Rrëfimet, është interesante, ndikojnë shumë, edhe pse shpeshherë janë pjellë e imagjinatës, lirisht lexo famëkeqe të njerëzve të pasionuar pas gjërave të kota. Mjerisht, në këtë grackë ranë si viktima edhe disa biografë të jetës së Pejgamberit alejhi selam, edhe pse qëllimet e tyre janë diametralisht të kundërta me ato të rrëfimtarëve që përmendëm.
Këto rrëfime me avancimin dhe përparimin e teknologjisë informative në vend që të merrnin fund e së vërtetës t’i lihej vendi i saj, kanë marrë hov dhe vrull saqë është e pamundur të hulumtosh për tematika të ngjashme e të mos hasësh më së shumti në to. Kjo, siç kanë përmendur shumë dijetarë, është vetëm një imazh i injorancës së muslimanëve në raport me fenë e tyre1.
Kështu, sa herë që vjen muaji Rebiul Evvel, muaji i lindjes së krijesës më të nderuar tek Allahu i Madhëruar, rishfaqen në skenën e muslimanëve, edhe ashtu të mjerë, “rrëfime” që e ngulfasin atë. Ato ndizen si një zjarr që nën vello të shndritjes dhe ndriçimit të personalitetit të Pejgamberit alejhi selam, e tymosin dhe e njollosin atë. Ato e zhvendosin vëmendjen nga ajo së cilës nuk duhet t’i ndahemi kurrë dhe që llogaritet si dëshmi kryesore dhe më sfiduese e pejgamberisë së tij alejhi selam, në gjëra që faktet vërtetojnë të kundërtën.
Fjalën e kam për ndërlidhjen e lindjes së Pejgamberit, alejhi selam me disa fenomene natyrore, që kinse paskan paralajmëruar për ardhjen e tij. “Rrëzimi i 14 pirgjeve nga kështjella e Kisrasë në Persi, fikja e zjarrit që me shekuj e kanë adhuruar farisejët në Indi, rrëzimi i kishave rreth liqenit Sava pasi më pare ai është tharë”, etj, janë disa prej atyre rrëfimeve që nuk janë verifikuar si të vërteta dhe që si te tilla nuk ia vlejnë të përmendën në ligjëratat tona. Ajo që prej tyre është vërtetuar është vetëm rasti i Emines, që në ëndërr ka parë një dritë të ketë dalë prej saj dhe të ketë ndriçuar vendet përreth2.
Ky artikull modest synon sqarimin e së vërtetës nga e kota përkitazi me këto rrëfime.
1. Drita…
Prej atyre rrëfimeve shumë të pabaza dhe tepër ofenduese për Pejgamberin alejhi selam është edhe drita, e cila është rrëfyer ne dy raste; njërin shumë negativ e tjetrin pozitiv:
A) Para lindjes, ku ai ishte dritë në ballin e babait, Abdullahut3. Ja edhe një version i këtij rrëfimi. “Ishte një grua nga Hath’ami, e cila e prezantonte veten e saj gjate kohës së haxhit. Ishte e bukur dhe me vete kishte ushqim kinse për shitje. I shkoi Abdullahut dhe i tha: “Unë nuk po e bart këtë ushqim për ta shitur pse kam nevojë për para, por po shikoj nëse mund ta gjej ndonjë burrë të përshtatshëm. Nëse ta merr mendja për mua, ja ku më ke.” Abdullahu i tha: “Rri këtu derisa të kthehem.” Shkoi tek familja dhe atje pati kontakt me Eminën, e cila mbeti me barrë me Muhammedin alejhi selam. Kur u kthye tek gruaja, ajo kinse nuk po e njihte Abdullahun. “Nuk je ti ai që unë po pres. Ai kishte një dritë në ballë, që ty nuk po ta shoh”, i tha gruaja.
