-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Uji i pijshëm në Kosovë nuk është kancerogjen

Më të lexuarat

Sipas gazetës italiane “Il Giornale”, kontingjenti italian në misionin e KFOR-it në Kosovë ka konsumuar të paktën deri në vitin 2016 ujë kancerogjen. Kjo është raportuar nga mjeku ushtarak Ennio Lettieri gjatë seancës para Komisionit Parlamentar të Hetimeve mbi efektet e uraniumit të varfëruar.

Ankesa e nënkolonelit nuk lë hapësirë për dyshim: “Uji i analizuar në vitin 2015- 2016 përmbante bromate, një klasë kancerogjene 2B, në masën 65/97 mikrogramë-litër”, duke e krahasuar me një limit të toleruar prej 10 mikrogramë-litër. Mirëpo deklaratën e mjekut ushtarak e kanë demantuar institucionet përkatëse, të cilat merren me kontrollimin dhe cilësinë e ujit të pijshëm në vend.

Sipas Arbërie Zogianit nga instituti i ujësjellësit “KUR Prishtina”, shkrimi i gazetës italiane ka të bëjë me bizneset private të cilat merren me shitjen e ujit dhe të cilat kanë pasur kontratë me KFOR-in, e jo për ujësjellësin “KUR Prishtina”. “Sipas shkrimeve që kanë dalë në medie ditëve të fundit bëhet fjalë për ujë të ambalazhuar, respektivisht për biznesin privat që merret me shitjen e atij uji dhe që kanë pasur kontratë me KFOR-in, por nuk bëhet fjalë në asnjë mënyrë për ujin që ne si “KUR Prishtina” shpërndajmë në zonën tonë të shërbimit”, ka thënë Zogiani.

Më tutje ajo ka thënë se uji që po shpërndahet tek qytetarët është i cilësisë së lartë dhe se vazhdimisht bëjnë analiza për ta kontrolluar cilësinë e tij.

“Theksoj se uji që ne shpërndajmë është i cilësisë më të lartë dhe komform standardeve ndërkombëtare për ujë të pijshëm. Ne përditshmëri bëjmë vazhdimisht analizat e mostrave ne dy laboratorët tanë me teknologji shumë të sofistikuar.

Ky ujë kontrollohet dhe monitorohet vazhdimisht, andaj konsumoni pa asnjë lloj dyshimi”, ka përfunduar Zogjani.

Ndërsa në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se pas këtyre dyshimeve ky Institut ka bërë menjëherë analizat dhe monitorimin, por që rezultatet janë pozitive dhe uji është mjaft cilësor.

“Bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit për pije, të bëra sot, më 6 korrik 2017, të dhënat laboratorike për parametrat kimikë rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije, sipas Udhëzimit Administrativ 16/2012. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) i siguron qytetarët e Kosovës se ky Institut ka kontrolle të përhershme të cilësisë së ujit për pije si nga sistemet qendrore të furnizimit, ashtu dhe ujit të ambalazhuar dhe nuk ka vend për shqetësim”, thuhet në përgjigjen e këtij instituti për gazetën “Zëri”.

Më tutje ky institut ka bërë të ditur se Instituti Kombëtar është në vazhdimësi duke bërë kontrollimin dhe monitorimin e ujit të pijshëm”.

Situata epidemiologjike është në kontrolle të vazhdueshme nga ekipet e Institutit Kombëtar. IKSHPK-ja do të vazhdojë me monitorimin e cilësisë së ujit për pije sipas kompetencave ligjore në fuqi me përgjegjësi të lartë profesionale, duke kërkuar nga organet relevante të avancojnë dhe ta zgjerojnë me prioritet spektrin e analizave laboratorike të ujit, ajrit dhe të ushqimit”, kanë përfunduar në komunikatë.

Ndërkaq edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor kanë potencuar se nuk ka arsye për shqetësim. Sipas Departamentit të Ujërave në këtë Ministri, uji i cili u shpërndahet konsumatorëve përmes ujësjellësit është mjaft cilësor, pasi që është marrë nga burimet e sigurta dhe çdoherë i bëhen analiza dhe monitorohet për të parë nëse ky ujë është adekuat për pirje. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit