-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Njohuri mbi shkencën e feve komparative (krahasime ndërfetare)

Më të lexuarat

Falënderimet më të sinqerta dhe lavdërimet i takojnë vetëm Krijuesit, Sunduesit të kësaj gjithësie. Atë e falënderojmë që na dalloi nga të gjitha krijesat e tjera duke na dhuruar mendjen, arsyen, intelektin e mbi të gjitha na krijoi në formën më të përsosur. Paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin për vulën e Pejgamberëve, Muhamedin alejhi selam, për familjen e tij të ndershme, për shokët e tij të dashur dhe për mbarë bamirësit besimtarë.

Të nderuar lexues e dashamirë të dijes, shkenca mbi Fetë Komparative ka vlera të larta dhe për muslimanët është e vjetër sa edhe shkencat e tjera islame. Për shumë lexues është bërë e njohur shkenca që merret me studimin e feve komparative, mirëpo të paktë janë ata që zotërojnë njohuri mbi zanafillën, ecurinë dhe parimet e kësaj shkence. Si çdo shkencë tjetër, edhe ajo e Feve Komparative ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për njohjen dhe thellimin e njohurive mbi fetë dhe krahasimin mes tyre.

Për rolin dhe rëndësinë e kësaj shkence është punuar shumë, sidomos në vitet e para të Islamit, kur filluan çlirimet e tokave dhe u ndeshën kultura të ndryshme fetare. Për këtë do të flitet edhe gjatë temës në vazhdim.


Synimi i punimit

Ky punim ka për qëllim që studiuesve në veçanti dhe lexuesve në përgjithësi t’u sjellë të dhëna mbi këtë shkencë, pasi në gjuhën shqipe nuk kemi diçka të posaçme rreth saj. Kohëve të fundit dëgjoja shumë te rinj, studentë, kolegë, duke pyetur mbi rëndësinë e kësaj shkence. Është e vërtetë se asnjë shkencë nuk mund të shtjellohet në disa minuta, ndaj edhe iu qasa këtij punimi gjithnjë duke lutur Allahun e Madhërishëm se ky punim do t’i plotësojë sadopak nevojat e lexuesve shqipfolës.

Interesimi i madh që mbizotëronte te dijetarët e kaluar për çështjen e kësaj shkence duket sikur frymëzon edhe në ditët tona, mirëpo mund të shtoj se kjo shkencë aq sa është tërheqëse aq është edhe e vështirë për t’u kuptuar. Për këtë arsye edhe termi komparativ/krahasimor është kuptuar në forma të ndryshme nga disa njerëz. Si rrjedhim, shohim se një grup dijetarësh termin “krahasim” e refuzojnë kategorikisht, sidomos kur ka të bëjë me fushën e studimeve islame. Ky grup mendon se studimi i shkencës së komparacionit i vë studimet islame në të njëjtën peshore me mësimet e tjera, të cilat si burim kanë mendjen laike dhe idhujtare. Kur mospajtimi ndeshet me vetë termin, pa dyshim se diskutimi mbi fetë krahasuese do të jetë edhe më i refuzuar për arsye se feja islame është frymëzim dhe shpallje nga Zoti, për çka nuk ekziston dyshim, ndërsa për sa u përket feve të tjera aty nuk ka siguri për t’u mbështetur si rezultat i shtrembërimeve të librave të shenjtë nga duart e njerëzve. Këto ishin disa nga mendimet e grupit mohues, sipas të cilëve kjo shkencë nuk meriton të studiohet, por lexuesi duhet ta ketë të qartë se po të anojmë nga mendimi i lartpërmendur vërtet gabojmë që në start. Andaj le t’i hedhim vetëm një vështrim synimit të kësaj shkence, që të shohim se cilat janë të mirat që sjell studimi i shkencës në fjalë.

Pa dyshim, studimi i shkencës “Fetë Komparative” te muslimanët ka për qëllim mbrojtjen e Islamit duke e përshkruar ashtu siç e ka përshkruar edhe Allahu i Madhërishëm, si fe të vërtetë. “Feja e pranueshme tek Allahu është Islami…”1

Nëse bazohemi në atë se Allahu i Madhërishëm do ta ruajë këtë fe, s’ka dyshim se këtë nuk e ndryshon kush, mirëpo në anën tjetër shtrohet pyetja se si t’u flasim të tjerëve për fenë tonë. Përgjigjja është shumë e lehtë: t’ua sqarojmë atyre vetëm duke krahasuar mes feve si mënyra më efikase që do të çojë te mirëkuptimi i fesë së vërtetë islame. Kemi harruar se Islamin që mësojmë, sikur ta mësonin të gjithë në këtë mënyrë, kurrë nuk do të ndodhnin këto përçarje të përditshme, ndaj nga gjithë ajo që u cek më lart mund të themi se studimi i shkencës se feve komparative synon krahasimin mes feve, me qëllim largimin dhe evitimin e shumë divergjencave dhe dyshimeve mes tyre, që të dalë në shesh e mira dhe e keqja, e dobishmja dhe e kota, gjithnjë duke e treguar vërtetësinë e fesë islame me argumente të qarta dhe bindëse. Shkenca në fjalë është një fushë që studion religjionet të cilat analizojnë ngjashmëritë dhe dallimet e motiveve të tyre, mitet, ritualet si dhe konceptet ndër religjionet e botës2. Duhet ta kemi te qartë se kuptimi i shkencës në fjalë dallon tek orientalistet, të cilët përmes kësaj shkence orvaten ta sulmojnë Islamin me të gjitha metodat që zotërojnë. Nuk duhet harruar se orientalistët i kanë kushtuar rëndësi tepër të madhe hapjes së shumë departamenteve në universitetet e tyre, duke publikuar në tërë botën lajmin se shpenzimet për të studiuar këtë shkencë i merr përsipër universiteti i tyre. Ky lajm ishte përhapur edhe te studentët muslimanë, të cilët pa hezituar kanë pranuar ftesat për studime falas. Çfarë fshihet pas këtij plani…? Synimi i tyre final ishte futja e kësaj lënde në universitetet e tyre, në mënyrë që ta shkatërrojnë Islamin, por kësaj radhe sulmi zhvillohej brenda universiteteve në mënyrë paqësore, përmes punimeve shkencore pranë studentëve muslimanë.

Duhet cekur se një prej metodave të tyre që përdoren në këto universitete ishte bashkimi i feve, metodë që bëri shpëlarjen e trurit të studentëve muslimanë ndaj barazisë në mes feve. Ishin këto mësime të shtrembëruara të pranuara nga studentët muslimanë, të cilët më pas edhe do t’i bartnin tek të tjerët, duke menduar se ishin të sakta, mirëpo në fakt kjo ishte skema e orientalistëve, e cila edhe doli e suksesshme. Ajo që dua të them është se pavarësisht nga planet e tyre, shkenca e feve komparative nuk ishte themeluar nga orientalistët. Fillimet e saj janë të hershme, qysh nga shpallja e Islamit. Ata që mendojnë se kjo shkencë ishte themeluar nga orientalistët gabohen. Për këtë do të flasim me vonë.

Të nderuar lexues, duke parë sulmet dhe keqinterpretimet e orientalistëve ndaj Islamit, shohim se kjo shkencë vërtet meriton të studiohet në thelb, në mënyrë që studentët muslimanë të mos bien pre e ndonjë të mire që do të lërë pasoja gjatë tërë jetës. Këtu kam për qëllim studentët tanë shqiptarë kudo që janë, sidomos ata që studiojnë në vende joislame. Në vazhdim do flasim mbi historikun e kësaj shkence.

Shkenca mbi fetë komparative dhe marrëdhëniet e saj me shkencat e tjera islame

Duke u nisur nga fakti se shkenca mbi fetë komparative është shkencë që meriton interesim serioz, jo vetëm mësimet e saj, por gjithashtu edhe historiku në të cilën ajo kaloi, që nga themelimi i saj e gjer në ditët tona, është shumë larg logjikës së njeriut që një meritë mbi këtë shkencë t’u jepet atyre që në fakt e sulmojnë Islamin. Si shumë shkenca të tjera islame, edhe kjo shkencë daton që nga kohët e hershme. Pra, shkenca mbi fetë komparative qenka vepër e muslimanëve, andaj edhe duhet renditur me shkencat e tjera islame. Për ta argumentuar këtë realitet, në vazhdim kemi sjellë disa argumente rreth kohës së themelimit të kësaj shkence.

Prof. dr. Ahmed Shelebiu thotë se kur erdhi periudha e shkrimit, në mes të shekullit të dytë hixhri, muslimanët filluan të shkruanin rreth fik’hut, tefsirit, hadithit, në të njëjtën kohë ata i ishin qasur edhe shkrimit të shkencës “Fetë Komparative”, prandaj ajo është shkencë islame dhe duhet llogaritur sikurse shkencat e tjera islame3.

Shkenca mbi Fetë Komparative nuk ekzistonte para ardhjes së Islamit. Shkaqet ishin të shumta; asnjë fe nuk pranonte tjetrën, në fakt, çdo fe e akuzonte tjetrën si të humbur e të shtrembëruar. Të mos harrojmë qëndrimin e Judaizmit ndaj Krishterimit dhe Isait alejhi selam e në veçanti qëndrimin e Krishterimit ndaj Judaizmit dhe çifutëve. Po ashtu edhe qëndrimin e Hinduizmit ndaj Budizmit dhe anasjelltas si dhe qëndrimin e Krishterimit ndaj Islamit në Spanjë (Andaluzi). Feja islame ishte paraqitur pas ardhjes së shumë feve mbi sipërfaqen e tokës, çka solli themelimin e shkencës se feve komparative.

Themelimi dhe zhvillimi i shkencës së feve komparative

Para se të flasim mbi themelimin e shkencës së feve komparative në Islam, do ishte në interes të lexuesit t’i cekim disa nga shkaqet që çuan në themelimin e kësaj shkence. Në librin “Filozofia Islame” të autorit Dr. Alij Mahfudh Alij Idham janë cekur disa shkaqe të rëndësishme që sollën deri te themelimi i kësaj shkence:

1) Liria e të menduarit në Islam

Me të vërtetë Islami solli shumë të mira, prej tyre ishte edhe liria e të menduarit, e cila ndikoi në themelimin e shkencës së feve komparative. Për këtë mund të përmendim kalifin el-Me’mun, që organizonte tubime dhe seminare ku debatohej rreth feve, shkollave juridike, fraksioneve. Si ligjërues në këto tubime ishte i pranishëm profesori i tij Eba el-Hudhejli el-Ilafi.

2) Toleranca e muslimanëve ndaj pasuesve të Librit

Islami i kushton rëndësi të madhe tolerancës fetare e në veçanti me pasuesit e librave, bazuar në ajetin kuranor: “Në fe nuk ka dhunë…”4

Nuk ka dyshim se ky varg kuranor i stimulonte muslimanët të njiheshin me fetë e tjera, të debatojnë rreth tyre si dhe të njihen më për së afërmi me mësimet e tyre, në mënyrë që muslimanët të jenë të aftë të kundërpërgjigjen mbi çështjet kryesore që kanë të bëjnë me fetë.

3) Mbrojtja e Islamit

Pa dyshim se mbrojtja e fesë islame konsiderohej prej shkaqeve kryesore drejt themelimit të shkencës së feve komparative. Edhe debatet dhe polemikat rreth feve gjithherë synonin njohjen e së vërtetës mbi fetë, e kjo ishte se feja e vërtetë është Islami. Në të nuk ka trinitet e as mbyllje siç ndodh në Krishterim dhe Judaizëm.

Si argument se në atë kohë kishte aktivitete të tilla shohim punimin e parë që na ka arritur në shkencën e feve komparative, të cilën e kishte shkruar el-Xhahidhi. Në këtë letër shohim kundërpërgjigje ndaj të krishterëve dhe mbrojtje të fesë islame. Më vonë shohim se kishte edhe libra të shkruar në këtë fushë. Si shkak kryesor drejt themelimit të kësaj shkence ishte toleranca fetare që Islami dhe muslimanët përdornin gjatë debateve me pasuesit e feve të tjera. Ahmed Shelebiu thotë se toleranca islame vinte nga fakti se Islami i pranonte të gjitha fetë e tjera5.

Duhet përmendur se një krahasim i këtij lloji ndeshet edhe në kohën e Pejgamberit alejhi selam gjatë debateve, polemikave dhe bisedave të tij me ateistët, çifutët si dhe me të krishterët rreth çështjes së njëshmërisë së Zotit, profetësisë, librave të shenjtë dhe shumë çështjeve të tjera fetare. Mund të thuhet se komparacioni luan rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e Islamit në mes çifutëve dhe të krishterëve. Sot është koha që më së shumti të punohet në këtë drejtim, duke marrë për bazë edhe faktorët e lartpërmendur.

Themelimi i shkencës së feve komparative ishte si rezultat i vetë muslimanëve të cilët përballeshin me sfida të ndryshme nga fetë që i kishin paraprirë shfaqjes së Islamit, pikërisht për këtë u desh që muslimanët t’i ftonin pasuesit e feve të tjera në tubime e polemika, gjithnjë duke polemizuar në mënyrë të mirë dhe me njohuri të mësimeve islame e mësimeve çifute dhe të krishtera.

Duke përdorur këto metoda të suksesshme do të shohim se të vërtetat e Islamit do të shfaqen në mendjet e njerëzve dhe zemrat e tyre do të besojnë. Njëherazi, muslimanët duhet ta kuptojnë se kjo shkencë konsiderohet ndër armët më të rëndësishme për t’iu kundërvënë sfidave të çifutëve, të krishterëve dhe të pasuesve të feve të tjera.

Përveç shkaqeve që cekëm më lart, mund të themi se nevoja e madhe që kishte daveti për këtë shkencë bëri që ajo të jetë ndihmesë e madhe për t’i përballuar sulmet që i vinin Islamit nga të gjitha anët dhe për këtë shkak u ndie nevoja për themelimin e saj. Më pas, rrugët e saj i hapi Kurani e Hadithi, pasi ajo ndihmohej nga ajetet kuranore dhe hadithet e Pejgamberit alejhi selam.

Për t’u njohur më mirë me etapat e kësaj shkence dhe zhvillimin e saj deri në ditët e sotme, e gjejmë atë të ketë kaluar në disa faza, ku më të rëndësishmet janë:

Faza e Parë: Periudha e zanafillës.
Faza e Dytë: Periudha e shkrimit të saj.
Faza e Tretë: Periudha e zhvillimit dhe e vazhdimësisë.
Faza e Katërt: Periudha e rënies dhe e humbjes së saj.
Faza e Pestë: Periudha e rikthimit të saj në arenën islame.

I. Periudha e zanafillës së feve komparative

Kjo periudhë fillon me zbritjen e ajeteve kuranore, të cilat bartin aspektin komparativ, si për shembull ajetet vijuese:

“Ju në vend të Allahut jeni duke adhuruar vetëm idhuj që i trilloni vetë si gënjeshtarë. S’ka dyshim se ata që i adhuroni në vend të Allahut nuk posedojnë furnizimin tuaj, pra kërkojeni furnizimin te Allahu, adhurojeni Atë dhe shprehni falënderimin Atij, pse tek Ai do të ktheheni.”6

“Atëherë pra, a është Ai që krijon njësoj, sikurse ai që nuk krijon? A nuk po mendoni?”7

“Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: “Ji”! ai qe.”8

Krahas këtyre ajeteve, kemi edhe bisedat dhe debatet e Pejgamberit alejhi selam, të cilat i zhvillonte me çifutët dhe të krishterët mbi njëshmërinë dhe Pejgamberllëkun si dhe çështje të tjera me rëndësi në lëmin religjioz. Këtë rrugë e ndoqën edhe shokët e Pejgamberit alejhi selam, ku më vonë shohim një zhvillim të shkëlqyer të shkrimit të kësaj shkence dhe të regjistrimit të saj në libra dhe dorëshkrime të shumta, fat ky që e gëzuan edhe shkencat e tjera islame9.


ii. Periudha e shkrimit të shkencës së feve komparative

Periudha e parë, siç e cekëm edhe më lart, ka lidhje më së shumti me debatet, bisedat dhe diskutimet e ndryshme në lëmin e feve. Kjo periudhë dallon nga e para. Në këtë kohë, çdo gjë filloi të ndërtohej dhe të regjistrohej nëpër libra dhe fletushka, e tërë kjo ndodhi si rezultat i nevojës së madhe që ndihej për studimin e shkencës në fjalë. Nuk ka dyshim se ecuria e kësaj periudhe nuk qe e shkurtër. Siç ceket edhe në librin “Historiku i Ibën Hishamit”, kjo shkencë zhvillohej hap pas hapi, derisa mori formën e saj të plotë. Për herë të parë në historinë e feve komparative shohim të ketë lulëzuar libri i njohur i Nubihtit, i cili titullohet “El-Arau veddijanat”. Libri ishte shkruar në fund të shekullit të dytë (sipas kalendarit islam). Libri në fjalë posedon vlera të shumta dhe mbarë dijetarët e kësaj shkence e llogarisin si librin e parë të kësaj fushe.

Më vonë shohim edhe studime të tjera në lëmin e Krishterimit, të cilat i përkasin periudhës së dytë të kësaj shkence. Ndërsa për vlerën dhe rëndësinë që i kushtohej shkencës komparative të feve dhe përkthimit të librave në këtë fushë, shohim se në kohën e liderit islam (kalifit), Harun Err-Reshidit, gjejmë përkthimin e Tevratit dhe Inxhilit10. Të dy këta libra ishin përkthyer nga dijetari dhe njohësi i gjuhëve të asaj kohe Ahmed bin Abdullah bin Selam bin Halifeh11. Përkthimi i tyre me të vërtetë tregon përparimin dhe zhvillimin e shkencës së komparacionit. Më vonë, në kohën e liderit të muslimanëve, kalifit el-Me’mun, zhvilloheshin debate dhe diskutime të vazhdueshme në lëmin e feve. Në ato debate merrnin pjesë dijetarë dhe hulumtues të njohur të asaj kohe. Pra, kur të kemi të bëjmë me debate të kësaj fushe, mund të nxjerrim edhe disa mësime të dobishme, që për të diskutuar me pasues të feve të tjera duhet të kihet parasysh edhe njohja e shumë shkencave të tjera, pa të cilat debati nuk do të ketë fare sukses. Si shkenca me rëndësi mund të numërojmë njohjen e shkencës së Kuranit, tefsiri, shkaqet e zbritjes së ajeteve, të gjitha këto luajnë rol të veçantë drejt argumentimit dhe shfuqizimit të argumenteve që vijnë nga pala tjetër, po ashtu edhe shkenca e hadithit, historia e feve, njohja e gjuhëve të huaja, gjithashtu kërkohen nga debatuesi, pa të cilat rezultatet e debatit do të jenë joefikase, në fakt kjo për audiencën islame mund të ngjallë edhe dyshime në besimin islam. Kemi shumë raste në Kosovë ku për shkaqe të mosnjohjes së gjuhës apo si mungesë e kuadrove, persona jokompetentë marrin përsipër këtë përgjegjësi dhe për rrjedhojë munden nga pala tjetër.

iii. Periudha e zhvillimit dhe e vazhdimësisë së komparacionit

Këtë periudhë, për dallim nga dy të parat, e karakterizon zhvillimi i hovshëm në nxjerrjen dhe lulëzimin e shumë librave dhe hulumtimeve komparative (krahasuese). Interesimi i madh i dijetarëve dhe i hulumtuesve islamë kishte rezultuar në shtimin dhe studimin e debateve nga më të ndryshmet, veçmas duke filluar nga shekulli i dytë hixhri e gjer në shekullin e nëntë. Gjatë këtyre shekujve, dijetarët islamë dhuruan një kontribut të çmuar, duke lënë pas libra dhe dorëshkrime me famë botërore në lëmin e kësaj shkence. S’do mend se edhe njohja e gjuhëve luajti rol të rëndësishëm që shumë libra të përktheheshin në gjuhën arabe, përndryshe nuk do të ishte e mundur që të njiheshin ndasitë e burimeve të çdo feje. Pra, siç u tha edhe më lart, këtë periudhë e karakterizon botimi i librave të shumtë. Në vazhdim do të cekim emrat e dijetarëve të vyeshëm të kësaj fushe dhe librat e shkruar nga pena e tyre, gjithnjë duke pasur parasysh që përmes shkrimeve të tyre të paraqesim argumentet e tyre bindëse mbi vërtetësinë e Islamit dhe të librit të shenjtë, Kuranit.

• Nuhbihti me librin e tij të mirënjohur “El-Arau veddijanat”, libër ky i radhitur ndër më të parët në fushën e komparacionit. (Për lindjen e tij nuk kemi asnjë të dhënë, për fat të mirë viti i vdekjes së Nuhbihtit është cekur edhe në literaturën islame. Ai ka vdekur në vitin 202 hixhri). Pra, nga kjo shohim se shkenca e komparacionit na qenka shumë e vjetër, vetë libri i tij “Mendimet dhe Fetë” na jep të kuptojmë se ka pasur studime serioze në atë kohë. Sido që të jetë, ky është libri i parë që na ka arritur në duart tona dhe si i tillë meriton të renditet nga të parët.

• El-Mes’udij kishte shkruar dy punime në këtë drejtim:

1)El-Mesail vel-ilel Fil Medhahibi vel Milel

2)Sirrul Hajah. Bazuar në vdekjen e autorit (vdiq në vitin 346 hixhri), shohim se librat e punuar nga ky dijetar tregojnë se nuk kishte ndonjë rënie të interesimit mbi këtë fushë, në fakt interesimi i dijetarëve dhe literatura e tyre sa vinte e shtohej.

• Ebul Hasen El-Amirij (vdiq në vitin 381 hixhri), kishte shkruar librin e tij shumë të njohur: “El-I’lam Bimenakibil Islam”.

• El-Mesbehij (vdiq në vitin 420 hixhri). Autori në fjalë kishte shkruar librin “Derkul Begijeh”, në të cilin kishte përshkruar fetë dhe ritet fetare.

• Eburrejhaan El-Bejruni (vdiq në vitin 425 hixhri). Bejruni kishte shkruar punimin e tij të titulluar: “Tahkik ma lilhindi min mekuletin makbuletin fil Akli Ev Merdhuletin”.

• Ebu Mensur El-Bagdadi (vdiq në vitin 429 hixhri), punimi i tij titullohej “El-Milel Ven-Nihel”.

• Ibn Hazm El-Endelusij (vdiq në vitin 456), libri i tij titullohej: “Elfaslu Fil Mileli Vel Ehva Ven-Nihel.

• Esh-shehrestani (vdiq në vitin 458 hixhri), punimi i të cilit titullohej: “El-Milel Ven-Nihel”. Libri në fjalë edhe sot e kësaj dite mësohet në shumë universitete islame.

• El-Gazaliu (vdiq në vitin 505 hixhri), libri i tij quhet “Err-rred El-xhemil”, punim shumë i dobishëm në lëmin e debateve religjioze, për të cilin Prof. Dr. Abdul Aziz Abdul Hak Hilmi thotë se ishte shkruar në Aleksandri nga pena e dijetarit Imam el Gazali, mëshira e Allahut qoftë mbi shpirtin e tij. Mendimin e tij e mbështet në atë se në Aleksandri ngjalleshin shumë debate në fusha të ndryshme, në veçanti debatet që kishin të bënin me Krishterimin e vjetër, prandaj qyteti i Aleksandrisë i kushtonte rëndësi të veçantë kësaj fushe. Mos të harrojmë se Abdul Aziz ishte recensues i librit: “Err-rred El-xhemil”12.

• Ebu El-beka Salih Bin El-Husejn El-Xha’ferij (ka jetuar pas Imam El-Gazaliut dhe ka vdekur në vitin 661), libri i tij quhej: “Tahxhilun min Harfi Et-tevrat vel-Inxhil”.

• Ahmed bin Idris El-Karafi El-Malikij (vdiq në vitin 684 hixhri). El-karafi librin e tij e kishte titulluar: “El-Exhvibetu El-Fahiretu”.

• Ahmed bin Tejmije (vdiq në vitin 628 hixhri), punimi i tij quhej: “El-xhevab Es-sahih Limen Bed-del Dinel Mesih”.

• Ibën Kajim El-Xhevzije (vdiq në vitin 751 hixhri), libri i tij në lëmin e feve titullohej: “Hidajetul Hijarij minel Jehud Ven-nesara”.

• Esh-shejh Abdullah Et-Terxhuman (vdiq në vitin 823 hixhri), libri i tij titullohej “Tuhfetu El-Erib Firr-rredi Ala Ehli Es-salib”.

Këta ishin disa nga librat e dijetarëve të vjetër, të cilat edhe sot studiohen me përkushtim të madh. Lexuesi tashmë do të ketë një diapazon më të gjerë në lëmin e shkencës së komparacionit, duke parë se mundi i dijetarëve në fushën e feve komparative, duke filluar nga shekulli II hixhri e gjer në fillim të shekullit të VIII hixhri, ishte i palodhshëm dhe efektiv. Prandaj, librat e sipërshënuar konsiderohen nga më të rëndësishmit. Vlen të theksohet se në mesin e tyre kishte dijetarë të enciklopedisë islame, si shembulli i Imam ibën Tejmijes, Imam Gazaliut, Shehrestanit, të cilët jo vetëm që punuan në drejtim të kësaj shkence, por në fakt e mbuluan tokën me njohuri të përgjithshme të të gjitha sferave. Ata kohën e tyre e ndanin edhe për zhvillimin e shkencës së feve krahasuese, e cila ka për synim njohjen e studiuesit me besimet dhe akaidet e këtyre pasuesve, pa marrë parasysh pasues të feve qiellore apo të feve të tjera që si burim kanë njeriun.

Do të kishte qenë në interes të lexuesit që t’u kthehet edhe librave të tjerë që kanë të bëjnë me këtë fushë studimit. Si libra të tjerë të dobishëm do të kisha cekur edhe librin “Kitabul Fusul li Ebil Hasen El-Esh’arij”, i cili si libër voluminoz sqaron kundërpërgjigjet e Ebil Hasen El-Esh’arij ndaj brehamive, çifutëve, të krishterëve dhe zjarrputistëve.

Kontributi i dijetarëve modernë në lëmin e shkencës së komparacionit

Për sa i përket kontributit të çmuar të dijetarëve modernë, themi se mundi i tyre ishte një vazhdim i asaj që dijetarët e vjetër filluan. Këtë periudhë e karakterizon kontributi i tyre duke e ndërlidhur shkencë në fjalë me mbarë shkencat e tjera islame, pra ata i japin një pasqyrë edhe më të qartë themelimit të shkencës së feve komparative duke i kushtuar një rëndësi themelore kontinuitetit të saj dhe synimeve që posedon në vete për mbrojtjen e Islamit dhe të revelatës së tij. Prandaj kjo periudhë numëron një numër të madh librash dhe dorëshkrimesh të kësaj fushe, por fatkeqësisht që për momentin shumica e tyre gjenden në bibliotekat e orientalistëve. Vetëm kur të na jepet rasti t’i posedojmë dorëshkrimet e tilla, do jemi në gjendje të shohim vlerën dhe rëndësinë që posedon shkenca e komparacionit dhe së këndejmi shumë vëllezër muslimanë do të ndryshojnë edhe qëndrimet e tyre të gabuara që kanë formuar ndaj shkencës në fjalë.

Lexuesi do të ketë rastin që tash të njihet edhe me dijetarët modernë dhe kontributin e tyre shkencor, por disa prej tyre kanë vdekur me vdekjen e autorëve e disa prej tyre ende ruhen dhe mësohen në shumë universitete të ndryshme botërore. Nga to mund të renditim:

• El-Imam Muhammed Abduhu, libri i tij titullohej “El-Islam Ven-Nasranijetu Mea’l Ilmi Vel-Medenijeti”. Në lidhje me këtë libër, Dr. Ahmed Shelebiu në librat e tij tregon se nuk kemi njohuri se ku gjendet ky libër.

• El-Imam Muhammed Ebu Zehretu dhe libri i tij “Muhaderat Fin-Nasranijjeti”.

• Dr. Ahmed Shelebi, njëri prej dijetarëve më të njohur të kësaj fushe në ditët tona. Ahmed Shelebiu ka bërë një punë të madhe në shkencën e Feve Komparative. Libri i tij quhet “Mukarenet El-Edjan” dhe përbëhet nga katër vëllime; vëllimi i parë flet për Judaizmin, vëllimi i dytë flet për Krishterimin, i treti flet për Islamin, kurse në vëllimin e katërt autori ka përshkruar fetë e mëdha të Indisë.

• Dr. Refki Zahir dhe libri i tij “Kis-satul Edjan; Dirase Tarihije Mukarene”.

