10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Koment – Rrënjët historike të problemit palestinez (2)

Më të lexuarat

Zhvillimet kryesore në Jerusalem, Palestinë nga viti 1040 p.e.s. deri në vitin 1516, kur qyteti merret nga sulltan Selimi.

Në periudhën kur hazreti Daut bëhet mbret i Izraelit në vitin 1040 p.e.s., në të njëjtën kohë atij i jepet edhe titulli profetik. Në këtë periudhë Dauti arrin ti bashkojë fiset çifute dhe e bën qytetin e Jerusalemit kryeqendër. Me vdekjen e Davuit në krye të Mbretërisë së Izraelit kalon djali i tij, Sulejmani (i cili sundoi në vitet 970-930 p.e.s.). Ai ndërtoi tempullin (mesxhidin) e Sulejmanit dhe periudha e tij ka qenë edhe koha më madhështore e Shtetit Hebre. Në këtë periudhë kufijtë e shtetit zgjateshin nga Egjipti deri në Eufrat. Me ndihmën e fenikasve, të cilët sundonin në Libanin e sotëm, Sulejmani bëhet edhe me një flotë detare, me të cilën zhvillon marrëdhëniet tregtare me vendet e Mesdheut, dhe madje nëpërmjet portit Akabe arin deri në Indi. Pas vdekjes së Sulejmanit (viti 930 p.e.s.) Mbretëria e Izraelit u copëtua brenda një kohe të shkurtër për shkak të konflikteve të brendshme. Në veri të vendit u krijua Izraeli, kurse në jug u krijua Mbretëria e Judës. Mosmarrëveshjet ndërmjet dy monarkive nuk munguan asnjëherë. Si rrjedhim të dyja shtetet nuk rrojtën shumë. Në vitin 722 p.e.s. asirët e zhdukën Shtetin e Izraelit.

Ndërsa shteti tjetër, Mbretëria e Judës u shkatërrua në vitin 586 p.e.s. nga sundimtari babilonas, Nabukadnezari, i cili i vrau para syve të Mbretit Çifut të gjithë princat e dinastisë së Sulejmanit. Kurse tempullin dhe sarajin e Sulejmanit pasi i plaçkiti i prishi. Një pjesë të popullatës çifute që gjendej në Jerusalem e la këtu, ndërsa një pjesë të madhe të saj e syrgjynosi në Mesopotami. Shteti i Babilonisë ishte zhdukur në vitin 539 p.e.s. nga perandori pers Cyrus dhe rajoni kishte kaluar nën sovranitetin persian. Në këtë periudhë çifutët shpëtojnë nga internimi ku gjendeshin në Babiloni. Pas sovranitetit pers, që zgjati rreth dy shekuj, në vitin 333 Aleksandri i Madh mund sundimtarin e Iranit, Darin, në Betejën e Isosit dhe pasi kalon Lumin e Eufratit përparon deri në Palestinë dhe më vonë i drejtohet Egjiptit. Pas sundimit helen çifutët hynë nën administrimin e romakëve. Për shkak të barrës së rëndë të taksave që rëndonin mbi çifutët nga pushteti romak, presionit të drejtuesve feudalë vendas dhe për shkak të përçmimit që të dyja palët u bënin fesë dhe ibadeteve të njëri-tjetrit, në vitin 67 të erës tonë populli hebre u ngrit në kryengritje kundër romakëve. Gjenerali romak, Titus, u nis drejt Jerusalemit për të shtypur kryengritjen, dhe kur mbërriti këtu e shkatërroi Jerusalemin dhe plaçkiti të gjitha pasuritë e qytetit si dhe rrënoi Tempullin e Sulejmanit. Pas kryengritjes që ishte filluar këtu kundër Perandorisë Romake në vitin 70 të erës sonë të gjithë çifutët që jetonin në Palestinë u dëbuan në mënyrë masive. Në fund të kësaj syrgjynosje kolektive, që përmendet edhe me emrin diaspora, një pjesë e madhe e çifutëve u nxorën jashtë Palestinës dhe u shpërndanë në të katër anët e botës.

Rëndësia e Jerusalemit fillon e rritet në periudhën bizantine, që pasoi sundimin romak, sepse me pranimin e fesë së krishterë në vitin 312 nga perandor Justiniani Jerusalemi bëhet qendra e kristianizmit dhe në qytet ndërtohen shumë kisha. Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë (viti 395) në hapësirat gjeografike të sunduara nga Bizanti krishterimi fillon e përhapet më shpejtë dhe si rrjedhim i kësaj rritet edhe presioni ndaj çifutëve. Në këtë periudhë, në vitin 611 rajoni përballet me dyndjen Sasanide dhe në vitin 614 Jerusalemi përjeton një masakër të madhe. Jerusalemi pushtohet nga sasanidët, kurse në vitin 629 çlirohet nga perandori bizantin, Herakliu, i cili ia kriktheu qytetin Bizantit. Vetëm se gjatë rimarrjes së qytetit Herakliu ndërmori një fushatë të madhe hakmarrëse kundër çifutëve që kishin bashkëpunuar me sasanidët. Për shkak të presionit dhe shtypjes së Herakliut shumë çifutë u detyruan të pranojnë krishterimin.

Në vitin 629 të erës sonë në Jerusalem fillon sërish periudha bizantine, e cila vazhdon deri në vitin 638, kur qyteti do të ngadhënjehet nga hazreti Omer. Ndërsa ka qenë nën sundimin bizantin Jerusalemi ishte përcaktuar si kibleja e parë e myslimanëve. Në vitin 623 kibleja nga Tempulli al-Aksa (Mesxhid-i al-Aksa) në Jerusalem u kthye për nga Qabeja (Mesxhid-i Haram). Kur hazreti Omer ngadhënjeu Jerusalemin tha: “O Zot i madhërishëm, ja ku e ngadhënjyem qytetin dhe tani Jerusalemi është i vëllezërve”.

Hazreti Omer në vend të tempullit të Sulejmanit, që ishte prishur nga romakët, ndërtoi tempullin Aksa (tempulli i largët). Me fillimin e administrimit të rajonit nga myslimanët u hoqën të gjitha llojet e tiranisë dhe shtypjes e presionit që ushtroheshin ndaj njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare në Palestinë dhe Jerusalem në periudhat para ngadhënjimit (nga Omeri), dhe qyteti u kthye në një qendër fetare ku mbisundon paqja, drejtësia dhe ligji. Kjo është edhe arsyeja që qyteti është quajtur Medinetu’s-Selam, Darus-selam (qyteti i Paqes) ose Beytu’l-Makdis (qyteti i Shenjtë). Kështu qyteti i Jerusalemit në periudhën pas ngadhënjimit u shndërrua në një qytet të vërtetë islam dhe drejtësia dhe toleranca e Islamit u zbatua edhe ndaj të gjithë njerëzve të tjerë që nuk ishin myslimanë. Hazreti Omer pas ngadhënjimit të Palestinës jo vetëm që i lejoi çifutët të kthehen në Jerusalem, por u bëri atyre edhe shumë të mira. Në kohën e umajadëve në Jerusalem u vendosën shumë fise arabe. Kalifi Abdulmelik bin Mervân i kushtoi një rëndësi të madhe rajonit, në veçanti Jerusalemit. Mervani jo vetëm që e rregulloi dhe e zgjeroi kompleksin al-Aksa (Mesxhid-i Aksa), por përballë tij ai ndërtoi në vitet 689-691 një objekt tjetër të shenjtë, Kubbet-as Sahra (Kupola e Shkëmbit), e cila është një kryevepër e madhe arkitekturore me vlera materiale dhe shpirtërore në Jerusalem.

Në kohën e abasidëve Palestina bashkë me Sirinë u bashkuan në një shtet të vetëm me kryeqendër Remle. Më vonë rajoni hyri nën sovranitetin e Tollonoullarëve (868-905), pastaj sërish në atë të abasidëve dhe më pas kaloi në sovranitetin e Ihshidëve (Akshidët 935-969). Fatimët (fatimiyyun) pasi shtynë në dorë Egjiptin, brenda një kohe të shkurtër zaptuan edhe Palestinën (969). Më vonë me krijimin e shtetit selxhuk Siri-Palestinë nga Tutushi, vëllai i Sulltanit të Madh Selxhukas Melikshah, qyteti hyri nën sovranitetit turk dhe administrimi iu dha Artuk Beut, pas vdekjes së këtij (Artuk Beut) Jerusalemi u zaptua sërish nga fatimët.

Vetëm se hyrja e Jerusalemit nën administrimin islam shkaktoi një shqetësim të madh në Evropë. Madje edhe në një situatë të tillë, pelegrinët evropianë e kanë vizituar Jerusalemin dhe i kanë kryer në siguri e qetësi të plotë obligimet e tyre fetare edhe gjatë të gjitha periudhave, edhe kur qyteti ka qenë nën sovranitetin e dinastisë umajade, edhe të abasidëve, edhe atë turko-islam. Vetëm se klima paqësore dhe e qëndrueshme në rajon filloi të prishet për shkak të Kryqëzatave (fushatat ushtarake) që nisën për arsye politike, fetare dhe ekonomike në periudhat e mëvonshme. Kështu, kryqtarët më 15 korrik 1099 e pushtuan Jerusalemin, masakruan me mijëra myslimanë dhe shpallën këtu një Mbretëri Latine. Pas kësaj Palestina u bë skenë e shumë luftërave dhe trazirave. Gjatë kohës së mbretërisë latine u prishën shumë objekte kulti të myslimanëve, ndërsa ato që mbetën në këmbë u kthyen në kisha.

Vetëm se myslimanët nuk mund të duronin më tepër ndaj presionit dhe shtypjeve që u bënë në Jerusalem gjatë periudhës së robërisë së Kryqëzatave (kryqtarë) që vazhdoi në qytet për 88 vjet. Me fitoren e Betejës Hittin (në vitin 1187) nga Selahaddin-i Eyyubi Jerusalemi kalon sërish në sovranitetin mysliman, kështu Palestina hyri prapë në sovranitetin turko-islam. Pasi mori Jerusalemin Selahaddin Eyyubî i ftoi të gjithë çifutët të kthehen në qytet dhe në përgjigje të kësaj ftese në këtë periudhë shumë çifutë nga Egjipti, Siria, Mesopotamia, Evropa e Jugut dhe madje edhe nga Franca e Anglia emigruan për në Jerusalem. Më vonë Palestina mbeti nën sovranitetin e Shtetit Memluk dhe me fushatën e Sulltan Selimit në Egjipt (1516) hyri nën administrimin osman.

Autor: prof. dr. Mustafa Sıtkı BİLGİN

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit