Prokurorët e BE-së do të hetojnë figura kyçe qeveritare në Kosovë për përfshirjen e mundshme në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të organeve, që joshi donatorët e varfër, duke iu marrë atyre veshkat dhe duke ia shitur pastaj ato përfituesve të pasur për shuma të majme, citon gazeta britanike Independent, burime të afërta me rastin.
Pesë persona janë gjetur fajtorë në javën e kaluar për trafikimin e qenieve njerëzore dhe transplantet e paligjshme të organeve në fazën e parë të gjykimit, duke përfshirë urologun Lutfi Dervishi, drejtor i Klinikës, dhe djalin e tij, Arbanin, të cilët u dënuan me tetë dhe shtatë vjet respektivisht. Ky mendohet të jetë rasti i parë në botë, ku mjekët gjenden bashkëfajtorë për trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar, shkruan britanikja.
Misioni për sundimin e ligjit i BE-së, EULEX, thotë se ende nuk mund të konfirmojë identitetin e atyre që po i heton në fazën e dytë. Por, në aktakuzën e ndryshuar ka përfundimi i gjykimit të parë, thuhej se mjekët e Medicusit kanë “mbajtur konsultime të vazhdueshme dhe kanë pasur takime me zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës”, duke përfshirë Mujën dhe ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Alush Gashin.
Jonathan Ratel, prokurori kryesor i rastit, i tha revistës Independent se “hetimi i ri është nxjerrë direkt nga dëshmitë e dhëna në gjykimin e parë, duke përfshirë edhe dëshmitarët, të identifikuar në aktakuzën e ndryshuar.”
Muja dëshmoi gjatë gjykimit se ai i kishte takuar mjekët, të cilët kishin aplikuar për një licencë për të kryer transplante. Ai mohoi se ka pasur njohuri për rrjetin e trafikimit.
Interpoli është duke kërkuar ende kirurgun turk Jusuf Sonmez, i quajtur nga mediat turke si “Dr Frankenstein”, për të cilin thuhet se ka kryer shumicën e operacioneve në klinikën Medicus.
Ratel beson se ai po i vazhdon operacionet e tij në Afrikën e Jugut, pasi ka ikur nga arresti shtëpiak në Stamboll.
Zgjerimi i hetimeve ku do të përfshiheshin figura qeveritare të afërta me Thaçin, sipas gazetës, e ka vë BE-në në një pozitë të vështirë. Burime të afërta me hetimin thonë se ka pasur një hezitim në mesin e zyrtarëve të lartë në Bruksel për ta çuar përpara procesin gjyqësor të trafikimit të organeve, për shkak se kjo do ta shqetësonte procesin e brishtë të tranzicionit në Kosovë.
Ata pretendojnë se ka qenë përcaktimi individual i prokurorëve, ai që e ka mbajtur gjallë procesin.
“Ka një perceptim se EULEX-i nuk dëshiron ta godasë barkën me gurë, duke ngritur shumë aktakuza të nivelit të lartë. Stabiliteti është prioriteti numër një për komunitetin ndërkombëtar”, citon Independent, një diplomat perëndimor që ka folur në kushte anonimiteti.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Dy javë më parë, Serbia ra dakord ta njohë sovranitetin e Kosovës për herë të parë, por zbatimi i marrëveshjes është plot me vështirësi për shkak të kundërshtimeve të minoritetit serb brenda Kosovës, shkruan Independent. /