Kisha Ortodokse Serbe i ka dërguar një apel presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, kryeministrit serb, Ivica Daçiq, dhe zëvendëskryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, që të mos pranojnë asnjë kusht të Bashkësisë Evropiane për anëtarësim të Serbisë në të.
Në kumtesën e Kishës, të cilën e ka nënshkruar Ipeshkvi Irinej, thuhet se “Kisha nuk po iu drejtohet në mënyrë të rëndomtë, por u bën apel që të mos pranojnë kushtet e Brukselit që janë vënë për Kosovën” dhe këtë gjë “Kisha e bën pasi që në opinion është thënë se ajo po hesht rreth Kosovës”.
Qeveria e Serbisë ka thënë se të hënën, do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të sillen vendime për dialogun me Kosovën.
Prishtina nuk pranon që t’i japë pushtet ekzekutiv bashkësisë së komunave serbe në veri, ashtu siç kërkon Beogradi, dhe kjo ka bërë që palët, në takimin e 2 prillit, të mos arrijnë marrëveshje.
Por, normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në procesin e integrimit evropian.
Ndërmjetësuesja e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton, u ka kërkuar palëve që të deklarohen deri të martën nëse e pranojnë apo jo marrëveshjen e ofruar nga Brukseli./rfe/kohaislame