Imam Dhehebiu ka thënë: “Këto hadithe dhe të ngjashmet nuk pranohen, forca e transmetuesve refuzohet dhe ata cilësohen të dobët”, derisa recensenti i El Bidaje ve’n Nihaje ka thënë: “Forma sipërfaqësore e tij (rrëfimit) tregon për falsitet dhe apokrifizëm…”4
Si mund të thuhet një gjë e tillë për një personalitet siç ishte Muhamedi alejhi selam dhe si mund të vërtetohet pejgamberia e një Pejgamberi siç ishte Muhamedi alejhi selam me rrëfime si ky? Kjo mund të jetë ofendim por lavdërim apo parashenjë e pejgamberisë nuk ka gjasa të jetë.
Kurse drita që Eminia pa në ëndërr është vërtetuar. Taberaniu transmeton se Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
“ورأت أمي في منامها أنه خرج من بين رجليها سراج أضاءت له قصور الشام
“Nëna ime ka parë një dritë t’i ketë dalë prej nën këmbëve, që ka shndritur pallatet e Shamit.”5
Ndriçimi i pallateve të vendeve dhe Basrasë, sipas Maxhid Sulejman Dudin, pa dyshim së përfaqëson faktin e përhapjes së madhe të rrezeve të besimit (monoteist), të cilat burojnë nga duart e Pejgamberit Fisnik në Ujdhesën Arabe dhe paraqesin zhdukjen e errësirës së padrejtësisë, e cila ishte zhvilluar në kohën kur mendja (e pastër), dituria (burimore dhe e mirëfilltë) dhe besimi (monoteist) mungonin6.
B) Pas lindjes.
Edhe këtu kemi një nënndarje. Nëse bëhet fjalë për dritën që ka parë Eminia, nëna e Muhamedit alejhi selam, atëherë ajo është vërtetuar. Imam Ahmedi transmeton nga El Irbad b. Sarije një hadith, ku përveç të tjerash qëndron:
“إِنَّ أُمَّ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ رَأَتْ حِينَ وَضَعَتْهُ نُورًا أَضَاءَتْ مِنْهُ قُصُورُ الشَّامِ
“…nëna e të Dërguarit të Allahut, kur e lindi atë, pa një dritë prej së cilës u ndriçuan pallatet e Shamit.”7
Kurse sa i përket asaj se ka qenë nur që nuk ka pasur hije, siç qëndron edhe në mevlud8, është diç që bie ndesh edhe me Kuranin Famëlartë. Si mund të jetë i tillë kur ai ishte njeri prej gjakut, mishit e eshtrave, ishte i krijuar nga babai dhe nëna?! Ai ishte siç ishin edhe Profetët; hante, pinte, martohej, sëmurej, gëzohej, hidhërohej… Thotë Allahu i Madhëruar:
“قُلْ إِنَّمَا أَنَا بَشَرٌ مِّثْلُكُمْ يُوحَى إِلَيَّ أَنَّمَا إِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ
“Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj…”9
Madje vetë ai alejhi selam e ka mohuar një gjë të tillë dhe duke rrëfyer për materien e krijimit të krijesave jep këtë sqarim:
“خُلِقَت المَلائِكَةُ مِن نُورٍ ، وَخُلِقَ إِبلِيسُ مِن نَارِ السَّمومِ ، وَخُلِقَ آدَمُ عَلَيهِ السَّلامُ مِمَّا وُصِفَ لَكُم
“Melaiket janë krijuar nga nuri, Iblisi është krijuar nga flaka e fortë e zjarrit, kurse Ademi alejhi selam është krijuar ashtu siç u është përshkruar juve.”10
Aludimi profetik sigurisht se mund të jetë edhe në këto ajete kuranore ku përshkruhet krijimi i njeriut dhe xhinëve:
“وَلَقَدْ خَلَقْنَا الإِنسَانَ مِن صَلْصَالٍ مِّنْ حَمَإٍ مَّسْنُونٍ وَالْجَآنَّ خَلَقْنَاهُ مِن قَبْلُ مِن نَّارِ السَّمُومِ وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلاَئِكَةِ إِنِّي خَالِقٌ بَشَراً مِّن صَلْصَالٍ مِّنْ حَمَإٍ مَّسْنُونٍ
“Ne krijuam njeriun nga balta e argjilës së zezë e të prishur (me erë të keqe) (të formuar-të trajtuar-mesnun). 27. E xhinët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë. 28. Dhe (përkujto) kur Zoti yt engjëjve u tha: “Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë e me erë.”11
Pra, përderisa Muhamedi alejhi selam ka qenë trup, atëherë ai edhe hije duhet të ketë pasur patjetër.12
Por, nëse me dritë (nur) është për qellim misioni i tij që nxori njerëzimin nga errësira në dritë, pra domethënia alegorike, atëherë kjo është e vërtetë. Thotë Allahu i Madhëruar:
“وما كان لبشر أن يكلمه الله إلا وحيا أو من وراء حجاب أو يرسل رسولا فيوحي بإذنه ما يشاء إنه عليم حكيم وكذلك أوحينا إليك روحا من أمرنا ما كنت تدري ما الكتاب ولا الإيمان ولكن جعلناه نورا نهدي به من نشاء من عبادنا وإنك لتهدي إلى صراط مستقيم صراط الله الذي له ما في السماوات وما في الأرض ألا إلى الله تصير الأمور
“Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur All-llahu ndryshe, vetëm se me anë të frymëzimit, ose pas ndonjë perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (melek), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet, Ai është më i larti, më i urti. Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur’anin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kurani) as ç’është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë. Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë. Në rrugën e Allahut, të cilit i takon çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, e ta dini se të gjitha çështjet janë me vullnetin e Allahut.”13
2. Rrëzimi i 14 pirgjeve nga kështjella e Kisrasë në Persi
Është thënë se kinse me lindjen e Muhamedit alejhi selam u rrëzuan katërmbëdhjetë pirgje të kështjellës së Kisrasë14 në Persi, por rezultoi të jetë lajm i gabuar. Ky lajm u komentua si rrëzim i fronit dhe kalim i pushtetit nga Kisraja tek muslimanët. Madje, shifrën e 14 pirgjeve e kanë komentuar me rrëzimin e katërmbëdhjetë mbretërve, i fundit prej të cilëve u nënshtrua në kohën e Omerit nën komandën e Sa’d b. Ebi Vekkasit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, në betejën e njohur të Kadisijjes15.
Muhamed El Gazali në librin e tij Fihu’s Sireh me recensim të haditheve nga Muhammed Nasiruddin el Albani, këtë ngjarje e klasifikon si të fabrikuar dhe aspak të vërtetë.16
3. Fikja e zjarrit të mexhusëve
Sipas rrëfimeve, ai zjarr nuk ishte fikur që prej një mijë vitesh17. Kur lindi Muhamedi alejhi’ selam, ai zjarr u fik18.
Edhe pse qe komentuar mire19, si parashenjë e fikjes së dritës së zymtë të politeizmit20, megjithatë, ajo nuk është vërtetuar me dëshmi të sakta. Shumë dijetarë bashkëkohorë këto gjëra të transmetuara nga Bejhekiu e të përfshira në shumë libra nga të tjerët i kanë cilësuar të pabaza21.
4. Shterja e liqenit Sava dhe rrëzimi i kishave
Shumë biografë kanë përmendur se me rastin e lindjes së Muhamedit alejhi selam ishte shterë liqeni Sava,22 që për pasojë kishte rrëzimin e kishave. SafijuRrahman El Mubarekfuri23 duke cituar Muhamed Gazaliun mbështet mendimin e pavërtetësisë së tyre24.
Muhammed Nasiruddin Albani në Sahihu’s Sireti’n Nebevijjeh thotë: “Lëkundja e pallatit të Kisrasë (Cezarit) dhe rrëzimi i 14 pirgjeve; fikja e zjarrit; ëndrra e Mubidhanit (për shkatërrimin e fronit), e gjëra të tjera janë të pavërtetuara.”
Kurse Dr. Ekrem Dija el Umerijj në librin e tij Es Siretu’n Nebevijjetu’s Sahihah, 1/98/101, thotë: “…Po kështu janë transmetuar informacione apokrife dhe të fabrikuara rreth paralajmërimit të tyre për lindjen e Muhamedit alejhi selam: rrëzimi i disa putave në Mekë, lëkundja e pallatit dhe rrëzimi i pirgjeve të Kisrasë, fikja e zjarreve të mexhusëve, shterja e liqenit Sava, ëndrra e Mubidhanit…etj25.
