Izetbegoviç ka hedhur poshtë deklaratën e Presidentit të Republikës Çeke, cili ka thënë se “BeH mund të bëhet baza e organizatës terroriste DEASH për shkak të përbërjes së saj kombëtare”
SARAJEVË (AA) – Bakir Izetbegoviç, anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës, ka hedhur poshtë plotësisht dhe ka kundërshtuar deklaratën e Presidentit të Republikës Çeke, Milosh Zeman, i cili ka thënë se BeH mund të bëhet baza e organizatës terroriste DEASH për shkak të përbërjes së saj kombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Izetbegoviç përmes deklaratës së sotme ka thënë se deklarata e presidentit çek nuk është e bazuar në fakte dhe se ishte larg nga ajo se si qëndrojnë gjërat. Ai rikujtoi se që nga viti 2012, në fushë betejat siriano-irakiane, kanë qenë gjithsej 240 shtetas të BeH-së dhe se 54 prej tyre para se të shkonin në fushë betejat e sipërpërmenduara, kanë jetuar në diasporë, kryesisht në vendet e Evropës Perëndimore dhe shumica e tyre në Austri.
Sipas tij, në fushëbetejat në Siri dhe Irak ka 116 shtetas të BeH-së dhe se 55 shtetas janë kthyer nga betejat e përmendura, ku 44 prej tyre janë në BeH, 10 në vendet e Evropës Perëndimore dhe një në burg në Turqi.
“Nga 44 të kthyer, 23 kanë dënime të plotfuqishme. Duke patur parasysh faktet në fjalë, shihet qartë se nuk ka kurrfarë paragjykimi real që BeH të bëhet bazë e DEASH-it siç pretendon Zeman. Me deklarata të ngjashme më herët presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç dhe më pas ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz, tani dhe Zeman pa ndonjë arsye apo baze lançohen gënjeshtra të rrezikshme kundër BeH-së, në veçanti kundër boshnjakëve, muslimanëve. Qëllimi i këtyre deklaratave është që opinioni evropian të helmohet me prezantim të rreme të BeH-së, posaçërisht për qytetarët e saj të besimit islam, si një lloj kërcënimi për sigurinë e Evropë”, thuhet në deklaratën e Izetbegoviç.
Ai më tej shton se bëhet fjalë për një “fushatë të qartë ksenofobike dhe islamofobe të disa shteteve të Evropës së Mesme”. “Kjo na kujton disa deklarata të ngjashme nga fundi i shekullit të kaluar, ku disa në Evropë justifikuan mos intervenimin me të cilin do të parandalohej gjenocidi i boshnjakëve dhe përpjekjet për të shkatërruar Bosnje dhe Hercegovinën. Boshnjakët, si banorë të një vend evropian, kurrë nuk do të heqin dorë nga vlerat e trashëguara civilizuese, por as nga tradita dhe besimi. Pikërisht tradita dhe besimi ynë na kanë mësuar që të jemi tolerantë. As kur vriteshim në mënyrë barbare, madje edhe kur pësuam gjenocid, nuk u ngritëm për hakmarrje apo ekstremizëm, por vazhduam me vlerat civilizuese, për të vërtetën dhe drejtësinë”, theksoi Izetbegoviç.
Sipas tij të gjitha institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës kanë kundërshtuar ashpër ekstremizmin dhe terrorizmin e dhunshëm dhe në atë luftë ata kanë bashkëpunim shumë të suksesshëm me partnerët e tyre ndërkombëtarë.
Në fund, porositi se “ksenofobët dhe islamofobët në Evropë, në vend të akuzave të pabaza ndaj BeH-së dhe boshnjakëve, më e dobishme është të shohin oborret e tyre në të cilat po lulëzojnë ideologjitë neo-naziste dhe të ndryshme anti-civilizuese dhe të pyesin veten se çfarë kanë ndërmarrë për t’i luftuar këto dukuri të prapambetura.”
Dje, mediat transmetuan se presidenti çek, Milosh Zeman, deklaroi se ekziston një kërcënim real që organizata DEASH, pas disfatës në Siri dhe Irak, do të krijojë një bazë të përshtatshme për terroristët e saj në vendet evropiane, posaçërisht në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Një bazë e tillë mund të jetë në BeH duke patur parasysh përbërjen kombëtare. Kur pikërisht këtu të koncentrohen njerëzit të cilët ikin pas disfatës në Evropë, kjo do të jetë një rrezik”, ka thënë Zeman në një intervistë për tabloidin çek “Blesk”.