1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Poligamia në Islam

Më të lexuarat

Për shkak të praktikimit të keq të fesë si dhe mosrespektimit të rregullave të fesë islame siç duhet nga disa persona, u janë hapur dyert armiqve të Islamit dhe atyre që i kanë zemrat e sëmura, që të flasin kundër Islamit apo të fusin dyshime në fenë e pastër islame apo ta kuptojnë atë në mënyrë të gabuar dhe të lënë anash disa dispozita të fesë islame. Prej këtyre çështjeve është edhe poligamia në Islam. Për shkak të kepërdorimit të poligamisë nga disa persona është bërë poligamia për shumë persona si krim, poshtërsi dhe është akuzuar pa bazë.


Pikërisht për këtë patjetër duhet të shtjellohet kjo çështje në të gjitha aspektet, që të qartësohet realiteti i pastër i poligamisë në Islam dhe njerëzit ta kuptojnë qëllimin e poligamisë me kuptim të saktë.

Po ashtu nuk duhet harruar t’i përkujtojmë disa vëllezër të dashur të cilët veprojnë me gratë e tyre në mënyrë jo të drejtë në këtë çështje.

Një ditë më ka telefonuar një motër muslimane duke qarë dhe nuk mund ta përmbante veten për shkak se burri i saj çdo ditë e çdo natë e qorton duke i thënë: “Do të martohem edhe me një grua tjetër, do të martohem edhe me një tjetër”, saqë kjo grua kishte filluar të shqetësohej dhe të pikëllohej dhe thoshte: “Nëse ai dëshiron të martohet edhe me një grua tjetër, le të martohet, nuk ia ndaloj, mirëpo nuk ka kuptim të më ngushtojë gjithmonë me këto fjalë, si të më kërcënojë, a thua se i kam bërë ndonjë gjë të keqe!”

Për këtë shkak unë i këshilloj këta vëllezër që ta kenë frikë Allahun dhe të sillen mirë me gratë e tyre dhe të jetojnë me to një jetë të mirë. Nuk është e udhës të përdoren fjalë të cilat çojnë në çrregullimin e familjes apo e pikëllojnë familjen dhe e gjithë kjo për shkak të moskontrollimit të fjalëve apo duke mos pasur në fjalorin e tij urtësi. Kush dëshiron të martohet, le të martohet dhe nuk është e nevojshme të kërcënojë gruan kohë pas kohe se do të marrë gruan e dytë. Kjo e nervozon gruan dhe e bën ta urrejë gruan e dytë (nëse burri i saj martohet me gruan e dytë) dhe ta urrejë poligaminë në përgjithësi, saqë edhe burri do të bëhet shkaktar që ajo të bëjë mëkat (duke e urryer poligaminë) apo të mbjellë në zemrën e saj diçka të keqe ndaj poligamisë, që është në kundërshtim me Islamin.

Argumentet e lejimit të poligamisë në Islam

– Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe në qoftë se frikësoheni se nuk mund t’i trajtoni mirë jetimet, atëherë zgjidhni gra të tjera që ju pëlqejnë për martesë, dy ose tri ose edhe katër, por në qoftë se keni frikë se nuk jeni në gjendje që të mbani drejtësi (me to siç e meritojnë), atëherë vetëm me një.” (En-Nisa: 3)

Transmeton Urve ibn Zubejri, se e ka pyetur Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, gruan e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem për fjalën e Allahut: “Dhe në qoftë se frikësoheni se nuk mund t’i trajtoni mirë jetimet, atëherë zgjidhni gra të tjera që ju pëlqejnë për martesë…” Ajo tha: “O biri i motrës time (Urve ibn Zubejr e kishte Aishen teze), ky ajet ka për qëllim jetimen që jeton te përgjegjësi i saj e që ka hise në pasurinë e tij dhe përgjegjësit të saj i pëlqen pasuria e saj dhe bukuria e saj dhe ai dëshiron ta marrë për grua pa i dhënë mehër asaj ashtu siç duhet t’i japë grave të tjera. Dhe u është ndaluar të martohen me to pa mehër dhe t’u jepet shuma më e madhe e mehrit dhe është lejuar të martohen me gra të tjera përveç tyre.”

