7.3 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Çka ju kemi ofruar ne të rinjve tanë përmes Internetit?

Më të lexuarat

Çdo ditë, gjithnjë e më shumë mund të bindemi sesa shumë kohë të rinjtë, por edhe të vjetrit i kalojnë në internet. Shumica e nxënësve të shkollës fillore kanë telefona të mençur, dhe çdo ditë ata janë ‘online’, kurse për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e fakulteteve të mos flasin.
Në një situatë të tillë, pyetja që imponohet pashmangshëm është: Nëse gjendja faktike është e atillë, që të rinjtë tanë kohën më të madhe e kalojnë në internet, atëherë ne këtyre të rinjve çka ju kemi ofruar në botën virtuale?
Është e çuditshme se ne kemi një numër të madh të njerëzve me arsimim islam: teologë, mësues të fesë, profesorë, magjistra dhe doktorë të shkencave islame, kurse një numër shumë i vogël i tyre janë aktivë në rrjetet sociale.
Derisa shejtani dhe ushtria e tij të gatshëm i kanë pritur zhvillimet teknologjike, sidomos internetin, në mënyrë që njerëzit t’i ftojnë në mashtrim dhe të përhapin imoralitet, për neve muslimanët duhet të kalojnë 20 vjet, që të fillojmë të mendojmë dhe të flasim, se çka mund tu ofrojmë ne të rinjve tanë në botën virtuale.

 

A ka ndonjë këngëtar sadopak i njohur, lojtar apo aktor që të mos jenë aktiv në Facebook, Twiter, Instagram, dhe që mos ta ndjekin qindra mijëra të djemëve dhe vajzave tona?!
Disa individë duke i përdorur rrjetet sociale janë bërë më të fortë dhe më me ndikim se disa shtëpi të mëdha televizive.
Por, sa njerëz me arsimim (superior) islam janë aktivë në rrjetet sociale? Shumë pak.
Paramendoni nëse të gjithë njerëzit me arsimim superior Islam në vendin tonë për çdo ditë të publikonin postime të dobishme dhe video materiale, sa shumë përfitim do të kishim?
Për fat të keq, ne ende vendënumërojmë dhe përpiqemi t’i përhapim vlerat pozitive islame në mënyrë klasike (të tejkaluar), duke menduar se është sukses i madh kur diku e organizojmë një tubim në të cilin marrin pjesë disa qindra njerëz, duke harruar se me anë të rrjeteve sociale shumë thjeshtë, me më pak mundim dhe përpjekje, do të mund të arrinim të tubonim me qindra e mijëra të rinjë, të cilët pikërisht duhet të jenë grupi i synuar, të cilëve dëshirojmë tu ofrojmë diçka të dobishme.
Me aktivitetet e tyre në rrjetet sociale dhe YouTube, individët krijues, pa mbështetjen e askujt, po arrijnë të mbledhin qindra e mijëra të rinjë, të cilët video materialet e tyre i kanë mësuar përmendsh. Ne si kolektiv, a nuk jemi në gjendje ta “krijojmë” një yll të ri të internetit islam, i cili në mënyrë origjinale do t’i qasej rinisë sonë dhe do t’ua ofronte atyre parimet islame në një mënyrë moderne dhe bashkëkohore, ashtu siç mund ta kuptojnë ata?

 

Ka mundësi të shumta në dispozicion për ata që e përfaqësojnë Islamin dhe bëjnë thirrje nën patronazhin e mirësisë, prandaj, në asnjë rast nuk mund të thuhet se ne nuk kemi çka t’ju ofrojmë të rinjve tanë. Në fakt, ne as që jemi përpjekur tu ofrojmë diçka. Ndërsa ka aq shumë që mund të ofrojmë.
Sa shumë ka ajete kur’anore, hadithe të Pejgamberit savs, sa shumë ngjarje udhëzuese nga biografia e Pejgamberit savs, sa shumë ka libra dhe çështje të akides, fikhut, tefsirit, hadithit, të cilat i nevojiten popullit tonë, sidomos të rinjve tanë… Sa shumë informacione të dobishme njerëzit lexojnë për çdo ditë duke u përgatitur për provimet universitare, dhe vetëm paramendoni, nëse këto të gjitha në një mënyrë më të thjeshtë, t’i ofroheshin rinisë sonë, sa përfitime do të arriheshin?
Në rrjetet sociale është shumë e thjeshtë vendosja e video materialeve në të cilat njeriu për pak minuta mund të dërgojë mesazhe të shumta dhe këshilla, të cilat janë me të vërtetë të nevojshme, dhe për një kohë të shkurtër ato mund të arrijnë te qindra e mijëra të rinjë.

 

Është e nevojshme të thuhet edhe kjo, se ata pak dijetarë të cilët janë aktivë në rrjetet sociale, shumë shpesh e lodhin rininë me përleshjet e tyre me kundërshtarët, që rezulton me atë, që ata të kenë dhjetëra njerëz që i ndjekin dhe ju duartrokasin në ngjitje të nofkave njëri-tjetrit dhe në argumentimin e superioritetit të tyre.
Njerëzit e ditur do të duhej të ngrihen mbi këtë nivel, e nëse dikush ka ndonjë vërejtje, atëherë atë duhet zgjidhur privatisht me atë person, e jo me to t’i lodhin muslimanët edhe ashtu të çorientuar, të cilët të tjerët në çdo hap po i shpërkëndejnë dhe shkatërrojnë.
Unë përfitoj nga ky rast, për t’i ftuar të gjithë muslimanët e arsimuar dhe kompetent të mos lejojnë që të rinjtë tanë të na i edukojnë të tjerët në ndonjë botë virtuale, por që t’i përvishen punës dhe të përballen me ata që po e përhapin imoralitetin dhe mashtrimin.
Aq sa ne të derdhim ujë të pastër në ujin e ndotur të botës virtuale, aq mund të presim përmirësim dhe progres. http://minber.ba//
Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit