Rusia, një prej aleateve të pakta të regjimit sirian dhe furnizuesja kryesore e vendit me armë, ka dërguar në Siri raketa të sofistikuara anti-anije. Lajmin i gazetës prestigjoze New York Times citon zyrtarë amerikanë të pohojnë se raketat në fjalë mund të përdoren kundër cdo ndërhyrjeje të mundshme ushtarake në vend.
Pa konfirmuar detajet e lajmit, kryediplomati rus Sergei Lavrov tha se dërgesat e Moskës nuk shkelin asnjë ligj ndërkombëtar. Njoftimi vjen në mesin e një përshkallëzimi të shqetësimeve mbi përdorimin e armëve kimike në Siri, që për presidentin Barak Obama përbën “vijën e kuqe” të kalimit në veprim.
Përgjate viteve Rusia ka dërguar me mijëra tanke, njësi artilerie, avionë, helikopterë e sisteme mbrojtëse në bazë kontratash që mbërrijne në miliarda dollarë.
New York Times sqaron se një ngarkesë ruse e kohëve të fundit me destinacion vendin e trazuar përfshinte formën më të avancuar të Yakhontit, një raketë 6,7 metra e gjatë me rreze veprimi 290 km, e cila bart ose kokë me eksplozivë të fuqisë së lartë, ose mbushje që shpojnë mjetet e blinduara.
Raketa supersonike anti-anije drejtohet me radar dhe përdoret për mbrojtjen bregdetare. Raporti i gazetës amerikane thekson fuqinë që i jep një raketë e tillë qeverisë së Bashar al Asadit për të sprapsur flotat e huaja nga brigjet siriane.
Por pretendime të tilla, nëse provohen të vërteta, kanë një domethënie të dyfishtë. Së pari ato tregojnë vazhdimësinë e deshirave të Moskës për të shmangur ndërhyrjen ushtarake në Siri në mënyrë që të mos përsëritet më skenari i Libisë. Së dyti, në të njëjtën masë, thellohet shqetësimi se Yakhonti mund të kalojë në duart e aleatit libanez të Sirisë, Hezbollahut, e një gjë të tillë përfaqëson vijën e kuqe për Izraelin që menjëherë do të niste sulmet mbi depot siriane të armëve./tch/kohaislame