• Dr. Mahfudh Alij Izam nga Universiteti Gjerman. Alij Izam ka shkruar një sqarim të shkurtër mbi shkencën e feve komparative.

• Prof. Abdul Aziz El-Hak Hilmi, njëherazi recensues i librit “Err-Rred El-Xhemil” të Imam El-Gazaliut. Ajo që librin e bën të lexueshëm janë shtojcat e recensuesit, të cilat librit i japin një rëndësi të madhe. Zakonisht shtojcat që ka ofruar Abdul Aziz në fusnotat e librit “Err-Red El-Xhemil” i përgjigjen sferës së kontributit të muslimanëve dhe orientalistëve të kësaj fushe. Është me rëndësi për t’u theksuar se dijetarët e kësaj fushe, të cilët dhanë mundin e tyre maksimal drejt vazhdueshmërisë së komparacionit, do mbeten gjithmonë në memoriet e studentëve dhe studiuesve anekënd botës. Edhe pse numri i atyre që përmendëm më lart nuk ishte aq i madh, por sikur t’i kthehemi librave të tyre, t’i studionim ashtu siç kërkohet nga hulumtuesit, vërtet njohuritë e tyre do të na mjaftonin për të njohur fenë tonë të drejtë më tepër dhe do të posedonim një pasqyrë më të kthjellët rreth mënyrës dhe metodologjisë që kërkohet gjatë debateve, gjë që sot na mungon shumë. Andaj, për ta kuptuar lëmin e feve komparative na duhet t’i kthehemi historikut të saj, t’u kthehemi dy periudhave të dijetarëve dhe punimeve të tyre shkencore, të studiojmë nga afër shkrimet dhe librat e tyre me një përkushtim të thellë.

Dobitë që sjell shkenca e feve komparative

Si çdo shkencë islame, e cila mësimet e saj i mbështet në Kuran dhe në Traditën e Pejgamberit alejhi selam, edhe shkenca e Feve Komparative për lexuesin, studiuesin dhe mbarë shoqërinë ofron dobi të shumta.

Interesimi i madh i dijetarëve islamë rreth kësaj shkence tregon qartë edhe rëndësinë që kjo shkencë ka në mesin e shkencave të tjera islame. Shkenca e komparacionit besimtarin e mobilizon me të gjitha armët që ai të jetë në gjendje të mbrojë besimin e tij islam. Dobitë që kjo shkencë i ofron besimtarit janë të shumta. Fillimisht studiuesi sa më shumë që të zhytet në literaturën e kësaj shkence, aq më tepër do të frymojë mrekullinë e ruajtjes së këtij dini. Gjatë studimeve komparative do të vërejmë se si në fetë e tjera, me kalimin e kohës çdo mënyrë e riteve fetare kishte ndryshuar, me të kishin ndryshuar edhe librat e tyre. Kjo vërehet edhe në librat e mëparshëm, të zbritur nga Krijuesi i Gjithësisë. Ndërsa për të parë se si feja islame ka qëndruar e shëndoshë gjatë gjithë kohërave, ashtu siç ka garantuar edhe Allahu i Madhërishëm për një gjë të tillë, fjala vjen marrim kryerjen e namazit; qysh prej kur është shpallur Kurani Famëlartë e gjer në ditët tona ritualet tona kanë mbetur ashtu siç na ka mësuar Allahu xh.sh. dhe Muhamedi alejhi selam. Për dallim nga fetë e tjera, që e kanë kthyer liturgjinë në gjuhët e ndryshme kombëtare, feja islame ruan traditën që t’i zhvillojë namazet në gjuhën arabe, pra ajo është e njëjtë në të gjitha vendet e botës ku praktikohet feja islame, në Lindjen e Mesme dhe të Largët, në vendet afrikane, në Evropë, Azi, Amerikë, në tokë e në qiell, pra ligjet e Allahut nuk do të ndryshojnë. Këtë nuk e gjejmë te pasuesit e feve të tjera.

Nga dobitë që sjell shkenca e feve komparative është edhe rëndësia që muslimani duhet t’i kushtojë mësimit të Kuranit, pasi metodologjia më e mirë për t’i përgënjeshtruar mësimet e tjera të brishta është të kemi njohuri të mirëfillta kuranore, përndryshe besimtari nuk do të jetë në gjendje të debatojë me askënd. Njëherazi, kjo shkencë kur shpalos historikun e zbritjes së librave, të cilat kanë një burim të njëjtë, e bën të qartë se Kurani është libri i fundit dhe vula e të gjithë librave të zbritur më parë, veç kësaj shkenca e feve komparative besimtarin e pajis me njohuri të shumta mbi historikun e çdo feje, pa marrë parasysh pasuesit e tyre në numër. Gjithashtu sqaron edhe ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën e veçmas kur është fjala për Krishterimin, ku në mënyrë të qartë e paraqet se Krishterimi i këtij shekulli dallon nga çdo shekull tjetër, pra për çdo shekull ka pasur ndryshime dhe si i tillë nuk është ai me të cilin kishte ardhur Isai alejhi selam. Në shumë libra të kësaj fushe vërejmë edhe shpjegimin e ngjarjeve dhe zbardhjen e intrigave të çifutëve dhe të krishterëve drejt shtrembërimit të fesë islame, intriga këto që asnjëherë nuk u realizuan, jo pse muslimanët qenë të fortë, jo pse ushtria dhe paratë e muslimanëve u dolën ballë atyre, porse një lajm i tillë për mbrojtjen e këtij dini nga çdo lloj shtrembërimi kishte ardhur edhe në Kuran, se Allahu është Ai që do ta marrë përsipër ruajtjen e këtij libri, respektivisht Kuranin Famëlartë.

Gjatë studimit të kësaj shkence studiuesi do të hasë edhe në shumë ngjarje të cilat nuk kanë farë baze as në Kuran e as në Traditën e Pejgamberit, të cilat ne i quajmë israilijate (të transmetuara nga beni israilët) dhe orientalizma (mendime të shtrembëruara të orientalistëve) të hyra tinëzisht në literaturën islame. Me fjalë të tjera kjo do të quhej edhe një orvatje e tyre për të futur përçarje dhe shtrembërime në fenë islame, prandaj studimi i kësaj shkence më për së afërmi na mëson se si t’i dallojmë gënjeshtrat e tyre të futura tinëzisht në disa nga librat islamë. Dobi tjetër që sjell kjo shkencë është edhe njohja e dijetarëve islamë dhe literatura e tyre. Ka raste kur jobesimtarët për t’i ndryshuar mësimet islame fokusohen te një dijetar i dashur i muslimanëve dhe pas vdekjes së tij shpikin se kinse është gjetur një dorëshkrim i tij dhe si rrjedhojë në të hasim gjëra jo të mira për besimtarët apo për ndonjë dispozitë islame, apo thënë më shkurt aty mundohen që autorit t’i ulin vlerën duke e etiketuar me ndonjë të keqe ndaj fesë së tij dhe ku më vonë pasojnë debatet e padobishme në mes muslimanëve dhe rezultojnë me përçarje. Kjo bëhet vetëm pas vdekjes së dijetarit, gjë që pamundëson vërtetësinë për masën e gjerë. Një gjë e tillë është vepruar edhe me dijetarin Imam El-Gazaliun, pasi është botuar një libër me emrin e tij, por bazuar në metodologjinë e tij të shkrimit dhe shprehjet e stilit të lartë të të shprehurit ka dalë në shesh gënjeshtra e kurdisur nga gënjeshtarët. Kjo ka ardhur si rezultat i zhytjes së studiuesve në literaturën e dijetarëve eminentë, siç ishte Imam ibën Tejmije, Imam Gazaliu e shumë të tjerë, prandaj njohja e këtyre librave, autorëve, historikut të tyre nuk mund të arrihet përmes leximit, e vetmja mënyrë për t’u njohur me librat dhe autorët e tyre është diskutimi apo debatet e organizuara, të cilat rezultojnë pozitivisht tek audienca.

Nga të mirat që studimi i kësaj shkence sjell për studiuesit dhe shoqërinë është njohja e afërsisë dhe largësisë së besimtarit nga feja e tij e vërtetë, respektivisht raportet e tij me Krijuesin, duke e ditur se shkenca në fjalë studion edhe shkaqet që shpijnë drejt largimit nga feja, mirëpo në të njëjtën kohë orvatet që në mënyrë psikologjike të ofrojë edhe ilaçin për kurimin e pacientit, duke e kthyer atë në gjendjen e mëparshme.


Mr. Feim Dragusha
27.6.2008

1 Ali Imran (3), ajeti 19.
2 www.wikipedia.com The free enciklopedia, Comparative Religion.
3 Dr. Ahmed Shelebiu, Fetë Komparative 1, Judaizëm, f. 27 (libri është në gjuhën arabe).
4 El-Bekare (2), ajeti 256.
5 Tarihu el-menahixh ve kitabu mukaranetu el-edjan, 1, El-jehudijetu lil ustadh Ahmed Shelebi.
6 El-Ankebut (29), ajeti 17.
7 En-Nahl (16), ajeti 17.
8 Ali Imran (3), ajeti 59.
9 Siretu Ibn Hisham.
10 Mukaddimetun fi Ilmi Mukarenet El-Edjan, te autorit: Es-sejid Muhammed Akil bin Alij el-Mehdelij.
11 Abdul Aziz Abdul Hak Hilmi, Tahkik ve Takdim Kitab: Err-Red El-xhemil Lil Gazali. Faqe 74 – 75.
12 Abdul Aziz Abdul Hak Hilmi, Recensues i librit “Err-rred El-Xhemil”, faqe 135. Për më shumë mund t’i ktheheni librit “Mukaddimetun fi Ilmi Mukarenet El-Edjan” të autorit Es-sejid Muhammed Akil bin Alij el-Mehdelij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit