Grupi i australianëve i përbërë nga muslimanë, të krishterë dhe hebrenj, të mbështetetur nga aktivistë të të drejtave të njeriut, kërkuan tërheqjen e menjëhershme të Izraelit nga tokat e Palestinës
MELBOURNE (AA) – Në qytetin Melbourne të Australisë qindra qytetarë në shenjë proteste marshuan rrugëve të qytetit për të kundërshtuar kufizimet dhe shkeljet e Izraelit ndaj Al-Aksas, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupi i australianëve i përbërë nga muslimanë, të krishterë dhe hebrenj, të mbështetetur nga aktivistë të të drejtave të njeriut, kërkuan tërheqjen e menjëhershme të Izraelit nga tokat e Palestinës dhe dhënien fund të praktikave kundër Al-Aksa-së. Ata marshonin me slloganet “Palestina e lirë, Gaza e lirë”, “Largohu nga Gaza, largohu nga Palestina”, si dhe në duar mbanin pankarta me mbishkrime “Fund pushtimit”, “Hiqe dorën nga Al-Aksa”.
Hasan Karakoç, i cili ishte i pranishëm në protesta, për AA-në tha se: “Kemi ardhur këtu për të dënuar pushtimin dhe shtypjen e Al-Aksas. Ne e protestojmë Izraelin në qytetin Melbourne të Australisë për t’i mbrojtur të drejtat e vëllezërve tanë muslimanë-palestinezë, si dhe për ta ngritur zërin e të gjithë muslimanëve në botë”.
Hasan Akça, një tjetër protestues, tha se muslimanët përsëri po kalojnë në një provim dhe se tani është koha për të qenë të bashkuar. “Edhe ne këtu duhet të qëndrojmë në këmbë me ndershmëri për shpëtimin e umetit të Muhamedit (a.s) dhe jemi të detyruar që t’i mbështesim në çfarë do mënyrë vëllezërit tanë”.
Marshimi nëpër rrugët e qytetit Melbourne përfundoi pa incidente.
Kujtojmë se tensionet e fundit eskaluan pasi autoritetet izraelite mbyllën kompleksin Al-Aksa, pasi paraprakisht policia më 14 korrik vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa deklaroi se gjatë incidentit janë plagosur dy policë izraelitë, të cilët kanë vdekur në spital. Pas dy ditëve, më 16 korrik, duke hapur dyert e saj Izraeli vendosi detektorë metalikë.
Pas reagimeve, me vendimin e Këshillit të Sigurisë, më 25 korrik Izraeli hoqi detektorët e metalit dhe më pas hoqi edhe barrierat e hekurit të vendosura pranë portave të Al-Aksas.