4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Loti i besimtarit, shuajtës i zjarrit

Më të lexuarat

Njeriu gjendet nën fenomenin e lotimit për arsye nga më të ndryshmet. Përgjithësisht loti është emocion; njeriu vajton, qan e derdh lot si nga hidhërimi, ashtu edhe nga gëzimi, për mall, falënderim, mirënjohje, kënaqësi, zhgënjim, mërzi, dëshpërim, frikë, shpresë.

Loti është mesazh shpirtëror e lëndor, është produkt i zemrës dhe i mendjes së njeriut, lajmëtar i komunikimit të ndërsjellë të tyre. Loti si lëndë është prej uji, simbol i jetës së gjallë, bekim e dhuratë nga Zoti i botëve.

Lotimi është një nga mrekullitë më të mëdha që Krijuesi ia ka bërë dhuratë njeriut, që vetë e krijoi me qëllime të larta, plotësisht të përcaktuara. Loti është edhe fjalë, një lloj të shprehuri i shpirtit njerëzor, por shpesh edhe fjala është lot.

Lotët dhe lutjet janë shumë të parapëlqyera, të preferuara, të dëshiruara nga Zoti i Madh, Fajfalës e Mëshirëbërës. Formimi i lotit dhe dalja e tij nga syri i njeriut është një botë më vete, një mrekulli, një e fshehtë e madhe e Krijuesit të gjithësisë. Loton edhe kafsha, por loton ndryshe, si instinkt dhe jo si emocion. Allahu e di më së miri!

Dijetarët pak njohuri kanë zbuluar edhe nga kjo e fshehtë tepër e thellë, më tepër se sa e rrok mendja jonë foshnjarake. Loti i njeriut nuk është thjesht një dukuri fizike. Edhe kur ai del nga syri thjesht nga ngacmimi i substancave që vijnë, për shembull, teksa grijmë qepën, lotimi edhe këtu nuk është thjesht mekanik. Zoti edhe këtu sjell një shkak tjetër lotimi paralel me shkakun emocional, për të pastruar syrin dhe zemrën në një tjetër mënyrë.

Loti pastron syrin dhe shpirtin e njeriut. Prandaj lutuni dhe derdhni lot përdëllimi, o besimtarë, që të gjeni ngushëllim e shpëtim të vërtetë!

“Oh, mbretëria e lotëve është një mister i madh”, thotë Antuan de Sent Ekzyperi.

Lotimi i besimtarit

Adhurimi është dashuria e pafund, besnikëria, nënshtrimi, frika, përulja, bindja, dhembshuria, shpresa ndaj Zotit Fuqiplotë e Mëshirëmadh. Adhurimi është shprehja me mish e me shpirt e dashurisë së shkallës më të lartë për Krijuesin e gjithçkaje, shfaqje e koncentruar e besimit, besnikërisë, përuljes, dorëzimit, përkushtimit e frikë-respektit, e premtimit solemn për zbatimin me përpikëri të urdhëresave hyjnore.

Loti është falënderim dhe falënderimi është stolia e mirësive. “Lutja është thelbi i adhurimit”, thuhet në një transmetim profetik, ndërsa loti është lëngu i bekuar që ujit lutjen e sinqertë. Të besosh dhe të bësh vepra të mira është adhurim. Loti është argument besimi e mirësie. Loti është drita që ndriçon mendjen dhe zemrën e besimtarit, duke zhdukur çdo errësirë të dyshimit e të ligësisë djallëzore. Një besimtar i vërtetë nuk mund të derdhë “lot krokodili”.

Loti i besimtarit është i shtrenjtë, është dhembshuri, mëshirë e shpresë për hir të Zotit. Loti është besim e frikë-respekt. Loti është ajo pikë e bekuar e ujit, që tregon mrekullinë e Zotit, i Cili njeriun e krijoi prej ujit (Kur’an, 25:54).

Loti është pastërti për syrin dhe shpirtin. Duke pasur frikë nga Allahu, ne kemi frikë edhe nga vetja jonë, sepse e dimë se jemi kokë e këmbë mëkatarë. Mëkati njerëzor vuhet, paguhet ose falet. Fuqinë për të realizuar të gjitha këto e ka vetëm Allahu. Vetëm Zoti Fuqiplotë i gjykon drejtë mëkatet tona, ndaj është Gjykatësi Suprem, Fajfalës dhe Mëshirues i Madh.

Sumbulla e lotit, drejt zemrës

Loti jo më kot ka formën e globit, formën e planetit ku ne jetojmë, por edhe të planetëve të tjerë që pafundësisht lundrojnë në hapësirën e pafund.

Vini re gjithashtu ngjashmërinë midis formës së lotit dhe formës së kokës së njeriut. Pasi formohet në brendësi të syrit, loti merr formën e sumbullës së vesës, pastaj rrëshqet mbi faqe, mblidhet në formë rrëkeje nën mjekër dhe pikon, zbret drejt zemrës, prej nga e pati zanafillën.

Kjo nuk është një dukuri thjesht fizike që mund të shpjegohet me forcën e rëndesës, gjithashtu nuk është thjesht një metaforë.

Lotimi është shpesh prag shërimi nga lëngata të ndryshme. Një shpirt i çoroditur e i sëmurë nuk nxjerr lot mallëngjimi, sepse shpesh syri i tillë mbetet i thatë. Lotimi lehtëson dhembjet shpirtërore e fizike. Me anë të lotimit lehtësohen disa sëmundje psikike e depresive.

Loti i besimtarit, shuajtës i zjarrit

Nuk ka sy që loton e që Allahu të mos e ruajë nga zjarri. Nuk ka lot që rrjedh në faqe e që atë fytyrë pastaj ta prekë vështirësia e përçmimi. Sikur veç një njeri të qajë, një popull i tërë do të mëshirohej. Për çdo gjë ka peshore e masë për t’u matur e vlerësuar, përveç lotit, me të fiken dete të tërë zjarri./Mesazhi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit