Mursi në Gjykatën Penale të Kajros ka dalë përballë gjyqtarit për t’u rigjykuar sërish së bashku me 21 të akuzuar të tjerë, në lidhje me çështjen e cila në opinionin publik njihet si “spiunimi për Hamasin”
KAJRO (AA) – Muhammed Mursi, presidenti i cili u largua nga detyra e tij me grusht shteti ushtarak në Egjipt, është shprehur se nuk është e drejtë që ai të gjykohet në gjykatat normale pasi ende është presidenti legjitim i vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Mursi në Gjykatën Penale të Kajros ka dalë përballë gjyqtarit për t’u rigjykuar sërish së bashku me 21 të akuzuar të tjerë, në lidhje me çështjen e cila në opinionin publik njihet si “spiunimi për Hamasin.”
Gjatë seancës gjyqësore duke mbrojtur qëndrimin se ende është presidenti legjitim i vendit dhe për këtë arsye nuk është e drejtë që ai të gjykohet në gjykatat normale, Mursi ka tërhequr vëmendjen se sipas kushtetutës gjykimi i presidentëve duhet të kryhet brenda një procedure të caktuar. “E respektoj gjykatën, por ajo nuk ka autoritetin për gjykimin tim”, është shprehur Mursi.
Gjykata e Apelit në lidhje me çështjen “spiunimi për Hamasin”, kishte anuluar më parë vendimin e dhënë me dënimin burg të përjetshëm (25 vite) ndaj Mursit, dhe për 21 të akuzuarit e tjerë të dënuar “me vdekje, burg të përjetshëm dhe me nga 7 vite burg.”
Çështja në fjalë nisi më 18 korrik 2013 kundër 36 të akuzuarve, nga kryeprokurori Hisham Berekat i cili u vra si pasojë e një atentati në vitin 2015. Më 16 qershor 2015 në përfundim të çështjes, Mursi, kreu i këshillit konsultativ të Vëllazërisë Muslimane, Beddi, ish-kreu i Parlamentit, Katatni dhe 14 persona të tjerë drejtues të Vëllazërisë Muslimane u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa për 16 pjesëtarët e tjerë si Shatir, Biltaci dhe Abdulati të cilët njihen si truri i organizatës u dha dënimi me vdekje.
Prokurori kishte ngritur akuzat “rrjedhje të informacioneve për organizatat si Hamas, Hizbullah dhe Garda Revolucionare Iraniane, si dhe planifikim të akteve terroriste në territoret e Egjiptit”, për të cilët të akuzuarit kanë refuzuar të gjitha këto akuza.