“Është për të ardhur keq që Gjermania e paraqet veten si një vend, i cili strehon dhe ushqen terroristët”, deklaroi Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në vlerësimin e tij të parë për pankartën e hapur të martën në Berlin…
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vlerësoi për herë të parë pankartën me mesazhin “shpërblim për atë që vret Erdogan-in”, hapur pak ditë më parë në Gjermani, gjatë udhëtimit me avion mbrëmjen e të enjtes drejt Hamburgut.
“Është për të ardhur keq që Gjermania e paraqet veten si një vend, i cili strehon dhe ushqen terroristët. Lejimi i kësisoj manifestimeve është një fatkeqësi e madhe”, theksoi Presidenti Erdogan në lidhje me pankartën e hapur të martën para një makine luksoze, ku ishin vendosur fotografia e tij, ajo e Kryetarit të Shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin dhe e Mbretit Salman bin Abdulaziz të Arabisë Saudite, ndërkohë që në krah të fotografive shkruhej: “Dëshiron ta fitosh këtë makinë? Vrite diktaturën!”
Ai përsëriti se ndalimi i takimit të tij me qytetarët turq, që jetojnë në Gjermani, është një harakiri politik.
Nga ana tjetër, kreu i shtetit turk vuri në pah se ato çfarë Arabia Saudite dhe aleatët e saj të Gjirit kërkojnë nga Katari janë shkelje flagrante e të drejtave sovrane të një shteti, ndërsa siguroi edhe një tjetër herë se baza ushtarake turke në Katar do të mund të mbyllet vetëm nëse Doha paraqet një kërkesë të tillë.
Erdogan-i dënoi gjithashtu qëndrimin e pavendosur dhe e dyshimtë të Perëndimit në lidhje me organizatën terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY).
Lideri turk tha se FETO/PDY-ja siguron miliona dollarë të ardhura përmes shkollave të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në njërën anë ata dënojnë tentativën për grusht shteti dhe në anën tjetër falënderojnë vendet, të cilat u hapin portat anëtarëve azilkërkues të FETO/PDY-së. Si është e mundur kjo?”, u shpreh ai duke vënë në pyetje qëndrimin dhe sinqeritetin e vendeve perëndimore në raport me Turqinë.
Mes të tjerash, Presidenti Erdogan ndau me gazetarët e pranishëm në avion edhe disa hollësi rreth aktiviteteve me rastin e 15 Korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar. Ai njoftoi se aktivitetet do të nisin më 14 korrik, me namazin e xhumasë në Xhaminë e Popullit, për të vazhduar 2 ditë me radhë.