Hyrje
Metodologjia e Ehli Sunetit rreth problematikave të akides
Çdo musliman i sinqertë, i cili kërkon të kuptojë një problematikë që ka të bëjë me aspektin e besimit (akides), patjetër është i obliguar që para kësaj të kuptojë metodologjinë e saktë që duhet të pasojë në këtë gjë. Në fakt, edhe kjo metodologji (menhexh) e bën atë që të dallohet nga grupimet dhe sektet e shumta, të cilat, fatkeqësisht, si shkak i metodologjisë së gabuar që zgjodhën, devijuan nga e drejta. Pra, saktësia e metodologjisë sjell edhe konkluzione të sakta dhe e mbron hulumtuesin e së vërtetës që të mos bjerë në gabime dhe devijime të cilat e largojnë nga rruga e saktë (Tariku Mustekim).
Metodologjia e Ehli Sunetit gjatë shtjellimit dhe zbërthimit të çështjeve të besimit bazohet në parime të qarta dhe të definuara. Më thelbësorja në tërë këtë metodologji është se gjatë argumentimit ajo bazohet në fjalën e Allahut të Madhëruar (Kuran) dhe në thëniet e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, (në Sunet) dhe kjo është edhe besimi i muslimanëve të parë (sahabët, tabiinët dhe ata që i kanë pasuar në të mirë).
Mirëpo, këtu duhet të kemi parasysh edhe faktin se shumica e fraksioneve që i atribuohen Islamit thonë se argumentojnë me Kuran dhe Sunet, por megjithëkëtë në rezultate (konkluza) kemi ndryshime dhe devijime nga ata.
Arsyeja në këtë qëndron se këto fraksione para se të fillojnë të mbështeten e të argumentojnë me Kuran dhe Hadith, paraprakisht mbartin me vete ide, opinione dhe konkluza të prodhuara nga logjika e tyre dhe pastaj mundohen, duke hulumtuar në citatet sheriatike (Kuran dhe Hadith), që të gjejnë atë që përputhet me këto ide fikse dhe argumentojnë me to, ndërsa ato që nuk përputhen i anashkalojnë tërësisht. Kështu ata pretendojnë se janë mbështetur në Kuran dhe Hadith, por në fakt ata kanë marrë nga këto të dyja çfarë u përshtatej dhe lanë atë që nuk e pëlqyen.
Ndërsa Ehli Suneti për të arritur tek e vërteta u qaset citateve sheriatike larg çdo koncepti fiks, paraprak, dhe kështu arrin drejt tek e sakta të cilën na e tregon Allahu i Plotfuqishëm përmes shpalljes hyjnore.
Ehli Suneti konceptet rreth një problematike të caktuar i nxjerr duke i hulumtuar të gjitha citatet nga Kurani dhe Hadithi që flasin rreth asaj problematike, pastaj i vështron ato të gjitha së bashku dhe i studion duke krahasuar e përputhur domethëniet dhe nga ato nxjerr konkluzionet, pa u paraprirë atyre të vërtetave me ide të ngulitura në mendje.
Gjithashtu, këtu duhet të sqarohet edhe fakti se Ehli Suneti nuk e anashkalon logjikën dhe mendjen e shëndoshë, në të kundërtën, qasja ndaj argumenteve bëhet duke e përdorur mendjen dhe logjikën, por Ehli Suneti nuk pranon që peshorja esenciale të bëhet mendja e njeriut duke anashkaluar shpalljen, pasi ajo nuk është e përsosur ashtu siç nuk janë të përsosura asnjë nga cilësitë e tij (njeriut). Mendja dhe logjika ndikohet nga rrethi, vendi dhe koha në të cilin jeton, pastaj opinionet e tij janë rezultat i rrethanave të zhvillimit të mendjes dhe shumë indikacione të tjera, prandaj edhe nuk do ta arrijë gjithmonë t’ia qëllojë të saktës. Po të mos kishte nevojë mendja për drejtues, atëherë Allahu i Lartësuar nuk do të dërgonte Profetë dhe Libra, por secilit do t’i mjaftonte mendja dhe logjika e tij për ta gjetur besimin dhe të saktën.
Në këtë punim jemi munduar të bëjmë një përmbledhje rreth besimit të muslimanit në caktimin dhe vendimin e Allahut të Lartësuar (Kadanë dhe Kaderin). Besimi në këtë është njëra nga gjashtë kushtet themelore të imanit të muslimanit. Por, gjithashtu kjo është njëra nga çështjet në të cilën më së shumti kanë devijuar njerëzit që nga kohërat e hershme. Fraksionet më të mëdha që i atribuohen Islamit dhe që më së shumti i janë larguar atij, si çështje të parë që filluan ta keqinterpretojnë e të polemizojnë rreth saj, ishte çështja e Kadasë dhe Kaderit. Në këtë shkrim do të mundohemi të bëjmë një shpjegim rreth kësaj problematike duke pasuar metodologjinë e Ehli Sunetit dhe pasi i dedikohet çdo besimtari pa marrë parasysh njohuritë që i ka rreth Islamit, gjatë shtjellimit, nuk jemi zgjeruar, duke u ndalur në të gjitha pikat në të cilat kanë devijuar fraksionet e ndryshme Islame. Temat të cilat do të shqyrtohen në këtë punim janë:
- Besimi në Kadanë dhe Kaderin është shtylla e gjashtë e Imanit
- Shkallët (etapat) e besimit në Kadanë dhe Kaderin
- Kuptimi i drejtë i dëshirës dhe vullnetit të Allahut të Plotfuqishëm
- A është i lirë njeriu në veprimet e tij
- Arsyetimi me Kada dhe Kader
- Allahut nuk i atribuohet e keqja absolute
- Nëse Allahu e krijon edhe të mirën edhe të keqen atëherë pse e keqja i atribuohet njeriut, ndërsa e mira Allahut
- Përfundim
Lusim Allahun e Lartësuar të na japë sinqeritet në atë që themi e veprojmë dhe të na japë sukses në këtë botë dhe në botën tjetër!
Besimi në kadanë dhe kaderin është shtylla e gjashtë e Imanit
Ashtu si e përmendëm më lartë, prej kushteve thelbësore të imanit (besimit) është të besosh në kadanë dhe kaderin (caktimin dhe vendimin e Allahut të Lartësuar), në të mirë dhe në të keq. Me Kada dhe Kader nënkuptojmë se çdo gjë që ndodh në tokë dhe në qiej zhvillohet me caktimin dhe vendimin e Allahut të Lartmadhërishëm dhe atë që Ai e vendosë të ndodh nuk ka send që mund ta pengoj, sikurse atë që Ai e ndalon të ndodh nuk ka fuqi që ka mundësi ta krijoj atë.
Disa dijetarë të Ehli Sunetit kanë bërë dallim në mes të domethënies së kadasë dhe Kaderit, ata kanë thënë se kaderi është paracaktimi (vendimi i paracaktuar) i Allahut, kurse kadaja është ekzekutimi (akti ekzekutiv) i këtij paracaktimi ose vendimi të paracaktuar, sido që të jetë për shkak të mos zgjerimit dhe mos ekzistimit të ndonjë pasoje në këtë dallim nuk do të ndalemi më shumë në këtë.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.” (Jasin 82).
Gjithashtu thotë: “Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!” (Et- tekvir 29).
Prandaj çdo gjë që ekziston është me vendimin, caktimin dhe me vullnetin e Zotit të Madhërishëm, si dhe Ai është krijuesi dhe shpikësi i tyre, nuk ka krijues tjetër përveç Tij.
Besimi në kada dhe kader ka rëndësi të veçantë në fenë islame, për faktin se kadaja dhe kaderi ka ndërlidhje të ngushtë me besimin në Allahun. Nëpërmjet këtij kushti njihet madhëria e Krijuesit dhe kuptohen qartë emrat e cilësitë e Zotit, duke mos i devijuar apo keqinterpretuar kuptimin e tyre. Për shkak të kësaj rëndësie besimi në kada dhe kader, konsiderohet kushti i gjashtë thelbësor i imanit të muslimanit
Shkallët (etapat) e besimit në kadanë dhe kaderin
Nuk plotësohet drejt besimi në kaderin e Allahut pa kuptuar katër çështje të rëndësishme që gërshetohen ngushtë me mënyrën se si ndodh paracaktimi i gjërave nga ana e Zotit të Gjithëdijshëm dhe më pastaj zhvillimi i tyre.
Këto katër çështje quhen etapat apo shkallët e kadasë dhe kaderit dhe ato janë:
a) Dituria – Besimi në diturinë absolute të Allahut të Plotfuqishëm
b) Shkrimi – Besimi se çdo gjë që ndodh është e shënuar
c) Dëshira – Besimi se çdo gjë ndodh, realizohet me dëshirën e vullnetin e Allahut të Plotfuqishëm
d) Krijimi – Besimi se Allahu është Krijuesi i gjërave
Në vazhdim do ta sqarojmë çdonjërën kategori veçmas:
a) Dituria – Besimi në diturinë absolute të Allahut:
Është vërtetuar ne tekstet e Kur’anit dhe të Sunnetit se dija e Allahut ka përfshire te gjitha gjërat. Ai para ekzistimit të tyre, e ka ditur gjendjen e robërve të Tij, ka ditur furnizimin (rizkun) e tyre, për moshat, veprat dhe të gjitha çështjet tjera. Ai është i Gjithëdijshmi i se kaluarës, se tashmes dhe i se ardhmes, me numër, cilësi dhe po ashtu Ai di edhe veprat e të gjitha krijesave.
Allahu i Plotfuqishëm thotë:
“Ai i ka çelësat e fshehtësive dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai …” (Enam, 59)
b) Shkrimi – Besimi se çdo gjë që ndodh është e shënuar:
Është vërtetuar gjithashtu se Allahu e ka shënuar ne Levhi Mahfudh (Pllaka e Mbrojtur-ruajtur) çdo gjë që do të ndodh. Leuhi Mahfudh është një libër apo pllakë në të cilin janë të shënuara gjithçka, që nga fillimi i krijimit e deri në Ditën e Kiametit[1].
Allahu i Lartmadhëruar thotë:
“A nuk e di ti, se Allahu di çdo gjë, që është në qiej e në Tokë? Të gjitha këto janë (shënuar) në Libër. Me të vërtetë, kjo është e lehtë për Allahun” (Haxh, 70).
Gjithashtu thotë:
“… dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (Enam, 59)
Po ashtu thotë:
“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” (Hadid, 22)
c) Dëshira – Besimi se çdo gjë ndodh, bëhet me dëshirën e vullnetin e Allahut të Plotfuqishëm:
Është vërtetuar se vullneti i përgjithshëm i Allahut dhe dëshira e Tij përfshinë çdo gjë. Asnjë ndodhi, e mirë apo e keqe nuk realizohet përkundër dëshirës së Tij.
Allahu i Lartmadhëruar thotë:
“Pa dyshim, Allahu bën çfarë të dëshirojë.” (Haxh, 14),
Gjithashtu thotë:
“Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!” (Tekvir, 29).
Çfarë dëshiron Allahu bëhet e çka nuk dëshiron nuk bëhet dhe nuk ka asnjë ndodhi që mund të zhvillohet jashtë vullnetit të Tij.
d) Krijimi – Besimi se Allahu është Krijuesi i vetëm i gjërave:
Allahu i Plotfuqishëm është krijuesi i vetëm i gjërave dhe ndodhive. Çdo gjë dhe çdo zhvillim i cili bëhet në këtë botë është krijim i Krijuesit.
Ai në Kuran thotë:
“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.” (Zumer, 62)
Gjithashtu thotë:
“Allahu është Ai që ju ka krijuar juve dhe gjithçka që bëni?!” (Safat, 9)
Këto kategori të kadasë dhe kaderit janë të domosdoshme të kuptohen dhe të sqarohen drejtë, nëse dëshirojmë të dimë saktë se si duhet të besoj besimtari në caktimin dhe vendimin e Allahut të Plotfuqishëm. Pra, besimtari beson dhe është i bindur se nuk ka asnjë gjë që nuk e përfshin dituria e Allahut, gjithashtu ai beson se të gjitha ndodhitë janë të shkruara dhe të evidentuara nga Ai. Pastaj ai është i bindur se asgjë nuk ndodh pa dëshirën e të Urtit dhe se Ai është Krijuesi i Vetëm i gjërave. Nëse njëra nga këto katër shkallë kuptohet padrejtë, atëherë nuk është plotësuar besimi i muslimanit në kadanë dhe kaderin si duhet.
Kuptimi i drejtë i dëshirës dhe vullnetit të Allahut të Plotfuqishëm
Pika që do të përmendim në vazhdim ndërlidhet me pyetjet e shumta që i parashtrojnë njerëzit, si rezultat i paqartësive dhe mosnjohurive të cilat mbretërojnë tek ata. Me fjalë të tjera, njerëzit që uk e kanë kuptuar si duhet veçorinë (cilësinë) e Dëshirës (Iradetit) të Allahut, ballafaqohen me paqartësi të shumta, kur bëhet fjalë rreth lidhjes mes ndodhive që zhvillohen në këtë botë dhe dëshirës së Allahut të Madhëruar.
Prandaj shtrohet pyetja nga shumë njerëz se këto të këqija të cilat ndodhin; fatkeqësitë, padrejtësitë, veprat e këqija, mëkatet, mizoria nga njerëzit, etj., këto të gjitha a ndodhin me vullnetin e dëshirën e Allahut apo ato ngjajnë përkundër dëshirës së të Plotfuqishmit, ose a e krijon Allahu edhe të keqen dhe a e dëshiron atë Ai, apo e keqja ndodh vetë pa dëshirën e Tij?
Për t’i kuptuar përgjigjet rreth këtyre pyetjeve, ashtu si duhet, është e domosdoshme që ta kuptojmë drejtësifatin (cilësinë) e Dëshirës (Iradetit) të Allahut të Madhëruar.
A) Cilësia e dëshirës (Iradeh) tek Allahu i Plotfuqishëm
Allahu i Lartmadhëruar cilësohet me cilësi dhe emra të shumtë dhe të gjitha cilësitë e emrat e Tij janë të bukura, të përsosura dhe të pastra. Ndër këto cilësi është edhe cilësia e dëshirës (El Iradetu). Në Kuran cilësia e dëshirës së të Plotfuqishmit përmendet në shumë vende sa për ilustrim mund ta përcjellim ajetin në të cilin thuhet: “Allahu dëshiron që t’ju sqarojë, t’ju udhëzojë në rrugën e të dërguarve të mëparshëm dhe t’jua pranojë pendimet tuaja.” (Nisa, 26) dhe ajete të tjera.
Dëshira dhe vullneti i Allahut të Plotfuqishëm e cila mbështetet në Kuran dhe Sunet është dy syresh:
– Irade Kevnije – Dëshira dhe vullneti i Allahut i përgjithshëm (universal).
– Irade Sherije – Dëshira dhe vullneti i Allahut sheriatik.
Disa studiues këto dy lloje të dëshirës i ndajnë edhe me emërtime të veçanta; të parin e quajnë: El Iradetu – Vullneti i Allahut të Madhëruar, ndërsa të dytin: El Meshietu – Dëshira e Allahut të Madhëruar. Sido që të jetë, këto dallime janë vetëm terminologjike dhe jo esenciale, prandaj pavarësisht se cili term përdoret nuk ka ndonjë të keqe këtu. Me një fjalë, mospajtimi në përdorimin e termeve të ndryshme është mospajtim sipërfaqësor që ka të bëj me përzgjedhjen e termit dhe assesi thelbësor.
Më poshtë do ta shpjegojmë secilin lloj:
1. Dëshira dhe vullneti i Allahut i përgjithshëm – universal (Irade Kevnije).
Kjo dëshirë ka të bëjë me ndodhitë dhe ligjet universale, të cilat Allahu i ka caktuar me vendimin e Tij dhe që zhvillohen e i nënshtrohen në formë të barabartë të gjitha krijesat dhe njerëzit, si besimtari ashtu edhe jobesimtari, si i miri ashtu edhe i keqi.
Pra, ky vullnet nuk është detyrimisht i dashur për Allahun (d.m.th. ta dojë e ta pëlqej atë), në të kundërtën mund të jetë i urryer për Të, sikurse mosbesimi (kufri) dhe mëkati që veprojnë njerëzit. Mosbesimi e mëkatet që ndodhin nga njerëzit nuk janë të dashura për Allahun, por ato ndodhin me vullnetin e Tij. Pra ky lloj i dëshirës i nënshtrohet diturisë, vullnetit dhe fuqisë së Tij .
Allahu i Madhërishëm thotë: “Ai (Allahu) nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet,” (Zumer, 7)
Po ashtu thotë: “Thuaju (o Muhamed): `Të gjitha janë nga Allahu!`” (Nisa, 78), pra të gjitha që ndodhin janë me vullnetin e Krijuesit.
2. Dëshira dhe vullneti i Allahut sheriatik (Irade Sherije)
Ky lloj dëshire ka të bëjë me ato caktime e ndodhi që zhvillohen dhe që Allahu i do e është i kënaqur me to. Si shembull të këtij lloji të dëshirës së Allahut është besimi nga njerëzit dhe largimi nga mëkati, në Kuran thuhet:
“Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.”(Bekare, 185)
Gjithashtu thuhet: “Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin…” (Nisa, 27)
B) Dallimi në mes të dëshirës së përgjithshme dhe dëshirës sheriatike
Bërja e dallimit në mes të këtyre dy dëshirave të Allahut na bën të kuptojmë se jo çdo gjë që ndodh dhe që e ka caktuar Allahu i Lartësuar të ndodh, nënkupton se Ai është i kënaqur me të dhe e do atë. Prandaj në mes të dëshirës së Allahut universale dhe asaj sheriatike ekzistojnë dallime dhe ato janë:
a) Dëshira e përgjithshme (universale), ka të bëjë me gjërat të cilat ndodhin gjithsesi me vullnetin e Allahut, por nuk do të thotë se derisa Ai i dëshiron të ndodhin, i do e është i kënaqur me to.
Ndërsa dëshira sheriatike ka të bëjë me gjërat të cilat i do dhe është i kënaqur me to.
Me fjalë të tjera lloji i parë ka të bëjë me atë se të gjitha ndodhitë zhvillohen me dëshirën e Tij, por nuk do të thotë se të gjitha ato i do dhe i pëlqen i Plotfuqishmi. Ndërsa lloji i dytë ka të bëjë me gjërat të cilat Allahu i Lartësuar i do dhe i pëlqen, por nuk do të thotë se ajo detyrimisht do të ndodh vetëm pse Allahu i Lartësuar e pëlqen dhe është i kënaqur me të.
b) Mund të jetë arsyeja e krijimit të së keqes ose zhvillimit të ndonjë ndodhie (që ka të bëjë me dëshirën universale) të jetë objektiv jo vetë ndodhia, por të jetë synim ndonjë objektiv tjetër që është mbi krijimin e asaj të keqe. Sikurse krijimi i shejtanit (Iblisit), ose krijimi i të keqes, mëkatit, etj.
– Krijimi i shejtanit (Iblisit) ishte caktim dhe vendim në bazë të dëshirës universale të Allahut të Lartmadhëruar, por ky krijim që është bërë me dëshirën e vullnetin e Tij nuk nënkupton se Allahu e do atë, ose është i kënaqur me veprimet e tij. Pastaj krijimi i tij nuk ishte synim në vete, por synimi i krijimit të shejtanit ishte që të sprovohen njerëzit dhe ata që nuk i dorëzohen atij të arrijnë gradat më të larta të shpërblimit dhe synime tjera.
– Kësisoj edhe krijimi i së keqes nga ana Allahut të Gjithëmëshirshëm, e keqja nuk është synim në vete dhe Allahu nuk e do atë, por qëllimi i saj është që njerëzit të sprovohen, të realizojnë pendimin, të kërkojnë falje, ose edhe me ato fatkeqësi me të cilat goditen t’u ngrihen shpërblimet, etj[1].
Ndërsa dëshira sheriatike është objektive në vete, kështu Allahu e deshi bindjen e adhurimin dhe është i kënaqur me të, e urdhëroi e obligoi atë dhe shpërblen për të.
c) Dëshira universale është e patjetërsueshme të ndodhë, kështu Allahu kur e dëshiron atë ajo ndodh patjetër, sikurse lindja apo vdekja e dikujt, ndryshimi i stinëve, rritja e pemëve, etj. dhe në këtë nuk ka lidhje vullneti dhe dëshira e krijesës.
Ndërsa dëshira sheriatike nuk është e patjetërsueshme që të ndodh, me një fjalë, nuk do të thotë se pasi që Allahu e dëshiroi atë, detyrimisht duhet të realizohet. Pra Allahu i Madhëruar e dëshiron dhe është i kënaqur me të, por nuk është patjetër të ndodhë, sikurse që të gjithë njerëzit të besojnë; Allahu e do që të gjithë njerëzit të bëhen besimtarë, por nuk do të thotë se kjo është e detyrueshme të ndodhë. Po të ishte e patjetërsueshme të ndodhte, atëherë nuk do të mbetej askush në këtë botë jomusliman. Ky lloj dëshire ndërlidhet edhe me dëshirën e vullnetin e njeriut (krijesës), pra në këtë ai ka zgjedhje.
Bërja dallim në mes të këtyre dy llojeve të dëshirës së Allahut të Lartësuar na bënë që ta kuptojmë si duhet të keqen e cila ndodh dhe të mirën. Me fjalë të tjera a zhvillohen ato me dëshirën dhe lejen e Allahut të Plotfuqishëm, apo është e mundur që diçka të ndodh përkundër vullnetit të Tij[2]?
Alaudin Abazi
[1] Këtë do ta sqarojmë më gjerësisht pak më poshtë.
[2] Për më gjerësisht rreth këtyre dy llojeve të Iradetit: “Sherhu Akide Tahavije”, Ibën Ebil Iz Hanefi, f. 251-253.