Urve thotë: “Ka thënë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Pastaj njerëzit e kanë pyetur Pejgamberin salallahu alejhi ue selem për këtë ajet dhe Allahu i Madhëruar ka zbritur ajetin ku thotë: “Të pyesin ty që t’i udhëzosh për çështjen e grave. Thuaju: “Allahu ju udhëzon ju për to dhe për çfarë ju lexohet juve në Libër për çështjen e jetimeve të cilave ju nuk u jepni pjesën e detyruar (për mehrin – vlerë për martesën e tyre dhe trashëgimin), por që megjithatë, ju lakmoni të martoheni me to.” (En-Nisa: 127) Ka thënë: “Fjala e Allahut: “dhe kjo që po ju lexohet nga libri (Kurani) përkitazi me gratë jetime” ka për qëllim ajetet e para ku Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe në qoftë se frikësoheni se nuk mund t’i trajtoni mirë jetimet, atëherë zgjidhni gra të tjera që ju pëlqejnë për martesë …” (En-Nisa: 3) Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Dhe fjala e Allahut: “me të cilat lakmoni të martoheni”, ka për qëllim që kur ndonjëri prej jush nuk lakmon të martohet me jetimet të cilat janë nën kujdesin tuaj e që nuk kanë pasuri dhe bukuri dhe për këtë ju është ndaluar të martohen me jetimet të cilave u lakmojnë pasurinë dhe bukurinë e tyre. U është ndaluar të martohen përveçse me mehër të plotë për shkak se ata nuk lakmojnë, nëse ato nuk kanë pasuri dhe bukuri.” (Buhariu 2557)

Shejh Sejid Sabiki, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dhe kuptimi i ajetin është kështu: Allahu i Madhëruar u drejtohet kujdestarëve të jetimeve duke ju thënë: Nëse një jetime është nën kujdesin tuaj dhe nëse frikësohet se nuk do t’i japë mehrin sa i takon asaj, le të largohet nga ajo dhe le të martohet me ndonjë grua tjetër, sepse gratë janë të shumta dhe Allahu nuk ia ka ngushtuar atij gjendjen dhe ia ka lejuar të martohet me deri në katër gra. E në qoftë se frikësohet nga padrejtësia ndaj grave nëse martohet me më shumë se një grua, atëherë e ka obligim të martohet vetëm me një (nuk i lejohet të martohet me më shumë se një) ose të marrë atë` që është nën pronën e tij nga robëreshat.” (Fikhus-Sune 2/96)

– Transmeton Maliku në Muvatan e tij, Nesaiu dhe Darikutni në sunenet e tyre, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i tha Gilan ibn Umeje eth-Thekafit, i cili kishte pranuar Islamin dhe ishte i martuar me dhjetë gra: “Zgjidh katër prej tyre dhe shkurorëzoj të tjerat.”

Kurse Ebu Davudi transmeton se Harith ibn Kajsi ka thënë: “Kur kam pranuar Islamin, isha i martuar me tetë gra dhe për këtë i tregova Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe më tha: “Zgjidh katër prej tyre.”

Transmeton Shafiu dhe Bejhakiu nga Neufel ibn Muavije se ka thënë: “Kur kam pranuar Islamin kam qenë i martuar me pesë gra dhe e kam pyetur Pejgamberin salallahu alejhi ue selem dhe më tha: “Shkurorëzoje njërën dhe mbaj katër.” (Ktheju Tefsirit të Kurtubiut 5/17)

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem gjatë jetës së tij e miratonte veprën e sahabëve kur martoheshin me më shumë gra sesa një dhe nuk martoheshin me më shumë se katër, njësoj siç qëndron edhe në ajetin e lartpërmendur dhe nuk transmetohet se ndonjëri prej tyre është martuar me më shumë se katër gra apo ka bërë diçka në kundërshtim me Islamin (në këtë çështje). Nuk ka dyshim se miratimi i Pejgamberit salallahu alejhi ue selem ndaj veprës së sahabëve është prej bazave të Islamit.

