Nuk ka dyshim se selami është sunet i hershëm që nga koha e Ademit (alejhi selam) e do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit. Gjithashtu ai është përshëndetje e banorëve të xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “… E përshëndetja e tyre është: Selam!” Junus, 10.
Selami është sunet i profetëve, cilësi e të devotshmëve, tipar apo veçori e të pastërve, por në këto ditë, në mesin e myslimanëve, ekziston një ftohje dhe ndarje e qartë. Kështu që sheh ndonjërin kalon pranë vëllait të tij musliman dhe nuk i jep selam, e disa të tjerë i japin selam vetëm atyre që i njohin, ndërkaq disa të tjerë çuditen nëse të tjerët që nuk i njohin u japin selam atyre, sa që mbetet i habitur e pyet: “A më njeh mua?!”
E gjithë kjo është në kundërshtim me urdhrin e të dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!), derisa zemrat janë larguar, është shtuar ftohja dhe largimi nga njëri-tjetri. I Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!)ka thënë: “Nuk keni për të hyrë në xhenet, derisa të besoni, e nuk do të besoni përderisa të duheni. A doni t’ju tregoj për një gjë që nëse e praktikoni do të duheni? Përhapeni selamin në mesin tuaj!” Shënon Muslimi.
Në hadithin të cilin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi një njeri e pyeti të dërguarin e Allahut: “Cili Islam është më i miri?” Të ushqesh të varfrit dhe t’i japësh selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh,- u përgjigj i dërguari i Allahut.
Nga ky hadith mësojmë nxitjen dhe inkurajimin nga ana e profetit për përhapjen e selamit në mes të myslimanëve dhe jo vetëm në mes të atyre që i njeh dhe miqve të tu, por ndaj muslimanëve në përgjithësi.
Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) shkonte në treg dhe thoshte se shkojmë në treg për shkak të selamit, t’i japim selam atij që e takojmë.
Selami dëshmon për modestinë e muslimanit dhe dashurinë e tij ndaj tjetrit, si dhe tregon për pastërtinë e zemrës së tij nga hasedi (zilia) urrejtja, mendjemadhësia, nënvlerësimi i tjetrit, e njëkohësisht është një prej obligimeve reciproke në mes të myslimanëve. Është nga shkaqet e arritjes së njohjes sa më shumë të miqve të rinj dhe shtimit të dashurisë dhe afrimit në mes tyre dhe prej shkaqeve të fitimit të të mirave e hyrjes në xhenete. Në përhapjen e tij e ringjallim një sunet të të dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!).
I dërguari ka thënë: “Obligimet e muslimanit ndaj vëllait të tij janë pesë: kthimi i selamit, thënia e fjalës ‘Allahu të mëshiroftë’ ndaj atij që teshtin e thotë ’falënderimi i qoftë Allahut’, përgjigjja ndaj ftesës, vizita e të sëmurit dhe përcjellja e kufomës’. Shënon Muslimi.
Është uaxhib (obligim) i atij që i jepet selam ta kthejë, duke zbatuar urdhrin e të dërguarit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ku Ebu Seid el Huderi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Kini kujdes nga të ndenjurit nëpër rrugë!” Të pranishmit i thanë: “O i dërguar i Allahut, janë momente që patjetër duhet sikur bisedojmë në to.” Atëherë u tha: “Atëherë, jepini të drejtën e saj!’ E cila është e drejta e saj, o i dërguar i Allahut? – e pyetën. Ulja e shikimit, largimi i të këqijave, kthimi i selamit dhe urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja, -u tha. Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Imam Neueuiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Përshëndetja është sunet, ndërkaq përgjigjja e saj është uaxhib (obligim) nëse janë grup e njëri prej tyre jep selam, atëherë arrihet vlera e sunetit për të gjithë, nëse atij që i jepet selam është një person atij i obligohet kthimi i selamit, e nëse janë grup atëherë kthimi i selamit është farz kifaje për ta, nëse njëri prej tyre e kthen selamin, të tjerët lirohen nga ky obligim, por më mirë është të fillojnë të gjithë me selam e ta kthejnë të gjithë.
Format e selamit
Imam Neueuiu ka thënë: “Forma më e mirë e selamit është të thuhet: eselamu alejkum, e nëse atij që i jepet selam është një person, atëherë i thuhet: eselamu alejke, por më mirë është të thuhet: eselamu alejkum, ndërkaq forma më e plotësuar është t’i shtohet fjala: ue rahmetullahi ue berekatuhu.
Kthimi i selamit
Gjithashtu, imam Neueuiu thotë: “Forma më e mirë dhe më e plotë është të thuhet: ue alejkum selam ue rahmetullahi ue berekatuhu, që të thotë me ue para fjalës alejkum, po edhe në qoftë se nuk e thotë, s’ka gjë të keqe, mirëpo e ka lënë formën më të mirë. Po ashtu është e plotë edhe nëse thotë vetëm: ue alejkum selam apo alejkum selam.
Shkallët e selamit
Selami i ka tri shkallë, ajo më e plota, më e mira dhe më e vlefshme është: eselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu, pastaj vijon: eselamu alejkum ue rahmetullahi dhe më e ulta: Eselamu alejkum.
Ndaj muslimani ose mund të marrë shpërblimin e plotë ose më pak, varësisht nga forma dhe shkalla e tij. Është transmetuar se një njeri hyri në xhami tek i dërguari i Allahut i ulur, shokët pranë tij, njeriu tha: “Eselamu alejkum!” I dërguari i Allahut tha: “Ue alejkum selam, dhjetë.” Pastaj hyri një tjetër dhe tha: “Eselamu alejkum ue rahmetullahi!” I dërguari i Allahut tha: “Ue alejkum selam ue rahmetullahi, njëzet.” Pastaj hyri një tjetër e tha: “Eselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!” I dërguari i Allahut tha: “Ue alejkum selam ue rahmetullahi ue berekatuhu, tridhjetë.” Shënon Ebu Daudi dhe Tirmidhi. Do të thotë: dhjetë, njëzet, tridhjetë të mira.
Disa nga rregullat e selamit
1. Nëse takohen dy persona në rrugë nga suneti është që i hipuri t’i japë selam atij që ecën, grupi i vogël i jep selam grupit të madh dhe i vogli i jep selam të rriturit. I dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: i hipuri i jep selam atij që ecën; ai që ecën, të ulurit; grupi i vogël, grupit të madh”. Shënon Muslimi.
2. Muslimani, përshëndetja e tij ndaj muslimanëve duhet të jetë me selam, e jo me “mirëmëngjesi”, “mirëdita”, “alo” e të ngjashme me to, por duhet të fillojë me selam e pastaj nëse do i përdor edhe lloje të përshëndetjeve të tjera të lejuara.
3. Me rastin e hyrjes në shtëpi preferohet dhënia e selamit, ngase begatitë vijnë me selam, i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur të hysh tek familja jep selam, kjo është begati për ty dhe familjen tënde.” Shënon Tirmidhiu. E nëse nuk ka askush në të, atëherë thotë: “Selami qoftë mbi ne dhe mbi robërit e mirë të Allahut”. Shënon Muslimi.
4. Selami duhet të jetë me zë të dëgjueshëm, mos ta bezdis atë që e dëgjon dhe mos ta zgjojë atë që fle. Mikdadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë se i ruanim profetit pjesën e tij të qumështit, vinte gjatë natës, e na jepte selam, nuk e zgjonte të fjeturin dhe e dëgjonte i zgjuari. Shënon Muslimi.
5. Preferohet përsëritja e selamit me rastin e ndarjes së ndonjë vëllai, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore. Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse e takon dikush vëllanë e vet, le t’i jap selam, e nëse në mes tyre ka ndonjë pemë, mur apo gur e pastaj e takon le t’i japë atij selam”. Shënon Ebu Daudi.
6. Dukuri mjaft e përhapur në mesin e njerëzve dhënia selam me shenjë nga larg duke ngritur dorën në shenjë salami. Nëse ai që jep selam është larg dhe e shqipton selamin e pastaj bën me shenjë s’ka gjë të keqe, përderisa nuk të dëgjon, ngase shenja është treguese e selamit e nuk do të thotë se e zëvendëson atë, kështu veprohet edhe me rastin e kthimit të selamit.
7. Preferohet për ulësin me rastin e ngritjes nga tubimi që të japë selam, duke u bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ku thotë: “Kur të ulet ndokush në ndonjë tubim le të japë selam, po ashtu nëse ngrihet le të japë selam”. Shënon Ebu Daudi.
8. Përshëndetja me dorë dhe zgjatja e saj vëllait tënd me rastin e selamit është e preferuar. I dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk takohen dy muslimanë e përshëndeten me dorë vetëm se iu falen mëkatet, para se të ndahen.” Shënon Ebu Daudi dhe Tirmidhi.
9. Përpiqu që me rastin e përshëndetjes me selam të buzëqeshësh, ngase i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është sadaka”. Shënon Muslimi.
10. Rekomandimi i selamit ndaj të vegjëlve, ashtu siç praktikonte i dërguari (salallahu alejhi ue selem).
11. Mos fillimi i dhënies selam jobesimtarëve, ngase i dërguari i Allahut thotë: “Nëse u japin selam pasuesit e librit thoni: ue alejkum”. Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Vëlla i dashur! Këto ishin disa nga dispozitat dhe rregullat mbi dhënien e selamit, andaj të përpiqemi ta ringjallim këtë sunet në mesin e myslimanëve, në mënyrë që të afrohen zemrat e të fitojmë shpërblimet nga ana e Allahut të Madhërishëm.
Përktheu: Almedin Ejupi
24.03.2007