Marvi Mihali, 22-vjeçari që u vra me thikë dje, ishte djali i vetëm i atletit Pavllo Mihali. Dhimbja është e madhe dhe familje ka hapur dyert e mortit. Në një reagim lidhur me ngjarjen e rëndë ku djali i vetëm i humbi jetën, Pavllo Mihali tregon për “Shekullin” se e vërteta e ngjarjes është për një karikues.
Sipas tij, Marvi u sulmua nga grupet e gangsterëve, duke i çarë aortën. Ai tha se Marvi ishte vetë i dytë në sherr dhe nuk ka mundur të shpëtojë nga thika e sulmuesve, që sipas tij ishin të shumtë, 10-15 vetë.
“E vërteta është sipas organeve të Policisë. Për Marvin shkruajnë shokët e vet të shkollës si djalë model dhe shembullor. Grupet e gangsterëve i ranë me thikë duke i çarë aortën, ata ishin 10-15 veta, kurse djali im ishte vetë i dytë. Marvi nuk i njihte. Një shok i Marvit ia kishte shitur vagabondëve celularin. Shoku thërret Marvin nga lokali. Marvi nuk u përfshi në sherr. 3 grupet erdhën dhe i sulmuan këta të dy. Marvit ia ngulën thikën.”