Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Mos i shoqëro Allahut askënd, edhe nëse vritesh dhe digjesh…”
Ndërsa në veprën e Buhariut: “El-edebul-mufred” qëndron: “Mos i shoqëro Allahut asgjë, edhe nëse copëtohesh dhe digjesh…”
I Dërguari i Allahut (salaAllahu alejhi ue selem) filloi porositjen e Muadh Ibn Xhebelit (radijallahu anhu) duke e ndaluar atë t’i bëjë shirk Allahut të Lartësuar, ngase shirku (t’i shoqërosh Allahut në adhurim diçka përveç Tij) është mëkati më i madh. Allahu i Lartësuar thotë në porosinë e Lukmanit dhënë birit të tij:
“O biri im, mos i shoqëro Allahut diçka në adhurim, vërtetë shirku është padrejtësi e madhe.” (Lukman 31, 13)
Thotë Allahu i Lartësuar:
“Allahu nuk fal atë që Atij t’i shoqërohet diçka në adhurim dhe ia falë përveç asaj atij që Ai dëshiron.” (Nisa 4, 48)
“Dhe ai që i bën shirk Allahut ka shpifur një mëkat të madh.” (Nisa 4, 48)
Gjithashtu thotë:
“Dhe ai që i shoqëron Allahut edhe diçka tjetër tashmë ka humbur në një humnerë të largët.” (Nisa 4, 116)
Gjithashtu thotë:
“Ai që i shoqëron diçka Allahut në adhurim tashmë ia ka bërë atij Allahu haram Xhenetin (ia ka ndaluar) e vendbanimi i tij është zjarri, dhe për zullumqarët nuk ka ndihmtarë.” (Maide 5, 72)
Gjithashtu, i Lartësuari thotë:
“Ai që i bën shirk Allahut është sikurse të bjerë dhe të përplaset nga qielli e ta rrëmbejë shpendi ose sikur ta përplasë era e stuhishme në ndonjë vend të humbur.”(El-Haxh 22, 31)
E pasi i Dërguari i Allahut (salaallahu alejhi ue selem) u pyet se cili mëkat është më i madhi, tha: “T’i bësh Allahut shok, kurse Ai ty të ka krijuar.” Ndërsa, në një hadith të vërtetë, të cilin e transmeton Muslimi, qëndron se si një grua nga beni Israilët (të bijtë e Jakubit (alejhi selam)) e afruan ta hedhin në zjarrin e hendeqeve të tyre, në mënyrë që të largohet nga feja e saj se përndryshe do ta djegin, ndërsa ajo mbante foshnjen që i dhimbsej po të hynte në zjarr. Por Allahu i Lartësuar e bëri foshnjen që t’i flasë nënës: “Oj nënë, duro, sepse ti je në hakk (në rrugë të drejtë).”
Po ashtu ngjarja e Ibrahimit (alejhi selam), të cilin populli i tij e ekspozoi para zjarrit:
“Ata thanë: “Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, në qoftë se e bëni një gjë të tillë!” Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (Enbija 21, 68-69)
Nga Habbab Ibn Eretti (radijAllahu anhu) transmetohet se ka thënë:
“U ankuam tek i Dërguari i Allahut, derisa ishte i mbështetur tek një rrobë e tij në hijen e Qabes, dhe i thamë: “A nuk po kërkon ndihmë (Allahut) për ne? A nuk po lutesh për ne?” E i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Ka pasur para jush të tillë kur merrej njeriu dhe i hapej atij një gropë në tokë e pastaj e futnin në të dhe e përshkonin trupin e tij me krehër të hekurt, me gjithë mishin dhe ashtin e tij, dhe kjo nuk e shmangte atë nga feja e tij. Pasha Allahun, gjithsesi Allahu do ta plotësojë këtë çështje (Islamin), saqë kalorësi do të udhëtojë prej Sanasë[1] e deri në Hadremeut[2]dhe nuk do t’i frikësohet askujt përveç Allahut dhe ujkut për delet e tij, por ju po nguteni.”
(Buhariu në Sahihun e tij)
E t’i bësh shirk Allahut do të thotë t’ia kushtosh të drejtat e Allahut dikujt tjetër përveç Tij, që është padrejtësi dhe shpifje e kulluar.[3]
04.11.2006
[1] Kryeqyteti i Jemenit.
[2] Krahinë në jug të Gadishullit Arabik.
[3] Prej formave të shirkut është edhe rrotullimi rreth varrezave, të kërkuarit ndihmë nga të vdekurit, falli, horoskopi, parashikimi i fateve të njerëzve përmes tyre etj.