Këto nuk janë të vetmet, ekzistojnë edhe rrëfime të tjera, por ne u mjaftuam me sqarimin e tyre, meqë janë më shumë të përhapura në mesin e njerëzve.
Përfundimisht
A ka nevojë Muhamedi alejhi selam për vërtetimin e pejgamberisë së tij me gënjeshtra sikur këto? Çfarë na bën të jepemi pas tyre kur, siç thotë Muhamed Gazali26, Muhamedi alejhi selam nuk ka nevojë për to? Madje ai asnjërën prej tyre nuk e tha me gojën e vet. Çudi, ndoshta sipas këtyre rrëfimtarëve nuk e ka ditur një gjë të tillë.
Këto janë shpifje,27 ndaj, duhet ditur se pejgamberia e tij nuk vërtetohet me gjëra të tilla por me fakte të prera. A nuk mjaftojnë citatet e Kuranit dhe hadithet autentike për të dëshmuar vërtetësinë e pejgamberisë së tij? Thotë Allahu i Madhëruar:
“لَّـكِنِ اللّهُ يَشْهَدُ بِمَا أَنزَلَ إِلَيْكَ أَنزَلَهُ بِعِلْمِهِ وَالْمَلآئِكَةُ يَشْهَدُونَ وَكَفَى بِاللّهِ شَهِيداً
“(Jehuditë i thanë se nuk të besojmë në shpallje Muhamedit) Por All-llahu dëshmon për atë që t’u zbrit ty, atë ta zbriti sipas dijes së Vet, edhe engjëjt dëshmojnë, po mjaft është Allahu dëshmues.”28
“إِذَا جَاءكَ الْمُنَافِقُونَ قَالُوا نَشْهَدُ إِنَّكَ لَرَسُولُ اللَّهِ وَاللَّهُ يَعْلَمُ إِنَّكَ لَرَسُولُهُ وَاللَّهُ يَشْهَدُ إِنَّ الْمُنَافِقِينَ لَكَاذِبُونَ
“Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: “Ne dëshmojmë se vërtet ti je i Dërguar i Allahut!” E, Allahu e di se ti je i Dërguar i Tij, por Allahu dëshmon se hipokritët janë rrenacakë (kur thonë ashtu).”29
Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
“إِنَّ مَثَلِي وَمَثَلَ الْأَنْبِيَاءِ مِنْ قَبْلِي كَمَثَلِ رَجُلٍ بَنَى بَيْتًا فَأَحْسَنَهُ وَأَجْمَلَهُ إِلَّا مَوْضِعَ لَبِنَةٍ مِنْ زَاوِيَةٍ فَجَعَلَ النَّاسُ يَطُوفُونَ بِهِ وَيَعْجَبُونَ لَهُ وَيَقُولُونَ هَلَّا وُضِعَتْ هَذِهِ اللَّبِنَةُ قَالَ فَأَنَا اللَّبِنَةُ وَأَنَا خَاتِمُ النَّبِيِّينَ
“Shembulli im dhe i Profetëve para meje është sikur shembulli i një njeriu që ndërton një shtëpi të mirë dhe të zbukuruar, por në një qoshe të saj lë zbrazët një vend sa një tullë. Njerëzit e vizitojnë atë dhe iu pëlqen shumë, por mungesa e tullës i bën të pyesin: “Përse nuk është vënë edhe kjo tullë?” Unë jam ajo dhe unë jam i fundit – vula e Profetëve.”30
O Zot! Na dhuro dituri të vërtetë, e cila na udhëheq në rrugën drejt kënaqësisë Sate dhe na largo nga rruga e cila tërheq pas hidhërimin Tënd!
Sedat Islami
5.4.2009
1 El Ehadith el mevduah vel kasas el mekdhubeh el munteshere bejnel muslimine ale’l intnernet, parathënia, www.almehskat.net.
2 Sahihu’l xhamii, 224.
3 http://saaid.net/Minute/m62.htm
4 Ekzistojnë edhe versione të tjera të përmendura nga autori, por nuk e pashë të rrugës t’i përmend meqë edhe ashtu ato nuk janë shumë të njohura në mesin tonë, madje edhe punimi në shqip është version i shkurtuar