6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Historia e panjohur e Nju Jorkut: Si u këmbye me një ishull të vogël në Oqeani

Më të lexuarat

Para 350 vjetëve, kolonia holandeze Amsterdami i Ri (holandisht: Nieuw-Amsterdam) do të duhej të kapitullonte para furisë angleze. Ajo tashmë do të quhej Nju Jork (New York). Për kompensim, megjithatë, Londra u dha atyre një ishull të vogël në brigjet jugore të Paqësorit.

Ishte një ditë jo fare e parëndësishme për Nju Jorkun, por askush nuk ngjan ta ketë festuar atë tashmë 350 vite më vonë.

Peter Stuyvesant, guvernator i përgjithshëm i kolonisë së Amsterdamit të Ri, kishte plot punë atë ditë të 6 shtatorit 1664. Ai e dërgoi avokatin e tij në njërën prej fregatave britanike, që ishin ankoruar para kështjellës së holandezëve, pra pikërisht atje, ku sot ndodhet “Battery Park”, në skajin jugor të Manhatanit. Në dorë, emisari i Stuyvesant-it mbante dokumentin e kapitullimit.

Katër fregata britanike kishin mbërritur atje qysh prej 26 gushtit, duke goditur me artileri çdo ditë e më shumë kështjellën holandeze, e duke shtrënguar ata t’ua dorëzonin atë kurorës britanike. Kështjella nuk ishte mbrojtur e pajisur siç duhet, kishte plot mangësi, e kështu që në fund u dorëzua. Nga Amsterdami i Ri, u formua tashmë Jorku i Ri apo Nju Jorku, me referencë nga toponimia angleze.

Zyrtarisht, holandezët nuk e njohën këtë vendim për një kohë të gjatë. Pati madje edhe një luftë tjetër, dhe vetëm me marrëveshjen për paqe të Bredas, në vitin 1667, u ra dakord që Nju Jorku t’i përkiste përfundimisht kurorës britanike. Por jo pa kompensim. U bënë këmbime që nga pikëpamja e sotme duken si shumë të çuditshme.

Para së gjithash, ishulli liliput Run (i njohur edhe si Pulo Run, ose Rhun) në Indonezinë e sotme, iu dha pra holandezëve. I vogël siç është, ai kishte një vlerë të stërmadhe. Ishulli i përket arkipelagut Banda, e kësisoj është pjesë e Molukëve, tej në Lindje, shumë pranë Guinesë së Re. Por Molukët, të gjithë ashtu siç ishin të vegjël, shpesh të kërcënuar edhe nga vullkanet, në atë kohë vlerësoheshin si ishujt e erëzave, që u bënë simbol i një epoke të madhe e të re historike: atë të zbulimeve të mëdha.

Gjuetia për erëzat motivoi zbuluesit e mëdhenj

“Në fillim ishin erëzat”, e nis Shtefan Cvajk (Stefan Zweig) biografinë e tij mbi Ferdinand Magelanin. Me këtë, siç pohon Cvajk, ai nuk mendon vetëm mbi Magelanin, por për këdo e çdo gjë tjetër që në atë kohë kishin zbuluar e lënë pa zbuluar duke kërkuar botën Kristofor Kolumbi, Vasco da Gama e të tjerë si puna e tyre.

Sigurisht se në atë kohë, kërkohej shumë, pikësëpari ari e gurët e çmuar, mirëpo erëzat premtonin një përfitim të madh ekonomik, nëse i merrje ato nga fundi i botës e i dërgoje për në atdheun tënd në Europë, për t’i shitur.

Një rol të rëndësishëm këtu nuk luanin aq shumë erëzat e zakonshme si piperi, kanella apo vanilja, por të tilla që më vonë do të shfaqeshin paksa më në sfond, siç ishin: karafilat dhe arrat e muskatit, dhe ato pra vinin vetëm nga “ishujt e erëzave”. Muskati i Bandës, karafilat e Molukëve veriore rreth Ternatëve dhe Tidorëve, u bënë të famshme ndër breza.

Askush në fillim të epokës së zbulimeve të mëdha, nuk e dinte me saktësi se ku ndodheshin këta ishuj. Spanjollët i kërkonin ata nën drejtimin e kapitenit gjenovez, Kristofor Kolombi, në rrugën detare perëndimore, ku ata hasën në tokën e kontinentit amerikan dhe portugezët, përkundrazi, besonin se ishin në Lindje. Si pasojë, më në fund ato u gjendën në anën tjetër të botës, ku rastësisht ndodheshin thuajse ekzaktësisht edhe ishujt e erëzave.

Pararendësja e shoqërive aksionere

Jo pa arsye Manhatani cilësohet si kërthiza e ekonomisë botërore. Është atdheu i bursës më të famshme të letrave me vlerë në botë, në të cilën këmbehen e vlerësohen aksionet e koncerneve më të mëdha të ekonomisë botërore.

Por ku dhe kur lindën pra shoqëritë e para aksionere? Shoqëria e parë moderne aksionere në botë, e cila do të ishte e krahasueshme me ato të sotmet, ishte e ashtuquajtura Vereenigde Oostindische Compagnie, ose në shqip “Kompania e Indive të Bashkuara” që e themeluan holandezët qysh në vitin 1602. Mallin që ata vlerësonin në bursë e përbënin “thasët e piperit” të VOC, siç njihej ajo në atë kohë shkurtimisht, që përfshinin tregtinë me erëza që vinin nga Molukët, e jo më pak me arrat e Muskatit të ishujve Run. Me këtë mbyllet edhe historia e këmbimit mes ishullit të vogël në Lindjen e Largët dhe të famshmit “Downtown Manhattan”, simbol i modernitetit e jetës së gjallë të kohëve që jetojmë.

Këmbimi i parashikuar në marrëveshjen e Bredas, pavarësisht se sot mund të duket një çmenduri, i nënshtrohej asokohe plotësisht logjikës ekonomike. Holandezët, në atë kohë, e kishin pushtuar për vete ishullin Run, prej kohësh tashmë, sikurse kishin bërë edhe me Manhatanin, duke e pasur kontrollin para britanikëve. Por tashmë kjo ishte zyrtare. Anglezët nuk do t’u binin më në qafë në domenin e tyre. Po kështu u sollën ata edhe me Surinamin e vogël në veri të Amerikës Jugore, të cilin holandezët ua kishin marrë më parë anglezëve e që tashmë u trashëgua me kontratë prej tyre. Por vendimtar ishte ishulli Run. Ai, në atë kohë, u vu në peshore kundrejt Manhatanit. /Dita/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit