7.3 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

A e mbani mend këtë njeri nga Afrika? – Ju realizu ëndra me shku në Haxh!

Më të lexuarat

Abdullah me avionin e Turkish Airlines fluturoi nga kryeqyteti i Ganës për në Stamboll, ndërsa në një deklaratë thotë se ndihet shumë i lumtur që ka ardhur në Stamboll dhe se do të shkojë në Mekë

STAMBOLL (AA) – Gjatë incizimeve të realizuara në fshatin e tij, shtetasi nga Gana Al Hassan Abdullah, për herë të parë kishte parë një dron. Ai u bë i njohur nëpër rrjetet sociale me pyetjen e tij “A mund të bëni një të tillë pak më të madh e të më dërgoni mua në Haxh?”. Pas kësaj, me iniciativën e ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, shtetasi i Ganës, Al Hassan Abdullah, do ta realizojë ëndrrën e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Abdullah me aeroplanin e Turkish Airlines (THY) fluturoi nga kryeqyteti i Ganës, Akra, për në Stamboll, ndërsa në një deklaratë për gazetarin e AA-së, ai thotë se ndihet shumë i lumtur që ka ardhur në Stamboll dhe se do të shkojë në Mekë.

Duke u shprehur se ndjen gëzim të madh për këtë mundësi të ofruar për të, Abdullah thekson se “Mendoj se duhet të bëj dua shumë më shumë që Zoti ta mbrojë Turqinë, që ky vend të rritet, të zhvillohet e të përparojë. Allahu e mbroftë Turqinë nga të gjitha të këqijat.”

Abdullah thotë se është i impresionuar shumë nga ajo që ka parë në Stamboll dhe shton se “Shpresoj se Turqia do të përparojë shumë më shumë. Unë u impresionova shumë kur sot në mëngjes i pashë ato që paraardhësit tuaj kanë bërë këtu. Dëshiroj shumë më tepër për Turqinë.”

Duke theksuar se për përhapjen e Islamit duhet të përdoret zemra dhe sinqeriteti, Abdullahu nga Gana thotë se kjo është ngjarja më e bukur që ka përjetuar deri më tani, dhe shton se të gjithë muslimanët duhet të shkojnë në Mekë.

“Kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëhet. Nuk ka më tej se kjo dhe ju ma dhatë mua këtë mundësi. Allahu ju mbroftë juve dhe Turqinë. Nëpërmjet jush unë do ta bëj detyrën time të Haxhit.”

Ndërkaq Abdullahu në terminal u prit nga zv/kryetari i Shoqatës së Miqësisë dhe të Ndihmës me Ganën, avokati Cihad Gökdemir dhe nga një zyrtar policor. Gökdemir thotë se historia e Abdullahut ka nisur disa ditë para vizitës së presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në këtë vend.

“Para vizitës së presidentit Erdoğan në këtë vend bëhej incizim me dron. Gjatë incizimit xhaxhai Abdullah e pa dronin dhe e mori në dorë duke pyetur se çfarë është kjo. Kur kuptoi se është objekt që fluturon tha se ‘A mund të bëni një gjë të tillë pak më të madh e të më dërgoni mua në Haxh’ dhe pas kësaj një mik i yni që punon në TRT World e ka publikuar këtë në Twitter. Më pas institucione të shumta dhe biznesmenë bënë thirrje te institucionet zyrtare dhe shprehën dëshirën që ta dërgojnë xhaxhain Abdullah në Haxh”, bëri të ditur Gökdemir.

Duke vënë në dukje se te Abdullahu kanë arritur pas përpjekjeve të shumta dhe se edhe ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu është shprehur se dëshiron që të takohet me Abdullahun, Gökdemir thotë se “Xhaxhai Abdullah sot është këtu dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë. Ai bën dua shumë për njerëzit në Turqi. Opinioni publik në Turqi nisi një fushatë të madhe në internet dhe treguan një interesim të madh. Iu falënderojmë të gjithëve”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit