëpër kampe të përqendrimit. Në Arakan ndodhen gjithsej 42 kampe të përqendrimit të izoluara nga bota. Këto nuk mund t’i vizitojë askush. Nuk lejohet hyrja e njerëzve këtu”.

Në Arakan pas sulmeve në pikat e kontrollit të policisë më 25 gusht, në operacionet e gjera të forcave të sigurisë së Mianmarit kundër muslimanëve, një numër i madh i civilëve humbën jetën kurse një numër i madh i personave janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Në operacionet e ushtrisë janë djegur qindra shtëpi dhe tani janë në gjendje të papërdorshme. Meqë Qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet nga rajonet e izoluara nga bota, nuk mund të bëhen përcaktimet e sakta lidhur me numrin e civilëve të vdekur.

Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit të cilët kanë ikur nga fshatrat e tyre, po ikin në zona relativisht të sigurta ose përpiqen të kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit