Organizata e Bashkëpunimit Islam dhe Liga Arabe kanë dënuar vendosjen e kamerave vëzhguese dhe detektorëve metalikë në hyrje të kompleksit Al-Aksa në Jerusalem nga ana e Izraelit
KAJRO (AA) – Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Liga Arabe kanë dënuar vendosjen e kamerave vëzhguese dhe detektorëve metalikë në hyrje të kompleksit Al-Aksa në Jerusalem nga ana e Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin me shkrim të OBI-së thuhet se hapat e autoriteteve izraelite janë ilegale dhe për këtë shkak nesër në Xheda të Arabisë Saudite është thirrur takim i jashtëzakonshëm i ministrave të Punëve të Jashtme të anëtareve të OBI-t.
Paralelisht me këtë, edhe Liga Arabe dënoi nxitjen izraelite të tensioneve dhe trazirave të sërishme në Jerusalem dhe me propozim të Jordanisë thirri seancë të jashtëzakonshme, po ashtu në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme.
“Dënojmë shkeljen shumëvjeçare të të gjitha normave në Jerusalem dhe Al-Aksa. Jerusalemi për ne është vija e kuqe. Për arabët dhe muslimanët është e papranueshme gjithçka që është në dëm të Jerusalemit. Qeveria izraelite po luan me zjarr dhe po ndez fitilin e krizës së madhe në botën islame dhe arabe”, tha Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Abul Gheit.
Autoritetet izraelite para do kohe vendosën detektorë metalikë, ndërsa sot vendosën edhe kamera në hyrje të kompleksit Al-Aksa, që shkaktoi pakënaqësi tek palestinezët dhe protesta masive në Jerusalem dhe në Bregun Perëndimor.
Izraeli arsyeton këtë masë si nevojë të sigurisë pas trazirave të paradokohshme në të cilat humbën jetën tre palestinezë dhe dy policë izraelitë. Nga ana tjetër, populli palestinez konsideron se nuk bëhet fjalë për masa të sigurisë, por për hapa me të cilat Izraeli e okupon kompleksin Al-Aksa.