Emigrantët nga BE në Gjermani janë sot më të rinj dhe të shkolluar më mirë se sa mesatarja e gjermanëve. Për ekonominë gjermane kjo është një përparësi – por jo për vendet e origjinës së migrantëve.
Emigrantët që vijnë në Gjermani janë të rinj, të shkolluar mirë, rrallë të papunë dhe dy të tretat e tyre janë evropianë. “Këtu konsiston edhe fitimi i Gjermanisë nga liria e lëvizjes,” thotë Christiane Langenfeld në prezantimin javën e kaluar (12.04.2013) në Berlin të ekspertizës vjetore për migracionin e brendshëm të BE. Kryetarja e Këshillit të Ekspertëve të Fondacioneve gjermane për Integrimin dhe Migracionin (SVR), që ka hartuar studimin, i referohet me këtë ligjeve evropiane, në bazë të të cilave evropianët mund të lëvizin lirisht në BE, p.sh. për të studiuar ose për të punuar.
Megjithatë, përsa i përket migracionit ka ende shumë pengesa, siç është për shembull gjuha, por edhe zbatimi i ligjeve të rëndësishme, për të lehtësuar emigrimin. Kështu për shembull vetëm pesë nga 16 lande gjermane kanë miratuar një ligj që lehtëson njohjen e dëshmive dhe diplomave profesionale të huaja. Mësuesit, për shembull, duhet të kualifikohen në Gjermani në dy lëndë – në të gjitha vendet e tjera të BE vetëm në një lëndë. Kjo e vështirëson marrjen e tyre në punë.
Gjermania përfiton
Universitetet gjithashtu duhet t’i nxisin më shumë studentët e huaj që të qendrojnë në Gjermani, mendojnë autorët e studimit. Sepse në Gjermani ka mungesë forcash të specializuara: shumë sipërmarrje nuk gjejnë fuqi punëtore të specializuar, për shembull për përkujdesjen ndaj pleqve, në fushën e inxhinierisë dhe në sektorin e teknologjisë informative. Në vendet e krizës së Evropës nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë njerëz nuk gjejnë punë ose e kanë humbur atë. Në kërkim të punës, shumë emigrojnë në Gjermani, ku ekonomia është në rritje.
E parë si mesatare, emigrantët që vijnë në Gjermani janë rreth dhjetë vjet më të rinj se popullsia gjermane, një e pesta e tyre (20,7 përqind) ka mbaruar universitetin. Në Gjermani kjo shifër është tek 18,1 përqind.
Kërkohen inxhinierë
Humbje për vendet e origjinës
Ekonomia gjermane përfiton nga ardhja e fuqisë punëtore, vendet e tyre të origjinës jo patjetër. Atje, sipas Këshillit të Ekspertëve të Fondacioneve gjermane për Integrimin dhe Migracionin largimi masiv i personave të kualifikuar mund të sjellë vështirësi të përkohshme. Kjo mund të thuhet për Bullgarinë dhe Rumaninë, dy vendet më të varfra të BE. Po ta humbasin këta elitën e tyre të përgatitur mirë, atyre do t’u mungojë ekspertiza për të drejtuar sipërmarrjet ose për të bërë politikë të mirë. Njëkohësisht, shifrat nuk e vërtetojnë ndjesinë se të huajt vijnë në Gjermani për të shijuar shërbimet sociale. Më shumë se 70 përqind e bullgarëve dhe rumunëve kanë një punë në Gjermani./dw