Urtësia e poligamisë

1. Shkaku i luftërave

Shumë herë shteti islam ballafaqohet me luftëra të shumta dhe në këtë rast vdesin shumë meshkuj, kështu që patjetër dikush duhet të marrë përsipër mbikëqyrjen e gruas së shehidit të rënë në luftë dhe rruga më e mirë për një mbikëqyrje të mirë është martesa me të.
Shumë prej muslimanëve të parë martoheshin me ato gra të veja të cilave burrat u ishin vrarë në luftë dhe kështu kujdeseshin për to dhe për fëmijët e saj duke i larguar nga rruga e keqe dhe duke shpenzuar për edukimin e tyre.

2. Mbrojtja e vetes

Ka disa meshkuj (sipas natyrshmërisë së tyre mendore dhe trupore) të cilët kanë epsh të papërmbajtur dhe ndonjëherë nuk ngopen me një grua të vetme, sidomos në disa vende të nxehta, dhe për këtë shkak në vend që të zërë një dashnore, e cila ia prish moralin, e ka të lejuar ta shfryjë epshin e tij në mënyrë hallall.
A është më e mirë për burrat dhe për shoqërinë që mashkulli të ndjekë rrugën e amoralitetit dhe shkatërrimit të shoqërisë (duke bërë amoralitet me gratë, vajzat, nënat e të tjerëve në mënyrë të paligjshme) apo t’i lejohet atij – me mëshirën e Allahut – që të martohet me më shumë se një grua? (Dhe në këtë rast ai do të jetë mbikëqyrës për të gjitha këto gra dhe duhet të jetë i drejt mes tyre.)

3. Shtimi i numrit të femrave në krahasim me numrin e meshkujve

Ka raste të ndonjë shoqërie ku numri i femrave është më i madh se numri i meshkujve, siç ndodh në ndonjë vend pas përfundimit të luftës; numri i femrave është më i madh sesa numri i meshkujve në shumë vende të botës edhe nëse nuk ka pasur luftë në atë vend.
Dhe ky shtim i numrit të femrave obligon poligaminë, kështu që të gjitha femrat të kenë një përgjegjës i cili do t’i furnizojë ato dhe mbrojë, përndryshe do të detyrohen të devijojnë duke marrë rrugën e prostitucionit dhe kështu do ta shkatërrojnë shoqërinë dhe moralin e tyre. Ose do të kalojnë jetën e tyre me dhembje dhe mundime në beqari duke humbur edhe nervat e tyre dhe kështu shoqëria do të humbë forcën e saj duke pasur mundësi që të ruajë fuqinë e shoqërisë.

4. Shtimi i pasardhësve

Ka mundësi në disa raste që gruaja të jetë sterile dhe nuk lind ose ka ndonjë sëmundje prej së cilës nuk pritet shërimi dhe dëshiron të vazhdojë jetën me burrin e saj dhe në të njëjtën kohë burri dëshiron të ketë fëmijë dhe të ketë një grua e cila mbikëqyr kërkesat e shtëpisë.
Në këtë rast, a është më e mirë që burri të jetë i kënaqur me këtë gjendje të dhimbshme duke shoqëruar gruan e tij pa pasur fëmijë dhe kjo grua e sëmurë pa pasur dikë që kujdeset për shtëpinë e të përballojë të gjitha këto humbje?!
Apo është më mirë ta shkurorëzojë këtë grua duke pasur dëshirë ajo që të vazhdojë jetën me këtë burrë dhe ai do ta lëndojë atë me shkurorëzim?
Apo të bashkojë dëshirën e saj dhe dëshirën e tij e të martohet edhe me një grua e ta mbajë edhe të parën në shtëpi dhe kështu do të ketë dobi edhe ai edhe ajo?!

5. Ndryshimi i natyrshmërisë së mashkullit nga ajo e femrës

Në shumicën e rasteve mashkulli ka epsh më shumë sesa femra dhe është i gatshëm për marrëdhënie gjatë gjithë jetës së tij, kurse gruaja është e gatshme për këtë deri kur mbush të pesëdhjetat (50-vjeçare). Pas kësaj moshe gjaku i menstruacioneve ndërpritet dhe fillojnë të zhduken vezët e shumimit.

Dhe nëse gruaja nuk mund të kryejë obligimet bashkëshortore ndaj burrit, si p.sh. të lindë fëmijë apo të bëjë marrëdhënie me të (kur të dëshirojë ai, kur dihet se në këtë kohë pas zhdukjes së vezëve të shumimit gruaja humb epshin e saj), çfarë duhet të bëjë? A nuk është më mirë për burrin të martohet edhe me një grua dhe kështu të ruhet nga haramet sesa të zërë ndonjë dashnore në haram?

6. Shkaqet e tjera të poligamisë

Ka mundësi që burri ta marrë gruan tjetër për respekt ndaj dikujt tjetër, pasi kësaj gruaje i ka vdekur burri ose e ka shkurorëzuar atë dhe nuk ka kush të kujdeset për të përveç një burri.

a. Çfarë të bëjë një mashkull nëse gruaja e tij ka dëshirë të grindet dhe ia mbush jetën me grindje ditë e natë? Në këtë rast ky person ose duhet të shkurorëzohet nga kjo grua dhe ta shkatërrojë familjen duke pasur fëmijë me këtë grua ose duhet të martohet edhe me një grua tjetër dhe ka mundësi që ky rast të bëhet shkak për përmirësimin e saj, sepse shumë gra frikësohen nga ortaket se mos e bën për vete burrin e saj dhe në këtë rast ajo do të përmirësojë sjelljet me burrin e saj.

b. Zgjatja e kohës së menstruacioneve dhe lehonisë te disa gra

Disa burra nuk kanë mundësi të bëjnë durim gjatë kësaj periudhe dhe poligamia është një shërim për ta dhe mbrojtje nga disa probleme që mund të ndodhin brenda shtëpisë.

Këto janë disa shkaqe të përgjithshme të cilat i ka vështruar Islami, që e lejon poligaminë dhe nuk e veçon për ndonjë shoqëri apo për ndonjë kohë të caktuar, mirëpo e lejon atë për të gjithë njerëzit (meshkujt) derisa të trashëgojë njeriu tokën dhe çka ka në të.
Dhe kujdesi ndaj umetit islam – duke shtuar numrin e muslimanëve në luftë dhe në paqe- është prej qëllimeve kryesore të ligjit islam.

– Dukuritë negative të përhapura te shoqëritë të cilat ndalojnë poligaminë
Lejueshmëria e poligamisë në Islam e ka mbajtur shoqërinë islame të pastër nga prishja dhe nga zhdukja e moralit, por këto dukuri janë të përhapura te shoqëritë të cilat nuk besojnë në poligami dhe nuk e lejojnë atë dhe për këtë shkak janë shfaqur disa dukuri negative, si:

1. Përhapja e paturpësisë dhe amoralitetit.

2. Lindja e fëmijëve jashtëmartesorë (kopilëve)

3. Përhapja e sëmundjeve trupore si Sida, komplekse mendor dhe çrregullime neurologjike.

4. Dobësimi dhe rrënimi i trupit/

5. Shkatërrimi i familjes, saqë kanë humbur edhe lidhjet bashkëshortore duke i llogaritur të gjitha gjërat të pavlefshme.

6. Humbja e pasardhësve apo përzierja e tyre (duke mos ditur se fëmija i kujt është).
.

 

Përktheu: Eroll Nesimi
24.5.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit